Ashpërsohen raportet PDK-LDK

  • 25 April 2017 - 07:45
Ashpërsohen raportet PDK-LDK

Ia nxjerrin të palarat njëri-tjetrit në prag të prishjes së koalicionit

Kohët e fundit, në tubimet e nivelit të lartë të LDK-së, ka filluar të flitet hapur dhe me shumë ashpërsi ndaj mënyrës se si ka qeverisur PDK-ja në të kaluarën dhe pasojat që tani po i bart edhe qeverisja e tanishme e koalicionit të madh, që e kryeson Isa Mustafa. Më në fund, LDK-ja ka nisur t'ia nxjerrë të palarat një nga një PDK-së, dhe t'i bëjë ato tema diskutimi, duke e cilësuar atë edhe fajtore kryesore që Kosova është dënuar në Arbitrazh për çështjen e pasaportave, të "Z- Mobile", por edhe rrezikon të humbë kontestin e radhës me "AXOS"-in. Falë këtyre përplasjeve, në Lidhjen Demokratike nuk po përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të dyja nivelet në vjeshtën e këtij viti, derisa analistët politikë e shohin edhe mundësinë e prishjes më të shpejtë të këtij koali-cioni, për të krijuar një Qeveri të përkohshme deri në zgjedhjet e rregullta qendrore të vitit që vjen. Sidoqoftë, skandalet e fundit me gjobat, si pasojë e qeverisjes së PDK-së, shihen si rrezik serioz për shkurtimin e jetëgjatësisë së këtij koalicioni. "Të palarat e PDK-së i qiti në shesh Gjykata e Arbitrazhit, ndërsa kryeministri aktual po jep shpjegime se këto janë skandale të kohës kur kryeministër ishte Hashim Thaçi,pra nuk janë të periudhës së kësaj Qeverie", u shpreh deputeti i LDK-së, Adem Salihaj

Image

 

Të kërkohet përgjegjësi penale

Sipas Salihajt, LDK-ja po i thotë këto disi si me ndrojtje dhe me keqardhje, në vend se t'i thotë fuqishëm dhe të kërkojë edhe përgjegjësi politike e institucionale, e jo vetëm penale. "Kërkimi i përgjegjësisë penale është e dikujt tjetër, Qeveria duhet të merret me përgjegjësinë politike të atyre që ia humbën dhjetëra apo qindra miliona euro Kosovës së varfër", tha deputeti Adem Salihaj. Ai opsionin e zgjedhjeve të përbashkëta për të dy nivelet nuk e sheh tani në qershor, por diku në vjeshtën e hershme të këtij viti. "Sa u përket zgjedhjeve, është PDK-ja më e interesuara, për shkak të Gjykatës Speciale dhe çdo orë e pritjes i duket një vit. Por, nuk janë gjasat që zgjedhjet të mbahen para vjeshtës, sepse në qershor fillojnë pushimet, kështu që afatet po shkojnë. Koha më e përshtatshme është që të mbahen në vjeshtë së bashku me zgjedhjet lokale", tha Salihaj për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas prof. Muhamet Kelmendit, çështja e koalicionit midis PDK-së dhe LDK-së nuk varet nga e kaluara dhe raportet midis këtyre dy partive në pushtet, sepse sipas Kelmendit, edhe kontratën e PTK-së me "Z- Mobile" e ka pasur të njohur LDK-ja , sikundër e ka ditur edhe gjendjen me "AXOS"-in, por ka qenë lakmia për pushtet ajo që e ka bashkuar edhe LDK-në me PDK-në "Por, përkundër këtyre dhe shume problemeve të tjera, si krimi e korrupsioni, Asociacioni e Demarkacioni, nuk e kanë ndalur grupin mafioz të Isa Mustafës të lidhet me grupin mafioz të Hashim Thaçit dhe të shpijnë vendin buzë katastrofës, në çdo fushë dhe në vetë ekzistencën e shtetit", potencoi ai.

Image

 

Drejt zgjedhjeve të parakohshme

Sipas Kelmendit, tash këto dy grupe mafioze në pushtet janë në gjendje të ndahen mes vete, sepse nuk kanë më interesa kriminale të përbashkëta, pasi shumë prej interesave veç janë betonuar dhe po dëshirojnë që vetëm për vete të veprojnë në vend. "Nuk ka dilemë se çështja e dënimit nga Arbitrazhi Ndërkombëtar është çështje e bërë me paramendim dhe me planifikim midis Qeverisë së atëhershme dhe dy kompanive që mjetet t'i ndajnë mes veti. Kjo, për mendimin tim, nuk ka dilemë dhe prandaj është çështje që duhet të hetohet nga Prokuroria dhe të merren masa juridike", tha prof.Kelmendi. Ai shprehet se LDK-ja nuk zgjohet kurrë nga gjumi për të denoncuar si duhet, derisa PDK-ja është gati të zgjohet dhe të prishet koalicioni për të shkuar në zgjedhje me një format tjetër politik. " Këto parti dhe të tjerat në opozitë janë futur thellë në krim dhe të mirat që i realizojnë janë të mëdha që ata ta lënë krimin. Në fillim të qershorit nuk di nëse do të mund të ketë zgjedhje, sepse kërkohet që të bjerë Qeveria dhe të shpërndahet Parlamenti, që në bazë të ligjit brenda 45 ditëve të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, kjo do të varet nga vendimi i Kuvendit për Demarkacionin. Sa më parë që procedohet në Kuvend dhe atje nuk kalon, aq më parë shkohet edhe në zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme. Pra, zgjedhjet janë të mundshme në çdo muaj pas majit", tha Muhamet Kelmendi. Ai konsideron se bashkimi në pako i zgjedhjeve lokale e qendrore do të ishte ide e mirë për të kursyer buxhetin e shtetit. "Mendoj se më së miri, për asgjë tjetër, për buxhetin e vendit është që zgjedhjet të mbahen të përbashkëta me ato lokale-komunale. Kjo është çështje normale dhe juridikisht e pranueshme, por edhe në aspektin financiar shumë produktive", potencoi ai

