Krerët e VV-së dhe të Prishtinës në kthetrat e Devollëve

  • 21 April 2017 - 07:58
Krerët e VV-së dhe të Prishtinës në kthetrat e Devollëve

"Qytetarët e Prishtinës duhet të dalin në rrugë për të nënshkruar peticion kundër VV-së dhe DEVOLLËVE, për moslejimin e marrjes së tokave shtetërore nga ana e DEVOLLËVE të inkriminuar. Nëse kjo nuk ndodh, Prishtina do të humbasë shumë punëtorë, do të humbasë shumë biznese dhe shumë investitorë të huaj seriozë. Prandaj, i vetmi shpëtim i Prishtinës është që një parti tjetër ta marrë pushtetin në kryeqytet, sepse nëse e fiton VV-ja edhe mandatin e dytë, me keqardhje them se Prishtina do të bëhet si TEKSAS, ku mafia do të ketë qasje dhe në dorë 80% të kryeqytetit në të gjitha aspektet e jetës...", thotë analisti Dardan Grapci për Gazetën "Kosova Sot".

Shansi i parë, të cilin ia dhanë qytetarët e Prishtinës subjektit politik VETËVENDOSJE për të qeverisur kryeqytetin, sipas analistëve politikë, po dëshmon më së miri se si mund të dalë shpejt në sipërfaqe lakmia e shfrenuar për pushtet te inkriminuar, e cila po degradon pa vonesë ato subjekte politike që improvizojnë programe për interesin publik dhe angazhohen në anën e kundërt, për klientelat e tyre të ngushta, shkruan gazeta Kosvoa Sot.

 Analistët politikë konsiderojnë se një fenomen i tillë ndodhi edhe tek VETËVENDOSJE, që u bë klientele e mafio- oligarkëve 'Devolli' dhe me këtë treguan "fytyrën" e vërtetë me keqqeverisjen në komunën e Prishtinës, ku dyshohet se do t'u jepen shume shpejt të gjitha pronat e vlefshme publike komunale në qendër e zemër të Prishtinës, që bëhet fjalë për disa dhjetëra hektarë, leje ndërtimi për më shume se 500 mijë metra katrore ndërtime , për të cilat po flitet se punët i kanë finalizuar bile edhe në jahtin luksoz të Devollëve, në Budva. Po ashtu, dyshohet se në këtë plan ka më shumë se 3 vjet që ua kanë përgatitur për dorëzim e ndërtim, me të cilin Devollët së shpejti do të ndërtojnë dhe katërfishojnë përfitimet dhe pasuritë e tyre prej "perandorëve" kosovarë,dhe së bashku me Devollët përfitimet dhe pasuritë e tyre duke u bërë shume 'milionerë' të fuqishëm do t'i shumëfishojë edhe VV-ja, respektivisht figurat qendrore që e drejtojnë atë, bashkëpunë- torët e sekserët e tyre. Mirëpo, për të mos e realizuar këtë projekt të dëmshëm për interesin publik, analistët konsiderojnë se fillimisht duhet të jenë qytetarët e Prishtinës ata që e ndëshkojnë këtë subjekt politik në zgjedhjet e radhës, pasi po shihet ashiqare se si u korruptua rëndë nga Devollët, duke denjuar që pronën komunale të qytetarëve t'ua falin për t'u shpërblyer mbrapsht nga mafio-oligarkët.

Përlyerja e komunarëve

Asamblisti Agim Gashi deklaron për Gazetën "Kosova Sot" se "epshet e mëdha" të krerëve të VV-së për ta pushtuar skenën politike në Kosovë, si "shpëtimtarë", ua kanë ngatërruar rrugët dhe sikur kanë hyrë në një qorrsokak, nga i cili s'po mund të dalin. "Kjo gjendje e ka detyruar liderin e tyre të ndërhyjë me një infuzion emergjent për t'ia bërë me dije kryetarit të Prishtinës, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar partie, se VV-ja e ka superliderin gjallë dhe se ai, sa herë t'i teket, ua ngreh veshin 'të padisiplinuarve' dhe atyre që bëjnë përpjekje të dalin jashtë koncepteve ideologjike të VV-së dhe të cilët nga të tjerët po konsiderohen si 'reformatorë' të VV-së", ka thënë ai. Më tutje, Gashi shton se lidhjet e disa zyrtarëve të VV-së me bizneset dhe kompanitë e mëdha s'janë gjë tjetër pos gërshetim interesash, të cilat interesa i kanë të shprehura në fusha të ndryshme, si në industrinë e ndërtimit, marketingut dhe fusha të tjera të jetës në Kosovë, por më së shumti në Prishtinë. "Këtyre interesave nuk arriti t'iu shmanget as kreu i Prishtinës, i cili është i lidhur e mik i ngushtë me të tillët", përfundon asamblisti prishtinas Agim Gashi.

