Kundërshtohet trafikimi i Demarkacionit dhe Asociacionit, në pako me FAK-un

  • 25 March 2017 - 07:35
Kundërshtohet trafikimi i Demarkacionit dhe Asociacionit, në pako me FAK-un

PRAPASKENAT E NISMËS PRESIDENCIALE PËR USHTRINË

Opozita dhe ekspertët, kundër skenarit të rrezikshëm

Opozita kosovare zotohet se nuk do të bëhet pjesë e një pazari të tillë eventual të votimit në paketë të të tria temave, Asociacionit, Demarkacionit dhe Ushtrisë, sepse nuk është e gatshme që të bëjë sërish kompromis e koncesione në llogari të atyre, që nuk janë në gjendje për të qeverisur si duhet në shërbim të qytetarëve

Tërheqja graduale e presidentit të Kosovës nga insistimi që njëanshëm dhe vetëm me ligj të bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri, dhe deklarimi i tij se do të bëjë përpjekje maksimale për të bindur edhe Listën Serbe si partner të koalicionit që ta mbështetin formimin me ndryshime kushtetuese, të Ushtrisë së Kosovës, po interpretohet nga analistët politikë dhe opozita si një përpjekje tinëzare e presidentit. Sipas tyre, Thaçi po tenton që përmes një marrëveshjeje të votimit në "një pako" në Kuvend, të të tria temave shumë sensitive, Demarkacionin problematik dhe Asociacionin e komunave serbe me vlerësimin kundër kushtetues, t'i këmbejë me transformimin tepër të nevojshëm të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Ky plan, që po përfolet, cilë- sohet si një hipokrizi e madhe dhe mashtrim i tij i radhës, prapa të cilit fshihen qëllimet për kalimin e Demarkacionit dhe Asociacionit. Ky lloj skenari, sipas njohësve të rrethanave, mund të jetë përgatitur nga fakti se qoftë për Demarkacionin ose Asociacionin arkitekti kryesor i këtyre marrëveshjeve të dëmshme është vetë Hashim Thaçi. Sidoqoftë opozita kosovare zotohet se nuk do të bëhet pjesë e një pazari të tillë eventual të votimit në paketë të të tria temave, Asociacionit, Demarkacionit dhe Ushtrisë, sepse nuk është e gatshme që të bëjë serish kompromis e koncesione në llogari të atyre, që nuk janë në gjendje për të qeverisur si duhet në shërbim të qytetarëve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Akuza kundër koalicionit

Deputeti Ismail Kurteshi, nga 'VETËVENDOSJE', thotë se çfarëdo marrëveshje e kësaj natyre që mund të bëjë presidenti me Listën Serbe nuk do ta gjejë mbështetjen e opozitës në Kuvend, nëse marrëveshjet e kontestuara rishikohen sustancialisht. "Tani gjithçka është e mundur, por Demarkacioni në versionin aktual dhe marrëveshja për 'Zajednicën' nuk do të kalojnë", tha Ismail Kurteshi. Edhe Zafir Berisna, nga Nisma për Kosovën, shprehet kundër një parazit ë tillë të mundshëm që mundë të përgatitet si skenar kompromisi me Listën Serbe nga PDK e LDK. "Gjithçka mundë të pritet nga ky koalicion me njerëz të shitur për interesa personale, edhe pse mundësitë dhe rregullat ligjore nuk mundësojnë që të tria këto gjëra të hyjnë në pako", tha Berisha për "Kosova Sot". Në prononcime të mëhershme, qëndrim i njëjtë është edhe i AAK-së. Kjo parti e ka kundërshtuar ashpër Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Veprimi i tillë i kundërligjshëm kundërshtohet edhe nga analistët politikë dhe ekspertët. "Idetë, të cilat mund të vijnë nga kushdo qoftë, që të tria këto çështje të shkojnë në Kuvend dhe të votohen në pako si të kushtëzuara me njëra-tjetrën, unë do t'i quaja si ide të sëmura nga aspekti politik sepse ato të tria janë procese krejtësisht të ndara dhe nuk kanë afërsi dhe lidhshmëri ligjore asnjëra më tjetrën", tha analisti Ilir Fetahu. Thaçi, arkitekti i të këqijave Sipas Fetahut, tendenca që të bëhen paralele dhe të futen me votim në pako çështjet e tilla, nuk u shërbejnë as demokracisë dhe as normalitetit e stabilitetit politik në vend. "Mirëpo, këto mund të jenë vetëm agjenda për interesa personale të individëve të caktuar, jo në të mirë të Kosovës. Konsideroj se për Ushtrinë duhet të votohet veçantë, sepse nuk ka shtet pa Ushtri dhe kjo duhet të bëhet duke gjetur zgjidhje adekuate me miqtë tonë ndërkombëtar, Demarkacioni në versionin aktual nuk duhet dhe jam i sigurt që nuk do të ndodhë, sepse cenohet territori i shtetit të Kosovës, për çka ka mjaft fakte, kurse Asociacioni gati tërësisht është anuluar nga Gjykata Kushtetuese, sepse është një etnik, dhe në kushtetutën e republikës së Kosovës nuk ka mbështetje për krijimin e institucioneve në baza etnike", tha Ilir Fetahu për "Kosova Sot". Analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë se presidenti aktual, Hashim Thaçi, është arkitekti i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës që nga paslufta, prandaj edhe ato të këqija e kanë një adresë, e ai është Hashim Thaçi, por në mënyrë dinake dhe taktike i ka ikur përgjegjësisë dhe dëmeve që ia ka sjellë Kosovës. "Transformimi i tij prej një idealisti në një pragmatist politik është përkthyer në jetëgjatësinë e tij në pushtet. Iniciativat e Thaçit asnjëherë nuk kanë qenë serioze, por as të sinqerta, në prapavijën poetike e manipulative që ka pasur interesat e tij personale e politike, e assesi interesat qytetare, shtetërore e kombëtare", është shprehur ai.

