Skandali me qumështin godet sërish lidhjet e Shpend Ahmetit me Devollët

  • 25 April 2017 - 07:57
Skandali me qumështin godet sërish lidhjet e Shpend Ahmetit  me Devollët

Bazuar në të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2016 janë importuar 153,731.42 kg qumësht pluhur!

Ndonëse sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë vlerësohet se prodhohen 300 milionë litra qumësht në vit nga 180 mijë lopë qumështore, shifrat e rezervuara nga importi i qumështit pluhur janë alarmante. Disa e arsyetojnë me kërkesat e prodhimeve të ndryshme si ëmbëlsirat e keksët, megjithatë fermerët dhe ekspertët thonë se ka qumësht të mjaftueshëm, por me import të qumështit pluhur kompanitë po e sfidojnë (ulin) çmimin e pagesë së qumështit ditor, sikurse edhe pagesat me kohë në pikat grumbulluese. Prodhuesi më i madh i qumështit në Kosovë është kompania "Vita", që është në pronësi të vëllezërve Devolli, e cila thuhet se ka krijuar monopol, duke e rrëzuar çmimin e qumështit të freskët. Analistët thonë se është për t'u brengosur dhe shumë shqetësuese mostransparenca e krerëve të institucionit të Doganave dhe të AUVK-ut, që po i mbajnë sekretë emrat e firmave importuese të qumështit pluhur. Sipas tyre, kjo heshtje lë vend për dyshime të bazuara që këto dy institucione kanë krijuar lidhje të interesit me kompanitë e tilla importuese të qumështit pluhur.

Image

 

Dogana dhe AUVK-u, jotransparente

Sipas ekspertëve, mbetet shqetësues fakti se derisa prodhimi vendor i qumështit të freskët po rritet dhe në të njëjtën kohë po rritet edhe importi i qumështit pluhur. Bazuar në të dhë- nat zyrtare të Doganave të Kosovës për periudhën 1 janar 2016 deri më 31 dhjetor 2016, mësohet se janë importuar 153,731.42 kg qumësht pluhur me një kosto totale të importit në vlerën 331,240.78 euro. Por, zyrtarët e Doganave të Kosovës, sikurse edhe ata të AUVK-ut, nuk kanë treguar transparencë dhe të njëjtët nuk kanë treguar edhe të dhënat se nga cilat vende është importuar ai qumësht pluhur dhe cilat kompani e kanë importuar atë më së shumti. Me gjithë kontaktet e Gazetës përmes adresës elektronike, si edhe telefonatat e bëra me zëdhënësin e AUVK-ut, Lamir Thaçi, dhe drejtorin e Agjencisë, Valdet Gjinovci, prej të cilëve është kërkuar që të mësojnë për këto shifra, zyrtarët e tyre, Thaçi dhe Gjinovci, nuk kanë dhënë ndonjë shifër dhe punën që e bën AUVK-u në kontrollimin e cilësisë së qumështit pluhur që e importojnë kompanitë kosovare. Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të opozitës në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, por edhe analistë të ekonomisë, janë në dilemë se cila është e vërteta e qumështit kinse vendor që shitet në Kosovë, por që dyshohet se është i prodhuar nga qumështi pluhur nga përpunuesit e Qumështores "Vita" në Kosovë. Analistët dhe shoqëria civile me të drejtë e shtrojnë në diskutim çështjen se si dhe pse po mashtrohet konsumatori vendor me qumështin e prodhuar nga qumështi pluhur nga Çernobili i Ukrainës, që sigurisht nuk është bio. Dhe, shih për këtë po këta analistë, njohës të kësaj fushe dhe këshilltarë të opozitës, pyesin se sa po rrezikohen fëmijët në tërë Kosovën, por sidomos në komunën e Prishtinës, ku kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti, siç po quhet nga analistët "njeri i Devollëve", ua shpërndan në të gjitha çerdhet dhe shkollat këtë qumësht pluhur dhe që dyshohet si i rrezikshëm.

 

 

Këshilltarët komunalë në alarm

Këshilltari i Komunës së Prishtinës, Agim Gashi, udhëheqës i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, tha se nuk kishte besuar asnjëherë se mund të ketë lidhje të tilla në mes të një kryetari dhe subjektit të tij me biznese të dyshimta, siç po ndodh me Shpend Ahmetin dhe partinë e tij, sepse ata pikërisht e fituan Prishtinën duke e gënjyer elektoratin se "janë për ndryshime, se do ta ndryshojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës duke e kthyer atë në jetë të ëndrrave,"në parajsë". Këshilltari Gashi pyet se kush ka besuar se do t'u imponojnë nxënësve ushqim të njëllojtë çdo ditë dhe qumësht të prodhuar nga koncentrati. Kush ka besuar se do të provojnë që industrinë e ndërtimit ta monopolizojnë duke favorizuar një kompani e cila do të ndërtonte mbi dhjetë mijë apartamente - një qytet të tërë, kush ka besuar se Shpend Ahmeti nuk do bashkëpunonte fare me Kuvendin, se do bllokonte ndërmarrjet komunale, se do bënte shkelje ligjore në procedurat e shpenzimit të buxhetit, kush ka besuar se ai dhe qeveria e tij brenda mandatit të mos mund të stabilizoheshin në qeverisjen e kryeqytetit, kush ka besuar se nuk do ndërtojnë asnjë objekt shkollor dhe kush ka besuar në këtë nivel të keqmenaxhimit të Prishtinës....?". Ndërsa, këshilltari tjetër i opozitës, Flamur Shala (LDK), lidhur me dyshimet publike për qumështin pluhur të ardhur nga jashtë Kosove e për Prishtinën tha se duhet që të merren organet përkatëse.

