VV-ja përfundon në klubin e të korruptuarve

  • 20 April 2017 - 07:44
VV-ja përfundon në klubin e të korruptuarve

Modeli i Prishtinës zhgënjeu thellë qytetarët

Duke parë hapin e parë të lëvizjes 'Vetëvendosje' të kapjes së pushtetit ekzekutiv, tre vjet e gjysmë të qeverisjes në Prishtinë, analistët dhe subjektet politike të nivelit lokal në Prishtinë, konsiderojnë se ka mjaftuar vetëm ky shembull për 'VETËVENDOSJEN' për të ndryshuar formën dhe përmbajtjen nga ish-lëvizja, në një subjekt politik që nga lakmia për pushtet shpejt e shpejt u lidh me grupet klienteliste dhe bizneset me të kaluar të dyshimtë, madje edhe të lidhur fortë me pushtetin qendror. Kjo Lëvizje, e cila deri në vitin 2013 gjithnjë insistonte dhe deklaronte se nuk pranon të hyjë në pushtet me çdo kusht dhe me çdo parti politike korporative dhe të inkriminuar, tani pasi "u ëmbëlsua" nga ushtrimi i pushtetit në Prishtinë gjatë afro 4 viteve, me qëllim të ëndrrës për ta ruajtur akoma atë, hyri edhe në koalicion me AKR-në e Behgjet Pacollit, me të cilët realisht ishin në "luftë"të hapur dhe të cilët i kishin akuzuar me fjalorin më të rëndë të mundshëm. Njohësit e këtyre zhvillimeve konstatojnë se edhe ish- VV-ja po shndërrohet me të shpejtë në parti korporative dhe me njerëz të inkriminuar, të cilët gjatë 4 viteve të fundit , që nga fillimi i udhëheqjes me Prishtinën , keqmenaxhuan me disa qindra miliona nga buxheti i shtetit. Qëllim parësor i VV-së në kryeqytet duket të ketë qenë bllokimi e ndalimi i të gjitha projekteve zhvillimore të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të palidhura me 'VETËVENDOSJEN' ose me grupin e korruptuar që po udhëheq me Prishtinën, gjithnjë në dëm të të gjithë qytetarëve të vendit dhe vetë shtetit!

Nga idealet te jahti

Baton Dushi, kryetar i degës Nisma për Kosovën në Prishtinë, thotë se është e natyrshme të ketë ndryshuar edhe lëvizja 'Vetëvendosje' pas marrjes së një pjese të përgjegjësive në qeverisje në Komunën e Prishtinës, por nuk i është përmbajtur as së afër-mi asaj që kanë premtuar në proces e sipër të formësimit nga një Lëvizje qytetare në subjekt politik. "Ajo kur hyri në skenën tonë publike mëtonte të ishte një organizatë qytetare, një të themi organizatë e tipit revolucionar, ku ideali i saj kauzal do të ishte pararoja e vendit. Ajo shpejt e kuptoi se për të ndërruar gjërat u bë pjesë e konkurrencës politike dhe bëri mirë. Se a e ndryshoi kjo lëvizjen 'VETËVENDOSJE' unë them se po, dhe atë edhe përmbajtësisht edhe konceptualisht. Ajo ishte nisur si në ortek revolucionar, ku kompromisi dhe njohja e gjendjes reale edhe si mundësi nuk shihej në horizontin e tyre konceptual", u shpreh ai. Sipas tij, VV-ja donte që edhe zgjedhjet politike për vendin të ishin të përmasave idealiste. "Ajo tashmë, lëvizja 'VETËVENDOSJE', ka zbritur me këmbë në tokë dhe përditë e më shumë po merr edhe nga shëmbëllimi i keq politik në vend. Ajo mori Prishtinën në drejtimin e saj dhe nuk dha shembullin, të cilin kishte proklamuar për vlerën e saj. Në Prishtinë ka bërë edhe punë të mira, por ka edhe dështime e gabime. Gabimet e pafalshme për të do thosha se janë shpërfaqja ndryshe nga sa kishin proklamuar. Në keni akuzuar 'Devollët' a këdo tjetër, e të bëhesh krejt i pabesueshëm, kur gjendesh me të qoftë si dhënie tenderësh, të vegjël a të mëdhenj, pranim donacionesh të pakta apo të shumta, apo dhe ndejash kudo, darkash miqësie a jahtesh klientelizmi. Mjafton të tërheqim një paralele mes arsyetimit të Shpendit për jahtin kinse, një ndejë me miqtë shtëpiakë dhe deklarimit të sotëm të liderit shpirtëror të VV-së Albin Kurtit për 'Devollët' dhe pushtetin", theksoi Dushi. "Ashtu sikur po shkojnë gjërat, vështirë të njohim pozicionin real të VV-së, sepse parë nga deklarimi i sotëm i Albinit dhe nga ajo që na tha Shpendi tek ta kemi miqtë dhe armiq të një qasjeje. Ne sot po shohim një 'VETËVENDOSJE' në transformim, por nuk po ia dimë kahun", tha Baton Dushi për "Kosova Sot"

