Sekserët po e vrasin drejtësinë

  • 25 March 2017 - 07:42
Sekserët po e vrasin drejtësinë

KORRUPSIONI KA PËRFSHIRË TËRË SISTEMIN

"Ne kemi edhe zyrtarë të lartë të organeve të drejtësisë, të cilët përmes sekserëve kanë marrë mitë nga personat e caktuar. Ndërsa kjo dukuri, për fatin e keq të Kosovës, është krijuar si "kulturë", e cila duhet të çrrënjoset përfundimisht, përndryshe forma e korrupsionit nuk është e panjohur se si ndodh, pasi në 99 për qind të rasteve korrupsioni vepron përmes sekserëve ose ndërmjetësuesve", ka potencuar për Gazetën "Kosova Sot" deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha
Prokuroria po i mbyll sytë para krimit

Analistë dhe njohës të fushës së drejtësisë, por edhe opozitarë të vendit, thonë se në 99 për qind të rasteve korrupsioni vepron përmes sekserëve ose ndërmjetë- suesve, derisa, sipas tyre, sekserët dhe sekseromania duket se është bukur thellë e përhapur dhe ka lëshuar rrënjë në drejtësinë kosovare, duke u marrë kështu paratë e korrupsionit, që dyshohet se shpërndahen pastaj tek gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, avokatët etj., dhe se kjo është një skemë e kundërligjshme dhe mafioze që po e cenon rëndë ligjin dhe drejtësinë kosovare. Ndaj, është shtruar edhe çështja se çka po pret dhe pse nuk po vepron Prokuroria Speciale (PSRK), për çka edhe është formuar dhe financohet nga shteti. Po ashtu, përse KPK-ja nuk merr masa kundër PSRK-së, që vetëm thuajse sodit ose mbyll sytë para korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e shtetit!? Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për Gazetën "Kosova Sot", ka rikujtuar në këtë drejtim një anekdotë, e cila thotë se " Poçari ia ka maru vegën poçit", derisa, sipas tij, kjo anekdotë na shpjegon se ata që janë zhytur në krim dhe korrupsion i kanë studiuar mënyrat e fshehjes së krimit, duke ndërtuar infrastrukturën e veprimit, e cila përmes ndërmjetë- suesve dyshohet se janë bërë pazare të mëdha, duke marrë e duke dhënë paratë për një pjesë të stafit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët mirëqenien e tyre sociale nuk e kanë ndryshuar me rrugë ligjore, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ndalja e skemës mafioze

Sipas Dibranit, skema mafioze në drejtësi mund të ndalet vetëm me një presion të jashtëm, veçmas nga presioni amerikan, përndryshe nuk ka mundësi, pasi korrupsioni dhe krimi i organizuar është zgjeruar shumë, ndërsa sipas gjendjes së tanishme mund të thuhet se edhe vetë PSRK-ja është krijuar nga strukturat politike të involvuara në krim dhe kriminalitet. "Pastaj dyshohet se i kanë korruptuar ose i kanë shantazhuar zyrtarët e kësaj Prokurorie, të cilët tashmë luajnë rolin e statistave që kanë për detyrë vetëm t'i nënshkruajnë dokumentet që iu ofrohen, përndryshe kjo Prokurori është dashur të reagojë dhe të veprojë. Ndërkaq, nëse zyrtarët e PSRK-së nuk janë pjesë e korrupsionit dhe nuk janë të shantazhuar ata pengohen për të vepruar, e madje mund të jenë kërcënuar nëse ndërmarrin hapa të guximshëm, derisa kjo gjendje kontrollohet nga struktura politike e parapolitike dhe nga grupet mafioze të nëntokës", është shprehur ai. "Juridikisht, Prokuroria Speciale ka mision luftën kundër krimit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore dhe kudo ku preken interesat e vendit, por praktikisht po shihet se misioni i saj është heshtja dhe mosveprimi. Përndryshe, kjo gjendje mund të tejkalohet vetëm kur të nisë verifikimi i mandateve të zyrtarëve ligjorë, vetëm kur do të bëhet pastrimi i listave dhe vetëm kur zyrtarisht në Kosovë do të votohet ligji për t'u aplikuar 'Vettingu' edhe tek ne", është shprehur analisti Shefqet Dibrani.

