Bujqësia, një dështim skandaloz

  • 24 March 2017 - 07:59
Bujqësia, një dështim skandaloz

Buxheti i vogël, dallavere me grantet, fermerët mezi mbijetojnë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Analisti Dardan Grapci është i mendimit se ministri aktual i Bujqësisë nuk është i denjë për këtë post dhe duhet që urgjentisht të japë dorëheqje të parevokueshme nga ky post, për shkak se ai është njëri nga fajtorët kryesorë, që e ka sjellë në këtë situatë bujqësinë e Kosovës dhe bujqit kosovarë, që i ka shkatërruar komplet
Të gjitha qeveritë e pasluftës, përfshirë edhe Qeverinë aktuale të Isa Mustafës, patën premtuar se zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën e paskonfliktit, mirëpo premtimet e tyre mbetën vetëm në letër. Nga viti 1999 deri më 2017 Kosova vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore, të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës. Nënkryetari i AKB-së, Bashkim Osmani, thotë se krahasuar me vitet e mëhershme kemi pasur përparime të investimeve në sektorin e bujqë- sisë, por krahasuar me vendet e rajonit ende qëndrojmë larg tyre. "Po të investohej nga paslufta në këtë sektor sikurse që janë bërë ca përmirësime në veçanti viteve të fundit, situata ka mundur që të jetë shumë më e mirë dhe numri i të punësuarve do të ishte dukshëm më i madh", është shprehur ai. "Është koha e fundit që nga ana e Qeverive të Kosovës të rriten urgjentisht investimet në sektorin e bujqësisë, ndryshe nuk do të mund të ndalim invazionin e mallrave nga Serbia për në Kosovë", theksoi Osmani.

Emërimet nepotike dhe klienteliste

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se përderisa nuk emërohen ministra në bazë të profesionalizmit dhe meritokracisë e jo të klientelizmit, nepotizmit, apo siç ndodh te ne që nga paslufta edhe në baza të preferencave të partive dhe bizneseve, nuk do të ketë zhvillim ekonomik të vendit e as zhvillim të bujqësisë, por as nuk do të ketë investime të huaja, pa të cilat vendi nuk do të ketë zhvillim ekonomik e as zvogëlim të papunësisë. "Që të ketë investime serioze dhe afatgjata në sektorin e bujqësisë, mendoj që nevojitet të jetë ministër një ekspert nga fusha e agronomisë, sepse vetëm një ekspert i agronomisë mundet që të dijë se çka nevojitet për një fermer dhe çfarë produktesh duhet të kemi në çdo stinë", potencoi ai. Analisti Grapci është i mendimit se ministri aktual i Bujqësisë nuk është i denjë për këtë post dhe duhet që urgjentisht të japë dorëheqje të parevokueshme nga ky post, për shkak se ai është njëri nga fajtorët kryesorë që e ka sjellë në këtë situatë bujqësinë e Kosovës dhe bujqit kosovarë, që i ka shkatërruar komplet. Sipas tij, ministri i MBZHR-së, Memli Krasniqi, është edhe njëri nga fajtorët se përse në tregun e Kosovës kemi një vërshim të produkteve nga Serbia, por edhe nga Maqedonia. "Ministri aktual duhet të japë dorëheqje", thotë më tutje Grapci.

Dyshime për korrupsion në skemën e granteve

Deputeti i opozitës, Haxhi Shala (Nisma për Kosovën), tha se është për keqardhje se që nga paslufta e deri më sot Kosova nuk po arrin që të ketë investime serioze afatgjata në sektorin e bujqë- sisë. "Që të kemi një zhvillim dukshëm më të shpejtë të bujqësisë, kjo bëhet përmes donacioneve qeveritare dhe të granteve, të cilat për fatin e keq të fermerëve dhe bujqve tanë ato po keqpërdoren duke ua ndarë ato militantëve partiakë e jo fermerëve të vërtetë dhe bujqve tanë", theksoi ai. "Sipas disa fermerëve, për të qenë përfitues i këtyre granteve nëpër komunat e Kosovës apo në Ministrinë e Bujqësisë përfituesit e grantit duhet që të ndajë 30 për qind të shumës së një granti përfitues për zyrtarin e institucionit që i ndajnë këto grante", tha Shala. Sipas tij, mungesa e këtyre investimeve edhe ka ndikuar që ndërkohë në saje të këtyre keqpërdorimeve të granteve shumë nga tokat Kosovës të mbesin djerrinë dhe se nuk po përdoren për produkte profitabile dhe për pasoja ne detyrohemi që të importojmë edhe produktet më të thjeshta, që janë të kontaminuara dhe vijnë kryesisht nga Serbia. 

Të fundit në rajon për ndarjet buxhetore

Udhëheqësi i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, konsideron se vërshimi i tregut me mallra nga Serbia dhe importi i prodhimeve bujqësore po ndodh pikërisht për shkak të investimeve të vogla që janë bërë nga të gjitha Qeveritë e deritashme të Kosovës për bujqësinë. "Indikatori numër një që ndikon negativisht në zhvillimin e bujqësisë është për shkak se nuk ka investime, maksimumi në bujqësia Kosova investon një përqindje shumë të vogël nga buxheti i shtetit, ndërsa në rajon investohet, 15 deri në 27 për qind nga buxheti i shteteve, Maqedonia investimin e në bujqësi e ka madje më shumë dytrefishi ynë prej disa qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit". Drejtuesi i Federatës së bujqve ankohet se paslufta ka shënuar periudhën kur në tërë Kosovën ka filluar periudha e shkatërrimit masiv dhe humbja e tokave bujqësore, sepse një sipërfaqe e madhe e tokave të punueshme, në veçanti ato në Rrafshin e Kosovës, sidomos në të dyja anët e rrugëve nacionale dhe autostradës, janë shkatërruar në tërësi nga betoni, ndërtimi i fabrikave, shtëpive, objekte hoteliere dhe pompave të benzinës. 

Mungon strategjia afatgjatë e zhvillimit të bujqësisë

Sipas ekspertëve të bujqësisë, toka pjellore dhe kushtet e volitshme atmosferike në Kosovë, mundësojnë rimëkëmbjen e shpejtë të këtij sektori, nëse institucionet e Kosovës në forma të ndryshme, përkrahin bujqit kosovarë. Profesori i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Ymer Rusinovci, thotë se Kosovës i mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë, në të cilën do të vendoseshin prioritet, që mund të realizojnë një rritje të prodhimit. "Sepse bujqësia, në përgjithësi prodhimi i ushqimit duhet të jetë së paku në të ardhmen një ndër përparësitë konkurruese në Kosovë, sigurimi i ushqimit si për nevojat e vendit, po ashtu edhe për eksportet. Bujqësia me të vërtetë është një resurs, i cili në të ardhmen duhet të favorizohet shumë më tepër sesa që është favorizuar deri më tani", është shprehur ai. Rusinovci tha se për të shfrytëzuar këto resurse natyrore që ka Kosova, duhet një mobilizim i gjithë sektorit të bujqësisë dhe mbi të gjitha duhet të definohet statusi i fermerit dhe të mendohet se si mund të mbështet ky subjekt ekonomik "Ndër prioritetet është dashur të jetë bujqësia, ngase na mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë, ku do të definohen prioritet në bazë të të cilave ne mund të realizojmë një rritje të prodhimit dhe plotësimit të nevojave të tregut", u shpreh më tej Rusinovci. 

(Kosova Sot)