Ora e protestës së opozitës, Basha: Ky është fillimi i përshkallëzimit

  • 25 April 2017 - 10:00
Ora e protestës së opozitës, Basha: Ky është fillimi i përshkallëzimit

Për një orë opozita protestoi në arteriet kryesore të rrugëve nacionale, duke paralajmëruar kështu një formë të re të lëvizjes së PD-së në të ardhmen. Një ditë përpara mbërritjes në Tiranë të negociatorit europian, David McAllister dhe raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, koeficenti është i lart që përpjekja për të arritur një marrëveshje mes qeverisë dhe opozitës të rezultojë e kot. 

Vizitës së tyre për krizën politike, opozitarët i paraprinë me bllokim të hyrje-daljeve të kryeqyteti dhe tre akset kryesore të vendit, duke paralizuar kështu për një orë qarkullimin.

Mesazhi i Bashës

Kreu demokrat, Lulzim Basha i ulur këmbëkryq në sheshin “Shqiponja” nuk e ka fshehur në fjalën që mbajti para protestuesve se përshkallëzimi i protestës ishte një sinjal se demokratët nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë lëshim nga kërkesa e tyre për qeveri teknike. 

Basha, qëndroi gjatë gjithë kohës mes protestuesve, dhe tha se kjo ditë është paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, është e pakthyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Jemi të bashkuar në këtë lëvizje kombëtare dhe europiane, të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë, krimit dhe drogës, për të mos ia dorëzuar lirinë tonë, tiranisë së korrupsionit dhe të krimit në pushtet, por të përbashkuar, siç jemi bashkuar, qindra mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri nga lindja në perëndim; për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e Vetting-ut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut”, tha ai, duke shtuar në fund se kjo protestë u zhvilluar pa asnjë provokim, dhe pa iu përgjigjur asnjë provokimi. Pas protestës, Basha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, dhe disa protestues e përshkoi në këmbë rrugën nga sheshi “Shqiponja” drejt çadrës së protestës, ku iu drejtua me një mesazh të dytë qytetarëve. “Një falënderim nga zemra për çdo shqiptare e shqiptar që ngrihet e bashkohet për fatet e republikës së re, që janë fatet e çdo shqiptari të ndershëm. Për demokratët ky aksion është fillimi i përshkallëzimit të protestës së nisur më 18 shkurt dhe që vijon në para kryeministrisë”, u kujtoi Basha të protestuesve.

Ku u protestua dje?

Në kryeqytet në orën 11:00 protestuesit u mblodhën në sheshin “Shqiponja” dhe në kryqëzimin e Shkollës Teknologjike ku për 60 minuta nuk lejuan, kalimin e asnjë automjeti. Po ashtu mbështetësit e PD-së nën drejtimin e deputetëve demokratë bllokuan qarkullimin edhe në rrethrrotullimi e Plugut, (Lushnje), rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit në Milot, Rrethrrotullimin e Bradasheshit (Elbasan). 

Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani, i cili ishte i vendosur të organizonte protestuesit në zonën e Plugut të Lushnjës, është shprehur se protesta ishte model. Ristani ka kujtuar se protesta e madhe do të zhvillohet në Kavajë për të mos lejuar zgjedhje falso më 7 maj. “Plot energji dhe mirëkuptim deri tani ndërmjet protestuesve dhe forcave të Policisë. Pjesëmarrja është shumë e mirë. Janë rreth 5 mijë vetë që protestojnë këtu në zonën e Plugut të Lushnjës. 

Protesta do të vazhdojë deri në orën 12:00 dhe do të mbyllet, sepse qëllimi është arritur. Ka pasur vetëm një provokim të vogël që u zgjidh me mirëkuptim. Policia ka qenë shumë korrekte deri tani. Kjo është protestë paralajmëruese, sepse protesta e madhe do të zhvillohet në Kavajë për të mos lejuar zgjedhje falso më 7 maj”, tha Ristani. Ndërsa deputeti i PD-së, Edmond Spaho tha nga Elbasani se protesta u përqendrua në dy nyje kryesore dhe kjo për shkak se trafiku filloi të devijohej në rrugë sekondare. “Pjesëmarrja është masive, falënderojmë qytetarët që iu bashkuan protestës. Është faza e dytë e protestës, pas 66 ditë në çadër protesta u përshkallëzua me bllokimin e rrugës”, Spaho.

Protesta ndryshe e opozitës

Deputeti tjetër i PD-së, Flamur Noka tha se protesta është fillimi i përshkallëzimit të protestës të filluar në çadër. “Asnjë lidhje nuk kishin me këto protesta që po zhvillon PD. I mbani mend me hunj, duke djegur dhe shkatërruar çdo gjë drejtuesit e opozitës së dikurshme? Ky është ndryshim i madh. Kjo nuk ka asnjë kosto për qytetarët. Kosto për qytetarët është krimi, droga dhe rilindja e kësaj mazhorancë. Ka 4 vjet që kjo rilindje ka bllokuar zhvillimin e këtij vendi. Ne jemi të përgjegjshëm, ne përfaqësojnë qytetarinë”, tha ai.

