Shpend Ahmeti&Devollët po rrezikojnë jetën e 21 mijë fëmijëve në Prishtinë

  • 22 April 2017 - 08:08
Shpend Ahmeti&Devollët po rrezikojnë jetën e 21 mijë fëmijëve në Prishtinë

ANALISTËT REAGOJNË DHE FTOJNË PRINDËRIT NË PROTESTA PARA KOMUNËS SË PRISHTINËS  

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, ishte vetë shefi politik i Shpend Ahmetit, lideri dhe krijuesi shpirtëror i lëvizjes 'Vetëvendosje', Albin Kurti, i cili para opinionit të gjerë kosovar dhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deklaroi dhe ngriti shqetësimin serioz, sipas të cilit qumështi pluhur, që është i kompanisë 'Devolli', që imponohet dhe përpunohet në vend për t'u shitur si produkt vendor, po i helmon fëmijët prishtinas. Përfaqësues të politikës lokale dhe analistët e shohin me shqetësim një deklarim të tillë të Kurtit, që tani i kundërvihet hapur kryetarit të komunës për një rrezik të tillë, ndonëse Shpend Ahmeti e blen me paratë e buxhetit të shtetit ekskluzivisht dhe vetëm produktet e të njëjtës kompani, prej që e ka marrë mandatin prej 4 vite rresht. Përfaqësues të partive politike opozitare në Asamblenë komunale të Prishtinës konsiderojnë së derisa bëhet një akuzë e tillë e hapur për një kompani të caktuar, atëherë duhen zgjuar edhe institucionet përkatëse shtetërore dhe ta konstatojnë gjendjen, ndërkaq në rast se konstatohet dyshimi i ngritur, akuza publike, vetë kryetari Shpend Ahmeti dhe vartësit e tij në komunë duhet të japin përgjegjësi sipas ligjeve të shtetit të Kosovës, duke u trajtuar nga drejtësia për dyshimet për helmimin e qëllimshëm dhe sistematik, që po ua bëjnë mbi 21 000 fëmijëve prishtinas prej çerdheve, foshnjoreve e deri në të gjitha shkollat në Prishtinë, me qumësht pluhur të kompanisë, siç e quan edhe vetë Kurti, kompaninë e tejinkriminuar 'Devolli'. Në një situatë të tillë, i gjetur para akuzave të tilla, kryetari i komunës në një vend normal do të duhej të ofronte dorëheqje të shpejtë, derisa nga Prokuroria e Shtetit dhe policia e krimeve të rënda të iniciohet procedurë penale "ex- officio",shkruan gazeta Kosova Sot.

Organet përkatëse të verifikojnë cilësinë

Shefi i Grupit parlamentar të asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, Lirak Qelaj, thotë se pavarësisht që lideri i këtij subjekti politik ka dalë hapur me një akuzë serioze, ajo nuk është për t'u marrë aq seriozisht, ngase përgjegjësia si spektër politik në 'VETËVENDOSJE' është e karakterit kolektiv, sepse ata i matin gjërat me kute të ndryshme, kur u duhen i vlerë- sojnë pozitivisht e kur nuk u duhet t'ua kthejnë shqelmat individëve të caktuar. Prandaj, sipas Qelajt, me gjetjen e së vërtetës në këtë rast duhet të merren institucionet përgjegjëse. "Unë nuk i di detajet dhe nuk jam ekspert i fushës, pra nuk kam ndonjë informacion, por në parim kjo çështje ka të bëjë me standarde të dyfishta, që jo rrallëherë përdoren prej këtij subjekti politik, dhe kur ju vyen dikush e përkrahin edhe thonë që është mirë dhe kur nuk ju vyen i shajnë, kjo do të thotë që ata kanë qitur disa "standarde", të cilat vetë po i shkelin edhe pikërisht kjo tregon që ata po luajnë me dy fytyra...Unë mendoj se në këtë rast urgjentisht do të ishte dashur ta bëjë një test Agjencioni për kontrollimin e kualitetit të ushqimit, për ta vërtetuar, nëse është ashtu apo jo, dhe nëse del ashtu si po thuhet, atëherë është ligji, i cili i parasheh procedurat e tjera në rastet e tilla", tha Qelaj për "Kosova Sot".

