Grapci: Vetëvendosja në krye me Albin Kurtin, si themelues të saj, duhet të shuhet si parti

  • 21 April 2017 - 14:50
Grapci: Vetëvendosja në krye me Albin Kurtin, si themelues të saj, duhet të shuhet si parti

Shansi i parë, të cilin ia dhanë qytetarët e Prishtinës subjektit politik VETËVENDOSJE për të qeverisur kryeqytetin, sipas analistëve politikë, po dëshmon më së miri se si mund të dalë shpejt në sipërfaqe lakmia e shfrenuar për pushtet te inkriminuar, e cila po degradon pa vonesë ato subjekte politike që improvizojnë programe për interesin publik dhe angazhohen në anën e kundërt, për klientelat e tyre të ngushta.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, analisti Dardan Grapci thotë se duke parë këta trendë të forcimit të lidhjeve korruptive të LËVIZJES VETËVENDOSJE me disa klientela kriminale e te tejinkriminuara , ky subjekt politik duhet të ndëshkohet nga të gjithë qytetarët e vendit, aq më tepër nga ata të Prishtinës, ku qeverisi ky subjekt politik dhe nuk solli kurrfarë ndryshimesh pozitive ."Vetëvendosja në krye me Albin Kurtin, si themelues të saj, duhet të shuhet si parti, por edhe si lëvizje, për shkak se strategjia e kësaj është shkatërrimi i tregut kosovar. "Vetëvendosje" në zgjedhjet që do mbahen sivjet do të humbë shumë votues dhe dënimi për këtë parti dhe lëvizje do jetë humbja e sigurt. Shumë mirë e dimë që kur një parti apo lëvizje nuk mund të ecë përpara me paratë vetjake, ato këqyrin dhe kërkojnë ndihmë nga të tjerët, por VV-ja kanë kërkuar ndihmë te personat dhe biznesmenët e gabuar, siç janë vëllezërit DEVOLLI", thotë analisti Grapci për "Kosova Sot". Ai e ka edhe shpjegimin e vet pse mendon që kjo strukturë e instaluar si drejtuese e VV-së tanimë është bërë peng i këtij klani biznesor kriminal.

Image

 

"Pse them peng, për shkak se u kanë premtuar shumë hektarë tokë që të hapin biznese të kundërligjshme, u kanë premtuar treg të sigurt brenda territorit të Kosovës, si dhe u kanë premtuar vendet kyçe nëpër kryeqytetin e Prishtinës ku Korporata DEVOLLI e kap krejt kryeqytetin e do të ketë shitje të suksesshme në të ardhmen", thotë më tutje Grapci. Sidoqoftë, ndëshkimi, sipas tij, duhet të vijë mu nga ata që i dhanë mundësi provuese për ta parë qeverisjen e tyre në kryeqytet, pra vetë qytetarët. "Qytetarët e Prishtinës duhen ose sot ose kurrë të zgjohen nga gjumi dhe ta kuptojnë që pronat e tyre nesër mund t'i humbasin nga keqqeverisja e VV-së dhe kryetari i papërgjegjshëm aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu, qytetarët e Prishtinës duhet të dalin në rrugë për të nënshkruar peticion kundër VV-së dhe DEVOLLËVE, për moslejimin e marrjes së tokave shtetërore-publike të qytetarëve nga ana e DEVOLLËVE të inkriminuar. Nëse kjo nuk ndodh, Prishtina do të humbasë shumë punëtorë, shumë biznese dhe shumë investitorë të huaj seriozë. Prandaj, i vetmi shpëtim i Prishtinës është që një parti tjetër ta fitojë e ta marrë pushtetin në kryeqytet, sepse nëse fiton VV-ja edhe mandatin e dytë, me keqardhje them se Prishtina do të bëhet si TEKSAS, ku mafia do të ketë qasje dhe në dorë mbi 80% të kryeqytetit", thotë analisti Grapci për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)