Uragani i shuar

Ky ndryshim negativ tek 'VETËVENDOSJE', sipas prof. Muhamet Kelmendi, vjen pasi që kjo është praktikë e funksionimit të shumicës së subjekteve politike, që nuk kanë në prioritet program serioz në interesin e shtetit dhe të qytetarit, por grupeve klienteliste dhe lidhjes me oligarkët e caktuar, qoftë edhe të inkriminuar. "Është në natyrën e subjekteve politike, të Lëvizjeve etj., të ketë ndryshime në strategji dhe në taktikat programore. Çdo subjekt, edhe 'VETËVENDOSJE', derisa ishte jashtë pushtetit, kishte qëndrime të ashpra dhe nganjëherë edhe kontradiktore. Fakti se ishte në opozitë, fillimisht si Lëvizje, edhe veprimet ishin të tjera, për të mos thënë, tipike revolucionare, duke i rënë të kaluarës dhe aktualitetit politiko-shtetëror që kaherë ishte instaluar nga të tjerët në Kosovë. Kjo lëvizje u shndërrua në parti politike, vetëm emri i mbeti lëvizje. Me këtë ndryshoi edhe programin politik, strategjinë e proklamuar, edhe taktikat. Tash është parti e sistemit politik të vendit, parti që brenda kornizave po vepron. Këndej dallimet janë të vogla, aq më parë, kur edhe brendapërbrenda kësaj partie, ka interesa të ndryshme", tha Kelmendi. Edhe politologu Florim Zeqa vlerëson se lëvizja 'Vetëvendosje', para hyrjes në Parlament, përveçse lëvizje popullore i ngjante një uragani politik kundër keqqeverisjes së vendit dhe mbrojtëse e kauzës kombëtare, ndërsa pas vitit 2013, gjegjësisht pas marrjes së pushtetit në kryeqytet, nga një lëvizje që ishte, u shndërrua në një parti të centralizuar rreth pushtetit, duke ndryshuar në formë dhe përmbajtje. "VV-ja deri në vitin 2013 gjithnjë insistonte dhe deklaronte se nuk pranon të hyjë në pushtet me çdo kusht dhe me çdo parti politike korporative dhe të inkriminuar, ndërkaq, që tani pasi "u ëmbëlsua" nga ushtrimi i pushtetit në Prishtinë, pranoi të hyjë në koalicion edhe me AKR-në e Behgjet Pacollit, me të cilët për kohë të gjatë ishin ne "luftë" të hapur dhe të cilët i kishin akuzuar me fjalorin më të rëndë të mundshëm. 'Ëmbëlsira' e pushtetit ia shkriu VV-së parimet dhe qëndrimet e forta, në vend të parimit kombëtar e pranoi 'Pakon' e multietnicitetit të Ahtisarit, të cilën derisa erdhën në pushtet e refuzonin kategorikisht, ashtu siç i kundërshtonin korporatat e inkriminuara, prej të cilave sot ushqehen, duke u bërë pjesë e zhvatjes së shtetit për interesa personale dhe grupore", tha Zeqa. 

Torta komprometuese e pushtetit

Analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se klasa politike në Kosovë në tërësi ka nevojë për reformim, jo vetëm transformim fasadë, por edhe atë përmbajtësor. Ai thotë se edhe transformimi i VVsë në parti politike nuk ka ndonjë gjë të keqe, por nëse ajo do të ndryshonte edhe qasjen e saj në respektim të institucioneve të shtetit, largimin nga përmbajta ekstremiste, si dhe dhënia e argumenteve se si të dilet nga kriza e jo vetëm duke akuzuar. Mirëpo, torta e pushtetit në Prishtinë, sipas Faton Mehmetit, po lë një shije të keqe për VV-në. "Natyrisht se udhëheqja me Prishtinën e ka bërë VV-në që të shndërrohet në një rang të njëjtë me partitë e tjera, të cilat deri dje i akuzonte për korrupsion dhe vjedhje. Torta e pushtetit i ka lënë shije të mirë VV-së, prandaj të gjitha alternativat e saj për të ardhur në pushtet do të konsumohen, qoftë edhe bërja koalicion edhe me PDKnë. 'VETËVENDOSJE' i ka thyer parimet, të cilave iu ka përmbajtur më herët, dhe kjo është për të ardhur keq. Mospasja e alternativave për qytetarët e Kosovës është dëshpëruese, prandaj ndryshimi i sistemit është nevojë emergjente", theksoi ai. "Kosova nuk ecën tutje me këtë sistem të korruptuar, për çka edhe 'VETËVENDOSJE' e dëshmoi këtë se si sistemi i korrupton njerëzit dhe jo njerëzit sistemin. Besoj se është e nevojshme që të hetohet 'VETËVENDOSJE' në Prishtinë për këto katër vjet qeverisjeje, dhe nuk do habitem, nëse do të dalin në pah shumë e shumë skandale", tha Faton Mehmeti.

