Shala: Ministria e drejtuar nga Memli Krasniqi po i’u ndanë grante militantëve partiak

  • 24 March 2017 - 12:11
Shala: Ministria e drejtuar nga Memli Krasniqi po i’u ndanë grante militantëve partiak

Deputeti i opozitës, Haxhi Shala (Nisma për Kosovën), tha se është për keqardhje se që nga paslufta e deri më sot Kosova nuk po arrin që të ketë investime serioze afatgjata në sektorin e bujqësisë.

"Që të kemi një zhvillim dukshëm më të shpejtë të bujqësisë, kjo bëhet përmes donacioneve qeveritare dhe të granteve, të cilat për fatin e keq të fermerëve dhe bujqve tanë ato po keqpërdoren duke ua ndarë ato militantëve partiakë e jo fermerëve të vërtetë dhe bujqve tanë", theksoi ai.

"Sipas disa fermerëve, për të qenë përfitues i këtyre granteve nëpër komunat e Kosovës apo në Ministrinë e Bujqësisë përfituesit e grantit duhet që të ndajë 30 për qind të shumës së një granti përfitues për zyrtarin e institucionit që i ndajnë këto grante", tha Shala.

Sipas tij, mungesa e këtyre investimeve edhe ka ndikuar që ndërkohë në saje të këtyre keqpërdorimeve të granteve shumë nga tokat Kosovës të mbesin djerrinë dhe se nuk po përdoren për produkte profitabile dhe për pasoja ne detyrohemi që të importojmë edhe produktet më të thjeshta, që janë të kontaminuara dhe vijnë kryesisht nga Serbia.

(Kosova Sot)