Të inkriminuarit të përgjigjen para drejtësisë

Sipas gjykimit të analistit Florim Zeqa, fillimisht rreth prejardhjes së qumështit të dyshimtë ishte dashur të reagojnë shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve, të cilat janë të regjistruara dhe veprojnë me premtimin se do t'i mbrojnë interesat e qytetarëve, pastaj inspektorët e tregut, policia dhe Prokuroria e Shtetit. "Rrezikimi i jetës së 21 mijë nxënësve prishtinas me qumësht pluhur të dyshimtë me përbërje kancerogjene nga rrezatimet e "Çernobilit" e me prejardhje nga Ukraina dhe shtetet e lindjes të futur në Kosovë nga Serbia përmes kompanive të inkriminuara nuk është çështje politike, e më pak partiake", tha Zeqa për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se tani mbetet krejtësisht e pajustifikueshme heshtja kaq e gjatë e të gjitha institucioneve tona shtetërore ndaj helmimit të qëllimshëm dhe sistematik që po u bëhet fëmijëve, duke filluar prej çerdheve, foshnjoreve e deri në të gjitha shkollat në Prishtinë e mbarë Kosovën, me qumësht pluhur me prejardhje të dyshimtë. "Përveç kompanive të inkriminuara që importojnë mallra të dyshimta, fajtorë janë Policia doganore, Prokuroria e Shtetit, Agjencioni Kosovar i Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, që nuk kanë reaguar me urgjencë me marrjen e mostrave të qumështit të dyshimtë për t'i analizuar në laboratorët e specializuar vendorë dhe ndërkombëtarë. Kështu në rast të rezultateve pozitive laboratorike, do mund të inicionin me kohë procedurë penale "ex- officio" nga Prokuroria Speciale e Shtetit dhe Policia e krimeve të rënda, e jo të pritet më shumë se tre vite", u shpreh Zeqa.

Matrapazllëqet e rrezikshme

Sipas analistit Ali Hertica, fakti që dikush drejton këso akuzash publike dhe nuk vepron shteti ligjor, flet më së miri se në çfarë niveli shtetndërtimi është ai vend. "Shefi i Shpendit, Albin Kurti, e di fare mirë se nga e kanë burimin të gjitha këto produkte, e bile edhe shumë herë ka marrë aksion për t'i përmbysur, por kjo po del tani se vetë punëtori i tij, Ahmeti, nuk po e përfill atë qëndrim unik, që ishe dikur dhe po sjell qumësht pluhur për filloristët Prishtinës dhe qytetarët e pambrojtur nga askush", tha Hertica për "Kosova Sot". Ai ka pohuar se është tepër e tmerrshme, kur del dyshimi se qytetari me kontributin e vetë blen "helm" dhe ua jep fëmijëve atë, që është një krim dhe shkelje e të drejtave të njeriut, në këtë rast të fëmijëve, e që dikush po luan me jetët e tyre. "Kushdo qoftë nga subjekti politik apo veç shqip folës, duhet të hetohet e ndëshkohet sa më shpejt dhe të japë llogari para qytetarit. Të luash me 21000 fëmijë të institucioneve shkollore e parashkollore është krim dhe mëkat, dhe për këtë duhet të çohen edhe prindërit dhe ta marrin sa më shpejt masa urgjente, po që se është e vërtetë se qumështi është një pluhur, i cili është edhe i helmuar dhe kancerogjen. Edhe Shpendi dhe Sejdiu dhe kushdo qofshin ata, që e mundësojnë këtë, do të duhej të marrin dënimin para qytetarit, sepse e gjithë kjo nuk tolerohet në asnjë mënyrë, ku këta matrapazë të besuar të popullit bien pre e matrapazllëqeve të të inkriminuarve që po e helmojnë qytetarin me produkte të importuara nga jashtë, pa pasur fare kujdes në afat dhe pasojat, që mund të vijnë më vonë", tha Ali Hertica.

Dyshimet për korrupsion partiak

Analisti politik, Reshat Sahitaj, thotë se është tepër e vështirë të gjendet përgjigjja pse e bën një veprim të tillë Shpend Ahmeti, për furnizimin, respektivisht ushqimin me qumësht me prejardhje të dyshimtë, por megjithatë thotë se që nga marrja e detyrës si kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka anuluar kontratat e mëparshme si p.sh., të nxehjeve qendrore etj., për t'i nënshkruar marrëveshjet e reja për përfitimin e tij dhe të partisë, ngase asnjë zyrtar politik nuk mund të korruptohet vetëm si individ pa e ndarë pjesën e ëmbëlsirës me partinë që i takon. "Shpërndarja e qumështit të helmuar është çështje që i takon Prokurorisë së Shtetit, pasi që më parë të bëhen studimet e përbërjes se qumështit në laboratoriume private dhe nëse qumështi ka baktere helmuese, që veprojnë më shpejtësi apo më kalimin e kohës, është çështje gjyqësore. Në rastin e Komunës së Prishtinë është problem, sepse inspektorati për verifikimin e përbërjes ushqimeve, që prodhohen brenda në Kosovë ose importohen nga jashtë, nuk e bën sepse edhe ata mund të jenë të korruptuar. Gjëja më e mirë do të ishte sikur prindërit e fëmijëve shqiptarë ta sabotonin qumështin e helmuar ose duke mos i lejuar fëmijët të pinë ose duke manifestuar para shkollave. Dikur nxënësit tanë i helmonte Serbia direkt me helme kimike të panjohura, e tani i helmon me helmime të ndryshme, që me siguri janë me pasoja afatgjata", tha analisti Sahitaj për "Kosova Sot". Ai shtron edhe një pyetje tjetër në këtë temë, pse habitet populli ynë me sëmundjet e rënda të fëmijëve të tyre? Pse habitet populli ynë kur të rinjtë vdesin nga kanceri më shumë se në çdo vend tjetër të botës? Pse habitet populli ynë, kur të rinjtë tanë vdesin ose kanë sulme kardiake, më shumë se në çdo vend të botës e madje më shumë se në Afrikë? "Nëse prindërit nuk dalin në protesta për fëmijët e tyre, atëherë Zoti do t'i mallkojë këta prindër! Fëmijët janë margaritarët e prindërve dhe të shtetit, andaj nëse shteti nuk ndërmerr masa, çka presin prindërit për t'i mbrojtur fëmijët e tyre?!", tha Sahitaj