Kryeqyteti të zgjohet nga gjumi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, analisti Dardan Grapci thotë se duke parë këta trendë të forcimit të lidhjeve korruptive të LËVIZJES VETËVENDOSJE me disa klientela kriminale e te tejinkriminuara , ky subjekt politik duhet të ndëshkohet nga të gjithë qytetarët e vendit, aq më tepër nga ata të Prishtinës, ku qeverisi ky subjekt politik dhe nuk solli kurrfarë ndryshimesh pozitive ."Vetëvendosja në krye me Albin Kurtin, si themelues të saj, duhet të shuhet si parti, por edhe si lëvizje, për shkak se strategjia e kësaj është shkatërrimi i tregut kosovar. "Vetëvendosje" në zgjedhjet që do mbahen sivjet do të humbë shumë votues dhe dënimi për këtë parti dhe lëvizje do jetë humbja e sigurt. Shumë mirë e dimë që kur një parti apo lëvizje nuk mund të ecë përpara me paratë vetjake, ato këqyrin dhe kërkojnë ndihmë nga të tjerët, por VV-ja kanë kërkuar ndihmë te personat dhe biznesmenët e gabuar, siç janë vëllezërit DEVOLLI", thotë analisti Grapci për "Kosova Sot". Ai e ka edhe shpjegimin e vet pse mendon që kjo strukturë e instaluar si drejtuese e VV-së tanimë është bërë peng i këtij klani biznesor kriminal. "Pse them peng, për shkak se u kanë premtuar shumë hektarë tokë që të hapin biznese të kundërligjshme, u kanë premtuar treg të sigurt brenda territorit të Kosovës, si dhe u kanë premtuar vendet kyçe nëpër kryeqytetin e Prishtinës ku Korporata DEVOLLI e kap krejt kryeqytetin e do të ketë shitje të suksesshme në të ardhmen", thotë më tutje Grapci. Sidoqoftë, ndëshkimi, sipas tij, duhet të vijë mu nga ata që i dhanë mundësi provuese për ta parë qeverisjen e tyre në kryeqytet, pra vetë qytetarët. "Qytetarët e Prishtinës duhen ose sot ose kurrë të zgjohen nga gjumi dhe ta kuptojnë që pronat e tyre nesër mund t'i humbasin nga keqqeverisja e VV-së dhe kryetari i papërgjegjshëm aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu, qytetarët e Prishtinës duhet të dalin në rrugë për të nënshkruar peticion kundër VV-së dhe DEVOLLËVE, për moslejimin e marrjes së tokave shtetërore-publike të qytetarëve nga ana e DEVOLLËVE të inkriminuar. Nëse kjo nuk ndodh, Prishtina do të humbasë shumë punëtorë, shumë biznese dhe shumë investitorë të huaj seriozë. Prandaj, i vetmi shpëtim i Prishtinës është që një parti tjetër ta fitojë e ta marrë pushtetin në kryeqytet, sepse nëse fiton VV-ja edhe mandatin e dytë, me keqardhje them se Prishtina do të bëhet si TEKSAS, ku mafia do të ketë qasje dhe në dorë mbi 80% të kryeqytetit", thotë analisti Grapci për "Kosova Sot"

Fatmirësisht, aventura kriminale mori fund në jaht 

Sipas analistit politik, Florim Zeqa, tek rasti VETËVENDOSJE tani vlen të përmendet ajo fjala e urtë popullore "Ra ky mort e u pamë". Ai thotë se ra Jahti i Devollëve dhe e shpërfaqi fytyrën e vërtetë të inkriminuar të VV-së në keqqeverisjen e Prishtinës."Pas shpërthimit të Albin Kurtit në Parlament, me akuza të ashpra ndaj vëllezërve Devolli, shpërfaqen dy të vërteta të mëdha, që me vështirësi po akceptohen nga një pjesë e opinionit kosovar: E para, ka të bëjë drejtpërdrejt me keqqeverisjen e kryeqytetit nga ana e Shpend Ahmetit dhe ekipit të tij në qeverinë komunale, e dyta, me situatën shpërthyese në VV pas skandalit në jahtin e Devollëve, e cila paraqet goditjen me të rëndë ndaj këtij subjekti në këto tre vjetët e fundit. Akuzat e Kurtit ndaj vëllezërve Devolli, në mënyrë të tërthortë, në fakt janë akuza ndaj kreut të Prishtinës, Shpend Ahmetit. Kjo e bën qartë të kuptueshme se aventura politike e Shpend Ahmetit ka përfunduar mu në jahtin e Devollëve. Shfrenimi i Kurtit në Kuvend konsiston edhe me keqmenaxhimin e VV-së nga drejtuesi aktual, Visar Ymeri, tezak i Shpend Ahmetit, i cili ka lejuar rrëshqitjen e plotë dhe të thellë të këtij subjekti në duart e kompanive të inkriminuara", thotë analisti Florim Zeqa për Gazetën. Ai ka pohuar se, pavarë- sisht faktit se në një të ardhme të afërt VV-ja dhe Shpend Ahmeti do të largohen nga qeverisja e kryeqytetit, në zemër të Prishtinës do të mbetet "Perandoria e Devollëve", të cilët do te ndërtojnë objekte biznesore për të shumëfishuar pasuritë e tyre, bashkë me ta edhe të disa sekserëve të tyre, por VETËVENDOSJE do të ndëshkohet nga qytetarët detyrimisht."Pa asnjë fije dyshimi , në zgjedhjet e ardhshme qytetarët e Prishtinës do ta ndëshkojnë VV-në, e cila u korruptua rëndë nga Devollët e inkriminuar, duke denjuar që pronën komunale të qytetarëve ta falin për t'u shpërblyer nga këta të fundit, por paraprakisht shpresohet e pritet ndëshkimi i të korruptuarve brenda këtij subjekti politik nga ana e liderit dhe themeluesit të VV-së, zotit Albin Kurti. Se a do t'ia arrijë Albin Kurti t'ia kthejë imazhin e dikurshëm VVsë " për kinse pastërtinë" mbetet të shihet në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Nëse jo, atëherë fjalët e mëdha dhe akuzat e Kurtit ndaj vëllezërve Devolli për kriminalitet ekonomik dhe korrupsion të aluduar hapur ndaj bashkë- partiakëve, do të mbesin pak më tepër se një hipokrizi e radhës e tij dhe katandisje e mëtutjeshme e VV-së, e cila mund të përfundojë me ndarje 'cezariane', e cila do të ishte fatale për këtë subjekt", tha analisti Zeqa për Gazetën.  

