Drejtësia e kapur amniston pushtetarët

  • 25 April 2017 - 07:52
Drejtësia e kapur amniston pushtetarët

Të korruptuarit po i shpëtojnë ndëshkimit

Bazuar në dispozitat ligjore, posaçërisht Kodin e procedurës penale, organet e ndjekjes penale dhe ato të tjera të drejtësisë janë të obliguara që të bashkëpunojnë ndërmjet tyre në të gjitha rastet kur shkelet ligji. Por, praktika ka treguar se kjo nuk ndodh mjaftueshëm, ngase ka një diskrepancë në mes të asaj çfarë është e paraparë me dispozitat ligjore dhe asaj se sa zbatohet në praktikë. Andaj, analistë dhe njohjes të fushës së drejtësisë e shtrojnë dilemën e tyre se ndonjëherë ka edhe neglizhencë, kur janë në pyetje ndoshta të ashtuquajturat fytyra të mëdha publike. Por, për këtë dhe atë se si e shohin ata bashkëpunimin në mes të organeve të drejtësisë, për të dërguar mbase prapa grilave të gjithë të dyshuarit për korrupsion e krim, përfshirë kryeministra, ministra të Qeverisë apo edhe kryetarë komunash pa dallim, flet shkrimi në vijim. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se një bashkëpunim negativ duket se ekziston, pasi drejtësia po hesht, derisa, sipas tij, as korrupsioni kaq i lartë nuk do të kishte ndodhur po të kishte një bashkëpunim dhe koordinim ligjor. "Por, derisa hallka e drejtësisë ka rënë kaq poshtë, as të mos presim se ministra e zëvendësministra, zyrtar komunalë e staf civil do të burgosen, pasi një rrjet zinxhiror është shtrirë kudo, e të cilët e mbështesin njeritjetrin. Ndërsa në anën tjetër, sot kemi afera të mëdha publike, por drejtësia nuk vepron, pastaj shkrime e analiza në shtyp dhe askush nuk shqetësohet sikurse edhe akuza të rënda në mes të zyrtarëve të lartë shtetërorë, por prokuroria dhe drejtësia bëhen të shurdhër, në anën tjetër grupet mafioze kanë futur çdo gjë nën kontroll, andaj kemi këtë gjendje, e cila është e pashpresë", tha ai.

 

 

Zyrtarët e lartë, shkelësit më të mëdhenj

Sipas Dibranit, sikur vendet e BE-së dhe amerikanët të bënin trysni, sigurisht se gjendja nuk do të ishte kaq e zymtë. "E kjo zymtësi vjen për shkak se nuk ka bashkëpunim në mes të organeve të drejtësisë, policisë dhe zyrtarëve shtetërorë, por edhe drejtësia është e pafuqishme për të çuar në burg të gjithë zyrtarët e korruptuar, ku një zinxhir i tërë me ministra të Qeverisë dhe kryetarë komunash janë aq shumë të korruptuar sa mendja nuk e përthekon. Prandaj, zyrtarët e drejtësisë si duket vetë janë të zhytur në këto afera, prandaj edhe sabotohen rastet ku janë të përfshirë bizneset e lidhura me pushtetin, e që kontrollohen dhe paguhen nga mafiooligarkët e politikës dhe të bizneseve të pista", u shpreh ai. Sipas tij, drejtësia në Kosovë mund të përmirësohet vetëm me një vullnet politik dhe me vendosmërinë e këmbëngulësinë e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë për të bërë ndryshime. Analisti tjetër, Naim Kelmendi, thotë se gjithë këto vite sistemi i drejtësisë nuk ka denjuar që të gjykojë dhe hetojë pushtetarët e njerëzit e institucioneve, siç janë kryeministrat, ministrat, kryetarët e komunave e që me të vërtetë ka mjaft dëshmi se të njëjtit janë shkelësit më të mëdhenj të ligjit e drejtësisë në këtë vend, gjersa, sipas tij, këto i argumentojnë shumë afera të tyre publike për shkeljet ligjore, që i kanë bërë gjatë mandatit të tyre, por që më vonë janë heshtur në vazhdimësi nga drejtësia. "Prandaj, ky është treguesi më i mirë se drejtësia nuk ekziston për këto kategori në krye të institucioneve të shtetit dhe njëherësh është treguesi më i mirë se këta kanë qëndruar gjithmonë mbi ligjin dhe të paprekur në asnjë rast nga ligji", u shpreh ai. 