Tetë njollat e qeverisjes së kryeqytetit

Analisti politik, Ardi Nokaj, thotë se me qeverisjen e VV-së në Prishtinë jo që u thyen parimet si të shëndosha, që trumbetoheshin para marrjes së pushtetit, por me këtë mandat të parë po ndodh një zhvatje "rekord" në kapjen e institucioneve lokale, pikërisht nga ky subjekt politik. Nokaj ka përmendur këto 8 shtylla kyçe, me të cilat identifikohet keqqeverisja e 'Vetëvendosje' në kryeqytet: "1. VV dhe Shpend Ahmeti kanë kapur totalisht të gjitha dikasteret e Komunës, duke i stërmbushur me militantë partiakë, pa asnjë kredencial. Kriter i vetëm për pranimin e tyre në Komunë ka qenë pjesëmarrja në protestat e dhunshme dhe "trimëria" e demonstruar në hedhjen e molotovëve, gurëve dhe mjeteve të tjera në drejtim të objekteve të shtetit, policëve dhe shtëpive private. Punësimet ilegale të mbi 250 aktivistëve të VV-së, janë evidentuar edhe në raportet e auditimit në Komunën e Prishtinës. 2. VV dhe Shpend Ahmeti kanë stërmbushur me militantë edhe çerdhet dhe shkollat në Prishtinë, ku nuk pranohet asnjë person pa "vizën" e "partisë mëmë". Edhe pyetjet në testet pranuese lidhen me VV, në mënyrë që të nxiten kandidatët të thurin elozhe për kryetarin "legjendar" dhe partinë. 3. VV dhe Shpend Ahmeti së fundi kanë kapur edhe Inspeksionin e Komunës së Prishtinës, duke vënë në krye të saj një person me një thes veprash kundër shtetit dhe institucioneve, duke vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve. Përmes këtij personi, VV tashmë ka filluar të vërë gjoba joformale nëpër Prishtinë, për të mbushur arkat e partisë. 4. VV dhe Shpend Ahmeti, po ashtu, tentuan më herët që të kapin të gjitha kompanitë publike në Prishtinë. Rasti më eklatant ishte përpjekja për të vënë në krye të një kompanie publike, burrin e deputetes së njohur vetëm për vepra të ulëta në Kuvend. Ky person është po ashtu i famshëm për thirrjet publike për vrasje, hedhje molotovësh mbi policët dhe institucionet e një varg aktesh inkriminuese. 5. Shpend Ahmeti dhe nënkryetari i tij kanë kapur edhe organizatat jo qeveritare, ku i kanë vënë në pozitat drejtuese familjarët më të afërt të tyre (bashkëshortet dhe balldëzkat). Këto organizata tani bëjnë manipulime të përçudshme të raporteve dhe të dhënave zyrtare, në përpjekjen që të lartësojnë figurën e kryetarit "legjendar" të Prishtinës, i cili ka përqindjen më të ulët historike të realizimit të premtimeve në krejt komunat e Kosovës që nga viti 2001. 6. Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu kanë kapur edhe aktivitetet argëtuese dhe rinore që organizohen në Prishtinë. Ai tashmë bën përzgjedhje klienteliste të aktiviteteve që u jepet leje të organizohen në Prishtinë, duke mos përmbushur asnjë kriter organizimi dhe sigurie. 7. Kapja e Komunës së Prishtinës erdhi në shprehje edhe në rastin më tragjik që ka ndodhur në Prishtinë 15 vitet e fundit, ku Komuna e Prishtinës nuk kishte reaguar në kërkesat e banorëve që të merren masa, duke i konsideruar votues të një partie rivale. 8. Kapja e Komunës së Prishtinës është vërtetuar katërçipërisht edhe me rastin dhënies së tenderëve. Raportet e fundit tregojnë përfitimet enorme të VV-së nga kompanitë që përfitojnë nga tenderët publikë, si dhe faktet e pamohueshme se Komuna e Prishtinës i ka dhënë tenderë kompanive ku punojnë bashkëshortet e drejtorëve aktual dhe ku më herët kanë punuar vetë të njëjtët drejtorë", përfundojnë konstatimet e analistit Ardi Nokaj. 

(Kosova Sot)