Serbia kundër Perëndimit, çon ushtarë përkrah Rusisë në Siri

  • 25 April 2017 - 18:55
Serbia kundër Perëndimit, çon ushtarë përkrah Rusisë në Siri

Serbia edhe një herë po tregon se realisht është e pozicionuar përkrah Rusisë, ndërsa me Perëndimin vetëm bëhet sikur është në anën e tyre.

Pas një takimi që kanë zhvilluar ministrat e mbrojtes së Rusisë dhe Serbisë, është bërë e ditur se kjo e fundit ka shprehur gatishmëri që të mbështesë të gjitha nismat ushtarake të Rusisë, duke përfshirë edhe atë në Siri, ku rusët po ndihmojnë regjimin diktatorial të presidentit Bashar Al-Asad.

Ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Djordjevic, pas takimit me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, ka thënë se Serbia dëshiron të marr pjesë bashkërisht me rusët në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.

Shoigu, duke folur me Djordjevic tha se Moska dhe Beogradi konfirmuan interesat e përbashkëta të zhvillimit dhe bashkëpunimit në sferën ushtarake.

Sipas ministrit rus, Rusia e sheh Serbinë si një partner i besueshëm, të provuar që mund të kontribuojë në parimet themelore të sigurisë ndërkombëtare.

Duhet theksuar se Serbia, kohëve të fundit ka blerë gjashtë aeroplan ushtarak nga Rusia, të cilët do të detyrohet t’i sjellë në vend të vetin me anije, pasi NATO ja ka ndaluar që ata të fluturojnë në hapsirën ajrore të shteteve anëtare të Aleancës Veriatlantike.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dallim nga Rusia, sa i përket Sirisë, janë të pozicionuara kundër diktatorit Asad. Javë më parë pas sumit me helm kimik ku u vra një numër i fëmijëve, SHBA bombardoi bazat arjrore të ushtrisë siriane.

(Kosova Sot)