Image

 

Drejtësia po bën fare pak

Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu', ka ritheksuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk po luftohen mjaftueshëm dhe sa duhet brenda sistemit të drejtësisë dhe përderisa mungon një veprim i tillë, atëherë nuk mund të pritet që edhe besimi qytetar të ngritet tek sistemi i drejtë- sisë. Andaj së këndejmi, sipas tij, duhet të ketë më shumë hetime të mirëfillta dhe njëkohësisht edhe të ndërmerren masa ndaj të gjithë atyre individëve që janë të korruptuar dhe kanë rënë ndesh me ligjin pa dallim se kush mund të jenë ata apo çfarë pozite bartin në shoqëri. "Por në këtë drejtim nuk po bëhet aq sa duhet ngase kemi fare pak raste të iniciuara ndaj gjyqtarëve e prokurorëve si të dyshuar për vepra penale, qoftë të krimit apo korrupsionit, derisa edhe ato pak raste, të cilat nisin të hetohen brenda sistemit, po përfundojnë me epilog jo të dëshirueshëm, pra jo me dënim meritor", tha ai. "Konsideroj se fillimisht duhet që të pastrohet sistemi për brenda nga ata persona, që janë të përzier me krimin dhe tek pastaj ky sistem mund të jetë i gatshëm që të fillojë ta luftojë krimin dhe korrupsionin edhe jashtë tij, pra në çdo sferë tjetër shoqërore apo institucionale", spikati për gazetën "Kosova Sot" Arton Demhasaj, nga organizata 'Çohu'.

Rastet e ndjeshme neglizhohen qëllimshëm

Avokati Emrush Kastrati ka nënvizuar se në shikim të parë shihet se në pajtim me dispozitat ligjore, organet e ndjekjes penale kanë bashkëpunim ndërmjet tyre, megjithatë nuk do të thotë se ndonjëherë ka neglizhencë kur janë në pyetje ndoshta të ashtuquajturat fytyra të mëdha publike. "Këto procese i shtyjnë përpara palët, të cilat janë të dëmtuara me ankesat dhe parashtresat e tyre tek organet dhe kështu që edhe nëse organet e ndjekjes penale në një mënyrë apo tjetrën hezitojnë të ndjekin ndonjë nga personat e lartë zyrtarë, atëherë pala e cila është e dëmtuar e vënë në lëvizje gjithsesi organin e ndjekjes penale, pra hetuesinë dhe prokurorinë dhe e dërgon deri në gjykatë. Përndryshe nuk kisha thënë se ka një neglizhencë në mes tyre, për shkak se prokuroria i heton të gjitha rastet që bëhen si afera publike kështu në përgjithësi me aq sa kam un informacione, por pavarësisht prej kësaj nëse gjen elemente e vazhdon nëse jo e mbyll rastin", potencoi për gazetën "Kosova Sot" avokati Emrash Kastrati. Avokati tjetër, Tomë Gashi, ka veçuar se në bazë të dispozitave ligjore, posaçërisht Kodit të procedurës penale, të gjitha organet shtetërore qofshin ato të nivelit lokal apo të atij qendror janë të obliguara që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë dhe kjo është e rregulluar me ligj. "Mosbashkëpunimi me organe të drejtësisë ka pasoja, kështu që janë të detyruar që të japin çdo informatë që prokuroria apo gjykata e kërkon", potencoi Gashi.

(Kosova Sot)