Hipokrizi e madhe politike

Sipas Ahmetit, në realitetin faktik, të cilin po jetojmë, barra dhe përgjegjësia bie mbi supet e presidentit Thaçi, pa marrë parasysh ndihmën që ia kanë dhanë disa parti, që dikur ishin e bashkëqeverisje dhe janë në bashkëqeverisje. "Është hipokrizi e madhe nëse tentohet që Demarkacioni, Asociacioni dhe Projektligji për transformimin e FSKsë në Ushtri të futen në pako, pasi që një gjë e tillë nuk është as e moralshme, por as demokratike. Përfaqësuesve të popullit nuk duhet t'ju serohet diçka që bie ndesh me interesat e popullit dhe që bie ndesh me vlerat demokratike e morale. Tendenca për të manipuluar përmes rrugëve të abuzimit të pushtetit është akti më i paskrupullt që i bën çdo përfaqësues i popullit e në veçanti kreu shtetit", potencoi ai. Edhe prof i së drejtës, Riza Smaka, konsideron se zgjidhja më e paqëlluar dhe për aq e gabuar, Ab Inito, do të ishte vënia në votim e marrëveshjeve për Demarkacionin dhe të asaj për asociacionin tok me Projektligjin për Transformimin e FSK-së në FAK-un e vendit tonë. "Në radhë të parë, marrëveshjet në fjalë, janë tejet problematike dhe pa konsensusin e pozitës me opozitën, kurrsesi, nuk do të duhej të provokohej opinioni publik edhe ashtu i acaruar që të ofroheshin për miratim. Aq më parë, kur, Marrëveshja për Krijimin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë edhe nga Gjykata Kushtetutare është cilësuar antikushtetutare, ndërsa Marrëveshja për Demarkacionin Kufitar Kosovar me Malin e Zi qartazi është në kundërshtim me integritetin e vendit, ngase nuk mbështetet në faktografinë hartografike të Malit të Zi, Serbisë, Kosovës as të Jugosllavisë të delimituar në vitin 1945 e asnjëherë të ndryshuar, madje të konfirmuar dhe të promovuar nga linja kufitare administrative në linjën kufitare ndërshtetërore dhe, si të tillë, të pranuar edhe ndërkombëtarisht!", tha Smaka për "Kosova Sot".

Marrëveshjet të rishikohen

Smaka shton se marrëveshja për krijimin e komunave me shumice serbe në Kosovë do të duhej të rihartohej tërësisht në harmoni me Kushtetutën e vendit tonë dhe ajo punë do të kërkohej të bëhej bashkë nga pozita e opozita kuvendare. Në anën tjetër, sipas prof. Smakës, edhe Marrëveshja për Demarkacionin do të duhej të ridizajnohej konform me kriteret relevante, e kurrsesi jo vetëm në të dhënat kadastrale, e në përfillje me delimitacionin zyrtar nga viti 1945 dhe tek pastaj të procedohej në Kuvend. Ai kërkon që FSK-ja gjithsesi të avancohet në Ushtri vetëm me koordinimin e ngushtë me faktorin ndërkombëtar. Politologu Arsim Haziri thotë se edhe shumë herë më parë është thënë edhe nga njohës të kushtetutshmërisë, se çështja e transformimit të FSK-së, kërkon amendamentim kushtetues, ose siç njihet miratim të dyfishtë, prandaj në këtë pikë pa miratimin e palës serbe kjo çështje nuk mund të marrë formë konkrete si "Ushtri e Kosovës", dhe për këtë një skenar për pazar të tillë mundë të jetë i pritshëm sado që është i papranueshëm dhe i rrezikshëm. "Institucionet e Kosovës po që se realizojnë takime të fshehta ose kanë realizuar sa i përket kushtëzimit të Ushtrisë më demarkimit dhe Asociacionin, konsideroj ajo forcë s'mund të jetë e nevojshme dhe si e tillë vështirë të gjejë dakordim qytetarë", tha Haziri. 
 

(Kosova Sot)