Gashi: VV- ja janë futur në qorrsokak nga i cili spo mund të dalin

  • 21 April 2017 - 13:30
Gashi: VV- ja janë futur në qorrsokak nga i cili spo mund të dalin

Shansi i parë, të cilin ia dhanë qytetarët e Prishtinës subjektit politik VETËVENDOSJE për të qeverisur kryeqytetin, sipas analistëve politikë, po dëshmon më së miri se si mund të dalë shpejt në sipërfaqe lakmia e shfrenuar për pushtet te inkriminuar, e cila po degradon pa vonesë ato subjekte politike që improvizojnë programe për interesin publik dhe angazhohen në anën e kundërt, për klientelat e tyre të ngushta.

Asamblisti Agim Gashi deklaron për Gazetën "Kosova Sot" se "epshet e mëdha" të krerëve të VV-së për ta pushtuar skenën politike në Kosovë, si "shpëtimtarë", ua kanë ngatërruar rrugët dhe sikur kanë hyrë në një qorrsokak, nga i cili s'po mund të dalin. "Kjo gjendje e ka detyruar liderin e tyre të ndërhyjë me një infuzion emergjent për t'ia bërë me dije kryetarit të Prishtinës, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar partie, se VV-ja e ka superliderin gjallë dhe se ai, sa herë t'i teket, ua ngreh veshin 'të padisiplinuarve' dhe atyre që bëjnë përpjekje të dalin jashtë koncepteve ideologjike të VV-së dhe të cilët nga të tjerët po konsiderohen si 'reformatorë' të VV-së", ka thënë ai. Më tutje, Gashi shton se lidhjet e disa zyrtarëve të VV-së me bizneset dhe kompanitë e mëdha s'janë gjë tjetër pos gërshetim interesash, të cilat interesa i kanë të shprehura në fusha të ndryshme, si në industrinë e ndërtimit, marketingut dhe fusha të tjera të jetës në Kosovë, por më së shumti në Prishtinë. "Këtyre interesave nuk arriti t'iu shmanget as kreu i Prishtinës, i cili është i lidhur e mik i ngushtë me të tillët", përfundon asamblisti prishtinas Agim Gashi.

(Kosova Sot)