Rama, Bashës: Me ose pa opozitën zgjedhjet më 18 qershor

Pas protestës që zhvilluan demokratët, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një miting në Vlora, ku ka komentuar bllokimin nga PD-ja e disa prej akseve kryesore rrugore në vend. Ai tha se zgjedhjet me ose pa opozitën, do zhvillohen më 18 qershor dhe PS do t'i fitojë ato. “Ata bllokojnë rrugët, ndërkohë që ne duam të hapim njëherë e mirë rrugën e të ardhmes. Megjithatë, ata le të bëjnë çfarë të duan, PS-në nuk ka forcë që e ndalon. Ata le të bëjnë ç'të duan, votuesit e parë të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë nuk ka forcë që i ndalon. Ata le të bëjnë ç'të duan, fuqinë e dashurisë e dashurisë tonë për Shqipërinë dhe betejën tonë për Shqipërinë që duam, nuk ka forcë e zmbraps. Në 18 qershor, si me ata si pa ata, ne do të votojmë. Në 18 qershor, si me ata, si pa ata, ne do fitojmë”, tha Rama. Ai shtoi më tej se me 18 qershor me votat që do të marrë PS-ja do të rrëzojë “murin e çadrës”, që sipas tij kanë ngritur demokratët në Bulevardin e Tiranës. “Sot ne jemi këtu së bashku për të hapur një kapitull të ri të historisë së re të Shqipërisë që duam, për të hapur rrugën e Vlorës, Sarandës, Himarës, Konispolit, e Finiqit që duam, rrugën e Shqipërisë Europiane.

Shqipëria europiane nuk është një udhëtim për të ikur diku, por një përpjekje për të ndërtuar Europën këtu në shtëpinë tonë, për të pasur qytete si në Europë, shkolla, çerdhe, spitale, qendra shëndetësore si në Europë, por kurrë nuk do të ndërtojmë Europën nëse së bashku në 18 qershor nuk shembim murin e padrejtësisë, murin që gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar të lidhur si mishi me thoin me politikanët e ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë kanë ngritur atë mur, ne do ta shembim, ne do t'i marrim përpara me votë më shumë se kurrë për PS-në të gjithë ata që duan të na kthejnë mbrapa”, tha kryeministri. Më tej Rama tha se më 18 qershor, kush voton për herë të parë ka një mundësi, ka dhe një detyrim për të marrë hak sipas tij për pronat që u grabitën këto 26 vite demokraci. “Për vajzat dhe gratë që u dhunuan, rrahën dhe përdhunuesit, dhunuesi e rrahësit kurrë nuk u ndëshkuan, për të marrë hak për të gjitha nënat që u janë vrarë fëmijët nga kriminelë që nuk kanë marrë ndëshkimin e merituar, për të marrë hak për të gjitha zullume, të gjitha ato skandale, krime që janë mbuluar me kapat të rëndë mbi të cilat rrinë si mumje prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar”, tha kryeministri.

Pse munguan në protestë “xhaketat e vjetra” dhe aleatët e Bashës?

Në protestën që zhvilluan dje opozitër është vënë re mungesa e disa prej figurave të rëndësishme të së djathtës. Nuk ka qenë i pranishëm ish-kryetari i PD-së Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Ruli dhe të tjera figura historike nuk qenë të pranishëm në protestë. Nga ana tjetër, edhe aleatët e PD-së, Fatmir Mediu, Agron Duka, Dashamir Shehi apo Vangjel Dule, gjithashtu nuk janë parë në protestën e organizuar nga Basha. I vetmi nga aleatët që është parë pranë kryedemokratit ka qenë kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu. Një tjetër figurë e rëndësishme dhe me zë në Partinë Demokratike, Majlinda Bregu, nuk ka qenë e pranishme në protestën e organizuar nga demokratët.

Jozefina Topalli: Tani duhet të ishim në fushatë

Në këtë protestë nuk ka qenë e pranishme as Jozefina Topalli. Ish-kryetarja e Kuvendi theksoi se në kushte normale Partia Demokratike duhej të ishte sot në fushatë. “Ky vend është në zgrip të humnerës. E qytetarët e tij janë më të varfër se kurrë në këta 25 vite. Ne jemi në një pikë kritike. Kam të paktën 3 vite që e përsëris dhe kërkoj opozitë të fortë. Kjo qeverisje meritonte të përmbysej prej kohësh. Në kushte normale tani duhej të ishim në fushatë. Por në vendin tonë asgjë nuk është më normale. Dhe kjo situatë është shumë preokupuese”, tha Topalli, duke shtuar më tej se mbështet çdo protestë, por ka kujtuar se detyrat e saj i ka bërë siç duhet në Parlament. “Jam pro çdo proteste për punë, për bukë, protestë kundra padrejtësive, kundra drogës, krimit, kundra korrupsionit, kundra kalbëzimit të qeverisjes. Qëndrimet e mia i kam bërë të qarta çdo seancë parlamentare e do vazhdoj ta bëj. Kam folur kur shumica heshtte. Kam luftuar kur shumica kërcënonte e do vazhdoj të bëj betejën si opozitare, në respekt të bindjeve të mia, parimeve demokratike e rregullave të demokracisë”, është shprehur Topalli.

(Kosova Sot)