Dyshime se PDK-ja e krijoi VV-në

Analisti politik Reshat Sahitaj thotë se në bazë të fjalimeve të Albin Kurtit dhe liderëve të tjerë të këtij subjekti, dyshohet se Albin Kurti nuk ka asgjë kundër PDK-së, por vetëm kundër rrethit më të afërt të Hashim Thaçit, të cilët e udhëheqin dhe e dirigjojnë mafinë ekonomike të Kosovës."Duke i kritikuar vazhdimisht Hashimin dhe bosët rreth tij me vite të tëra, Albini ia ka arritur qëllimit që nën tutelën e partisë VV t'i fusë shumë biznesmenë e në këtë grup mafiozësh, jo rastësisht edhe vëllezërit e inkriminuar Devolli, që fillimisht u pasuruan me ndihmën e Serbisë e më vonë edhe të Hashim Thaçit. Hyrja në hise dhe ndarja e parasë së vëllezërve Devolli është shenjë që ka hapësirë për të dyshuar se VV-ja është një subjekt politik i krijuar "de facto"nga PDKja, e cila përdoret në bazë të nevojave dhe kërkesave imediate të Hashimit dhe oligarkëve të tjerë, të cilët nuk zgjedhin mjete dhe metoda për t'u pasuruar me gjakun dhe djersën e popullit kosovar", thotë analisti Sahitaj . "Kritikat e djeshme në Kuvendin e Kosovës kundër Devollit ishin të detyrueshme t'i bënte Albin Kurti, sepse takimi sekret i Shpend Ahmetit në jahtin e Devollit bëri që VV-ja të humbasë krejt kredibilitetin dhe besimin e fituar rrejshëm në popull. Fjala e tij e djeshme ishte domosdoshmëri për shpëtimin e partisë, por kjo nuk do ta shfajësojë aspak VV-në dhe Shpend Ahmetin, që mendoj se ai duhet të sanksionohet së pari nga partia e pastaj nga Sektori për krime të rënda ekonomike dhe Prokuroria e Shtetit. Duke u distancuar nga Shpend Ahmeti dhe Devollët e inkriminuar, Albin Kurtit dhe VV-së mund t'i zgjatet vendi në Kuvend, në të kundërtën dëshmojnë se korporata mafioze e Kosovës përbëhet nga partitë pozitë-opozitë dhe biznesmenë të financuar nga Serbia", përfundon analisti Reshat Sahitaj

Të verifikohen faktet për skandalet kriminale

Mirëpo, njohësi i fushës së të drejtës dhe i zhvillimeve politike në vend, analisti Blerim Burjani konsideron se paraprakisht për të gjitha dyshimet që po ngrihen në opinionin publik rreth lidhjeve të këtij subjekti politik me bizneset e inkriminuara duhet të ndodhë një hetim serioz dhe verifikim i thellë dhe i pavarur dhe ato t'u prezantohen qytetarëve që ata ta thonë fjalën e tyre, gjithsesi me votë në zgjedhjet e radhës. Ndërkaq, Gazeta ende mbetet në pritje të përgjigjeve nga kryetari Shpend Ahmeti, si dhe vëllezërit Devolli, të cilët kanë zgjedhur heshtjen dhe nuk kthejnë përgjigje në asnjërën pyetje të gazetarëve, të dërguara me dhjetëra herë.

(Kosova Sot)