Image

 

 

Importin e dyshimtë nuk ka kush e ndal

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci tha se qumështi pluhur, i cili është duke ardhur nga Çernobili i Ukrainës, me të vërtetë është rrezik për jetën e njeriut, duke e marrë parasysh që në Çernobil ka pasur rrezatime që edhe sot kanë efekt."Prandaj, institucionet doganore duhet që sa më parë të marrin masa për parandalimin e këtij qumështi pluhur në Kosovë, përmes korporatës "Devolli", pasi këtë qumësht pluhur e përziejnë me qumështin bio të lopës që e marrin nëpër fshatrat e Kosovës", tha ai. Grapci thotë se është për të ardhur keq se si njerëzit që janë në pushtet po i manipulojnë drejtorët, mësuesit edhe prindërit e fëmijëve që ta përdorin qumështin "Vita", duke e ditur që brenda asaj pakoje ka edhe qumësht pluhur nga Ukraina, i cili është kancerogjen dhe u bën dëm fëmijëve në shëndet."Por, derisa kjo Qeveri as vetë nuk është duke e zbatuar ligjin, ky produkt nga Ukraina, biznesmenët e inkriminuar dhe biznesmenët të cilët bëjnë pazare me bizneset serbe do të vazhdojnë me këtë invazion", potencoi ai. Analisti Grapci është i mendimit se, për t'u ndërprerë i gjithë ky skandal që po ndodh në Kosovë nga kompania "Devolli" dhe biznesmenë të tjerë, duhet që Kosova ta ndryshojë Qeverinë aktuale dhe ta krijojë një Qeveri të re, në të cilën besoj që do të hyjnë njerëzit që kanë moral dhe respekt, së pari për fëmijët dhe pastaj për qytetarët e vendit.

"Konsumatori" e kishte denoncuar skandalin

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') ka theksuar se 'Konsumatori' vite më parë e me vite rresht ka reaguar për importin 'ilegal' të 1.600 tonëve qumësht pluhur, shifra këto që thotë se i ka marrë në kanale interne në Dogana dhe të cilat kryesisht vijnë nga Çernobili i Ukrainës, nga i cili mund të prodhohen rreth 15 milionë litra qumësht."Askund, në asnjë produkt final në Kosovë nuk figuron prania e qumështit, i cili është importuar 'legalisht' . Ani se nga Komuna e Prishtinës organizata 'Konsumatori' dhe unë u konsultuam rreth derivateve kanceroze që helmonin fëmijët e nxënësit po kjo nuk ndodhi për zamrën e nxënësve, as lidhur me tatimet, as për tregjet, as për ujin, as për ngrohjen qendrore, as për energjinë elektrike, as lidhur me autobusët", u shpreh ai. Sipas Kaçanikut, po ky qumësht 'legalisht' kaloi kufirin e Doganën, por informatat fshihen nga qytetari konsumator taksapagues ."Për cilësinë e qumështit, kifleve, higjienën... Komuna e Prishtinës mbështetur në Inspektoratin Komunal jo të kompletuar e në AUVK-në me të cilën nuk bashkëpunon do t'i kishte informatat më të besueshme rreth cilë- sisë dhe sigurisë së ushqimeve që u servohen nxënësve e fëmijëve", u shpreh më tej ai. "Patëm reaguar edhe rreth formës së shitblerjes së mullirit në Xërxë, sepse na u duk e dyshimtë. As sot e kësaj dite nuk kemi përgjigje prej askujt. As nga infrastruktura e cilësisë e MTI-së, as e ministrive të tjera, e Bujqësisë, e Arsimit, e Shëndetësisë, e Punës", theksoi ai

Kompania mohon se përdor qumështin pluhur

Edhe përkundër faktit se gazetari për ditë të tëra u dërgon pyetje me shkrim pronarëve të qumështores "Vita", e që janë kompania "Devolli", ata nuk kthejnë as edhe një përgjigje për të shpjeguar akuzat se po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve me qumësht pluhur, me prejardhje edhe nga Çernobili i Ukrainës. Ndërkaq, ditën e hënë është botuar një komunikatë nga kjo kompani në portalet që kryesisht financohen nga Devollët, ku thuhet se "e sigurojmë konsumatorin kosovar që qumështi dhe të gjitha produktet e tij janë 100 për qind nga qumështi."

(Kosova Sot)