Doris Pack: Rama i lidhur me krimin, diplomatët heshtin

  • 25 April 2017 - 10:10
Doris Pack: Rama i lidhur me krimin, diplomatët heshtin

Protesta e Partisë Demokratike për Votën e Lirë u bë pjesë e diskutimeve në takimin e Bordit Drejtues të Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt këto dy ditë në Bruksel nën kujdesin e Presidentes Doris Pack.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi raportoi rreth zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri dhe shprehu vendosmërinë e Partisë Demokratike për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, standard themelore të çdo shoqërie europiane.

Deputetja demokrate i informoi koleget e saj të Partive Popullore Europiane për fushatën e keqinformimit të partnerëve të huaj, që është bërë sipas saj, nga qeveria Rama përmes propagandës dhe lobimeve të financuara me para të pista. Ajo denoncoi kriminalizimin e Parlamentit dhe të qeverisjes, kanabizimin e Shqipërisë dhe përgatitjet për blerjen e zgjedhjeve me paratë e drogës.

Vokshi shprehu mirënjohje dhe falenderoi Presidenten e Forumit të Grave të Partisë Popullore Europiane (EPP Ëomen) Znj. Doris Pack për mbështetjen e protestës popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Presidentja e Forumit te Grave te PPE (EPP Women), Doris Pack shprehu shqetësim për qeverisjen e lidhur me krimin në Shqipëri dhe qortoi heshtjen e diplomatëve të huaj. Ajo kritikoi qëndrimin e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Tiranë.

 "Ajo çfarë po ndodh në Shqipëri aktualisht është një çmenduri. Vendi  i mbushur  i gjithi me drogë, një rrezik jo vetëm për kthimin e Shqipërisë në vend kryesor për prodhim dhe eksport droge, por për mjedisin ku rriten fëmijët shqiptarë," u shpreh zonja Doris Pack.

 “Në Parlament dhe administratë mbahen me dhjetra persona me rekorde kriminale se kanë paguar për pushtetin e Ramës, ndërkohë profesionistët hiqen nga puna për bindje politike” - deklaroi Pack.

 Ajo përgëzoi lidershipin e PD-së për manifestimet paqësore dhe shprehu bindjen se në kushtet aktuale ku ndodhet Shqipëria, krijimi i Qeverisë Teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet zgjidhja e vetme.

Pack përshëndeti kërkesën për zgjidhjen e situatës me ndihmën e Partisë Popullore Europiane dhe shprehu besimin e plotë se Zv Presidenti i Parlamentit Europian McAllister si ndërmjetësi i duhur për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.‎

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë është anëtare e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane.‎

(Kosova Sot)