Zgjedhjet pa reformë, problematike

Prof. Riza Smaka vlerëson se në fakt LDK-ja është vonuar shumë dhe po vazhdon të vonohet për zbardhjen e të palarave të qeverisjes sa të paefektshme, aq edhe korruptive të PDK-së në dy mandatet paraprake dhe me këtë në një mënyrë sikur po bëhet pjesë e atyre aferave. "Qeveria ishte pasive, indolente, madje indiferente dhe, për aq negativisht e solidarizuar me raste dhe dukuri korruptive, çfarë është, ndër të tjera, edhe ky që aktualisht e përmendët. Së andejmi, Qeveria aktuale, mjerisht, dështoi në realizimin e shumicës së premtimeve zgjedhore, për aq e tradhtoi keq elektoratin e rrjedhimisht qytetarët, të cilët paguajnë taksa e presin "ditë më të mira", por mbase kot", tha prof. Smaka. Ndërsa, sipas Hidajet Ahmetit, akuza të tilla që jemi mësuar t'i dëgjojmë në kohë fushatash apo në kohë të nuhatjes së zgjedhjeve janë lojë e pastër e LDK-së dhe kjo nuk është aspak serioze, por as e sinqertë karshi opinionit publik, e në veçanti karshi elektoratit. "LDK-ja si parti "institucionaliste" e thirrur në "Filozofinë Rugoviane" ka devijuar në trasenë e saj, dhe tash nuk mund të shfajësojë veten më deklarata amatoreske të llojit të tillë. LDK-ja duhet ta këtë të qartë se tradhtinë, që ka bërë ndaj elektoratit të saj, nuk mund të përmirësojë më akuza, të cilat është mësuar t'i bëjë në kohë fushatash, duke fajësuar partnerin e koalicionit, duke përmendur hetimin e vrasjeve politike dhe shkarkimin e Kosovës që bashkëfajtore është edhe vetë LDK-ja. Përpjekja e shfajësimit nga ana e LDK-së me akuza sipërfaqësore nuk i bëjnë nder shtetit te Kosovës, por as vetë LDK-së", tha Hidajet Ahmeti. Zgjedhjet e parakohshme qendrore, ai i sheh si realitet të mundshëm, të arsyeshëm vetëm së bashku me lokalet, ndonëse,sipas tij, do të ishte në interes që ato të mos mbahen pa e përfunduar reformën zgjedhore.

Kriminalizimi i politikës

Sipas analistit Ali Hertica, PDK-ja mban përgjegjësi për kriminalizimin e politikës dhe qeverisjes. "Tani shoqëria ka filluar që ta heqë frikën nga banditizmi dhe çdokush do ta thotë atë se çfarë pasqyre ka pasur dhe çka kanë keqpërdorur gjatë këtyre viteve, sepse shoqëria është e lodhur nga këta zhvatës dhe keqpërdorues të pasurisë së qytetarit. Tani ka filluar edhe hedhja e fajit për dënimet që i dha Kosovës Arbitrazhi, ajo e pasaportave dhe atë të 'Z- Mobile', ku Kosova rrezikon të humbë madje edhe me 'Axos'-in", tha ai. Sipas tij, të gjitha këto të palara, që sot e ngarkojnë shoqërinë kosovare, janë produkt i këtyre subjekteve politike. Pavarësisht rrezikut ekzistencial në të cilin po futet koalicion me këto përplasjet e fundit, analisti politik Blerim Burjani thotë se PDK -ja është përfituesi më i madh nga zgjedhjet e kaluara, pasi klientela e këtij subjekti i ka ndërtuar me kohë strukturat e saj, që kanë krijuar edhe pasuri marramendëse, kurse tani akuzat e LDK-së janë të pabaza, sepse e kaluara e PDK-së ka qenë krejtësisht e njohur. " LDK-ja të gjitha i ka ditur, sikurse edhe subjektet e tjera opozitare, të cilat janë përfshirë në shumë gjë të paligjshme qysh më herët", potencoi Burjani.

(Kosova Sot)