Prokuroria Speciale nuk është në nivelin e detyrës

Analisti tjetër, Naim Kelmendi thotë se sekserët dhe sekseromania duket se është bukur thellë e përhapur dhe ka lëshuar rrënjë në drejtësinë kosovare, duke u marrë kështu paratë e korrupsionit që dyshohet se shpërndahen pastaj tek gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, avokatët etj., derisa, sipas tij, kjo është një skemë e kundërligjshme dhe mafioze që po e cenon rëndë ligjin dhe drejtësinë kosovare. Ai thotë se këtë dukuri të kundërligjshme dhe mjaft të dëmshme për drejtësinë kosovare, do të duhej ta sfidonte Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për edhe çka është formuar dhe financohet nga shteti kjo Prokurori. " Por, duket se ajo është inerte dhe për të mos thënë e papërgjegjshme në luftën ndaj kësaj dukurie, ngase nuk ka rezultate në këtë drejtim. Nga ana tjetër, KPK-ja po ashtu e ka për detyrim ligjor që të marrë masa kundër PSRK-së për neglizhencën e saj dhe moszbatimin ligjor në luftën ndaj kësaj dukurie antiligjore dhe të dëmshme për drejtësinë, por dhe ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e shtetit, që nga njerëzit e pozitave të larta dhe të lidhur e të inkriminuar. Pra, në këtë luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ka kapur thellë edhe institucionet, por njëkohësisht edhe institucionet e drejtësisë, ku bartësit janë njerëzit e pozitave të larta të shtetit, Prokuroria do të duhej të ishte e pakompromis për ta fituar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, por duket se kjo Prokurori po sfidohet në funksionin e saj ndaj këtyre dukurive antiligjore, që po cenojnë jo vetëm institucionet e drejtësisë, por përgjithësisht institucionet e shtetit dhe shoqërinë në tërësi", ka vijuar më tej ai. Kelmendi ka shtuar se PSRK-ja do të duhej të jetë më efikase në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të ndjekë e të hetojë krimin dhe të korruptuarit që nga institucionet e shtetit, e jo të mbyllë njërin sy, thënë figurativisht, para abuzuesve të drejtësisë apo para atyre që bartin pozita të larta.

Akuza të rënda për mitomani

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar se vetë fakti që situata është e tillë në drejtësi tregon se edhe dukuritë negative janë të shprehura. " Por, sistemi i drejtësisë atakohet nga shumë drejtime, ndërsa drejtimi i korrupsionit është veç një prej atyre, ndërsa joprofesionalizmi, padituria është mbase e meta më e madhe e sistemit të drejtësisë. Pra, mosdija e mjaftueshme juridike e gjyqtarëve dhe prokurorëve natyrisht se rrit mundësitë pastaj që korrupsioni, ryshfeti si dhe sekserët të gjejnë punë në këtë mes", ka spikatur për Gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu. Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha ka nënvizuar se kjo dukuri e sekserëve vepron në të gjitha sferat e korrupsionit, derisa nuk është imun dhe nuk përjashtohet që përmes sekserëve edhe korrupsioni në organet e drejtësisë funksionon kësisoj "Ne kemi edhe zyrtarë të lartë të organeve të drejtësisë, të cilët përmes sekserëve kanë marrë mitë nga personat e caktuar. Ndërsa kjo dukuri, për fatin e keq të Kosovës, është krijuar si "kulturë", e cila duhet të çrrënjoset përfundimisht, përndryshe forma e korrupsionit nuk është e panjohur se si ndodh, pasi në 99 për qind të rasteve korrupsioni vepron përmes sekserëve ose ndërmjetë- suesve", ka potencuar për Gazetën "Kosova Sot" deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha.
 

(Kosova Sot)