Të hetohen lidhjet klienteliste 

Sipas analistit Dardan Grapci: "Serbia e ka synim asgjësimin e popullit kosovar, ajo mundohet që nëpërmjet produkteve elementare, që i duhet një familjeje apo një fëmijë të na helmojë. Shpend Ahmeti, për mendimin tim, është një njeri që e ka humbur moralin dhe respektin nga gjithë populli i tij, edhe nga gjithë anëtarët e lëvizjes - 'VETEVENDOSJE'. Fëmijët nuk e di çka i kanë bërë Shpend Ahmetit, që me qumështin pluhur po mundohet kinse t'i ushqejë nxënësit e çerdheve dhe shkollave fillore, por në fakt ai është duke i helmuar", theksoi ai. "Importuesi i qumështit pluhur, që është kompania 'DEVOLLI', është një kompani më famëkeqe që ekziston në rrafshin e Dukagjinit dhe në rajon, sepse përmes kësaj kompanie të gjitha ushqimet, lëndët, elementet shtëpiake vijnë nga Serbia, prandaj unë mendoj që së pari duhet të hetohet KORPORATA 'DEVOLLI', pastaj të hetohet Shpend Ahmeti me ortakun e tij Dardan Sejdiun, ku në fund ta marrin dënimin e merituar me ligj, nëse dinë këta se a ekziston ligji", tha Grapci për "Kosova Sot". Edhe sipas Grapcit, qytetarët e Prishtinas, në veçanti prindërit, duhet të zgjohen njëherë e gjithmonë nga gjumi e të dalin para Komunës, duke protestuar kundër këtij qumështi dhe ushqimeve të tjera, që u jepet fëmijëve nëpër shkolla dhe çerdhe, që Shpend Ahmeti i sjell përmes kompanisë 'DEVOLLI'. 

Kaçaniku: 'KONSUMATORI' ka reaguar për importin ilegal të 1.600 tonë qumësht pluhur, kryesisht nga Ukraina (Çernobili) 

Shefi i organizatës "Konsumatori", Selatin Kaçaniku, thotë se qumështi pluhur "legalisht" kalon kufirin e Doganës, kurse informatat i fshihen qytetarit. "Ju e dini se 'KONSUMATORI' vite më parë e me vite rresht ka reaguar për importin ilegal të 1.600 tonë qumësht pluhur, kryesisht nga Ukraina (Çernobili), nga i cili mund të prodhohen rreth 15 milionë litra qumësht. Askund në asnjë produkt final në Kosovë nuk figuron prania e qumështit, i cili është importuar "legalisht". Ani pse nga Komuna e Prishtinës 'KONSUMATORI' dhe unë u konsultuam rreth derivateve kanceroze, që helmonin fëmijët e nxënësit, po kjo nuk ndodhi për zemrën e nxënësve, as me autobusët", është shprehur ai. "Për cilësinë e qumështit, kifleve, higjienën...Komuna e Prishtinës mbështetur në Inspektoratin Komunal ( (jo) të kompletuar) e në AUV-in (me të cilën (nuk) bashkëpunon) do t'i kishte informatat më të besueshme rreth cilë- sisë dhe sigurisë së ushqimeve që u servohen nxënësve e fëmijëve", ka theksuar Kaçaniku. Ai tutje shtoi: "Patëm reaguar edhe rreth formës së shitblerjes së mullirit në Xërxë - sepse na u duk e dyshimtë. As sot e kësaj dite nuk kemi përgjigje prej askujt. As nga infrastruktura e cilë- sisë e MTI-së, as e ministrive të tjera, e Arsimit, e Shëndetësisë, e Punës etj". Ai thotë se heshtja e institucioneve, hezitimi për t' u marrë me tema - çështje të nxehta, interesat grupore e logjika meritokrate e oligopole na i kanë shumëzuar e shtuar telashet, saqë tani edhe numërimi i tyre, e jo marrja me to e zgjidhja, i takojnë misionit të së pamundshmes. "Heshtja e institucioneve, hezitimi për t'u marrë me tema - çështje të nxehta, interesat grupore e logjika meritokrate e oligopole na i kanë shumëzuar e shtuar telashet, saqë tani edhe numërimi i tyre, e jo marrja me to e zgjidhja, i takojnë misionit të së pamundshmes", është shprehur Kaçaniku.

(Kosova Sot)