Politikanët e mbrapshtë lënë kosovarët në geto

  • 25 April 2017 - 08:11
Politikanët e mbrapshtë lënë kosovarët në geto

Për kalkulime klanore e personale, Kosova mbetet e izoluar

Derisa për të gjitha vendet e Ballkanit janë eliminuar barrierat e lëvizjes së lirë dhe është hapur e qartë perspektiva e integrimit në BE, janë vetëm qytetarët e Kosovës, për shkak të politikës së papërgjegjshme që po e drejton vendin, po mbeten në izolim të plotë nga bota demokratike. Analistët konsiderojnë se kjo situatë është pasojë e politikanëve të papërgjegjshëm kosovarë, të të gjitha partive pa dallim, të cilët po sillen duke kalkuluar vetëm për interesa personale e duke rrënuar kështu të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve. Analisti Jeton Kelmendi thotë se kjo çështje do të duhej trajtuar jo vetëm nga politika, por edhe nga qarqet intelektuale. "Kosovës i mungon edhe shoqëria civile, sepse pothuajse të gjitha OJQ-të në vend janë mekanizma të subjekteve të caktuara politike e parapolitike, prandaj kemi një qasje jokorrekte. Kur këto dy segmente nuk funksionojnë, atëherë partitë politike nuk përmirësohen, sepse nuk ka kush ushtron presion ndaj tyre dhe nuk ka se kush të mund t'i përmirësojë ato", është shprehur ai. 

Image

 

Trinomi kriminal mban peng Republikën

Analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se Kosova është dhe vazhdon të jetë e izoluar jo për shkak të demarkacionit, por për shkak të nivelit tepër të ulët të sundimit të ligjit, për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të gjitha formave të tjera të mundshme të ekzistimit të dukurive, që pamundësojnë funksionimin efikas të një shteti ligjor. "Kosova vazhdon të jetë në listën e zezë të vendeve, ku trafikohen qeniet njerëzore dhe si vend tranzit për drogën. Klasa politike në Kosovë është bërë një me krimin dhe banditët, të cilët përmes marionetave të politikës zhvillojnë veprimtarinë e tyre lirshëm. Të gjitha partitë politike pa përjashtim kanë grupacionet e tyre të krimit, ata kanë mbushur vendin me drogë, me kasino, me trafik armësh dhe ushtrim prostitucioni. Këto të gjitha janë të ditura edhe nga AKI-ja, por që nuk ndërmarrin masa, sepse zinxhiri komandues është ai që nuk lë mundësi për veprim", tha Mehmeti. Për fat të keq, sipas gjykimit të tij, edhe për një kohë të gjatë nuk pritet që kjo klasë politike të ndryshojë mentalitetin e tanishëm kriminal, pasi trinomi politikë- biznes-gjyqësor, është i lidhur "si mishi me thoin", dhe është vështirë të depërtohet për ta shkulur të keqen. "Njerëzit e ndershëm nuk arrijnë të depërtojnë, pasi ose do të eliminohen politikisht me akuza të rreme ose do të të vrasin dhe të paraqesin si vetëvrasje. Vendi është i izoluar nga ndërkombëtarët, të cilët kanë frikë të liberalizojnë vizat, duke mos rrezikuar që në vendin e tyre të shkojnë njerëz të krimit", tha Faton Mehmeti.

Mashtruesit meritojnë ndëshkimin elektoral

Politologu Arsim Haziri nga ana e këndvështrimit të tij vlerëson se të gjitha qeverisjet e deritanishme kanë qenë qeverisje për interesin material dhe jo për qëllimin nacional, e fatkeqësisht një agjendë e tillë është duke gjetur akoma hapësirë të konsiderueshme. "Sfera e politikës, qëllimisht e ka krijuar këtë situatë të padrejtë vetëm që t'i përmbushë të gjitha egot e saja të sëmura. Kosova është një vend ku sundon kleptokracia, vend ku njerëzit e politikës luajnë me fatin e përgjithshëm", tha Haziri. Ai ka pohuar se edhe deputetët, shumica prej tyre, nuk po e përfaqësojnë interesin e votuesit, atë qytetar, por ata më shumë mbrojnë interesin e tyre dhe atë të klientelës së ngushtë partiake. Analisti politik, Ilir Fetahu, thekson se shuplaka e votuesit kosovar në zgjedhjet e radhës duhet të jetë shumë serioze, për të gjitha ato parti politike, apo edhe për ata individë brenda tyre, të cilët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rol në mbetjen Kosovës vend i izoluar dhe bllokimin e perspektivës evropiane për qytetarët kosovarë. "Sjellja e papërgjegjshme e politikanëve kosovarë, ndaj interesave të Kosovës dhe ndaj qytetarëve të këtij shteti, duke ngulfatur perspektivën e tyre evropiane, është alarm për votuesit, të cilët duhet të këndellen dhe të jenë shumë të vëmendshëm për të menduar në zgjedhjet e ardhshme, që të përcaktohen saktë dhe qartë për partitë politike dhe individët brenda listave zgjedhore", është shprehur ai. "Ne në të kaluarën kemi parë dhe kemi pasur lider të partive politike dhe lidership, të cilët pa pikë turpi kanë premtuar dhe kanë mashtruar, thjesht kanë gënjyer qytetarin, duke premtuar gjëra, të cilat edhe e kanë ditur se nuk do të mund t'i realizojnë. Kanë premtuar kthesa të mëdha ndryshimi në shoqëri, derisa pasi kanë kaluar zgjedhjet kanë bërë veprime krejtësisht të tjera, prandaj unë mendoj se tani është koha që votuesi kosovar duhet t'i mbajë në mend mirë të gjitha ato premtime dhe t'i ndëshkojë të gjithë rrenat e deritanishëm së bashku me hajnat, që po e plaçkitim shtetin dhe dëmtojnë interesin qytetar", potencoi më tutje Fetahu.

(Kosova Sot)