Hashim Erdogani

  • 28 April 2017 - 08:20
Hashim Erdogani

Presidenti ndjek modelin autoritar të Lindjes,shkruan gazeta Kosova Sot.

Draft-ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përmes të cilit shpifja dhe fyerja janë cilësuar si vepra penale të dënueshme deri në 3, respektivisht 5 vjet burgim, po shihet si prirje për autoritarizëm në Kosovë nga analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, ngase kjo shkel, veç të tjerash, thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut. Ndaj, është shtruar edhe çështja se a po ndodhin edhe ndryshimet e "porositura" të Kodit Penal, me kërkesën e presidentit Thaçi për llogari të politikës dhe mafio- oligarkisë dhe a po e imiton Hashim Thaçi Erdoganin në totalitarizmin e tij, meqë ndryshimet e Kodit nuk bëhen për interesa të qytetarëve, por vetëm të pushtetarëve dhe mafiooligarkëve? Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK- ja, Adem Salihaj, në një prononcim për Gazetën "Kosova Sot", ka thënë se drejtësia kosovare kontrollohet në masë të madhe nga mafio- politika dhe i shërben asaj, derisa, sipas tij, mafio- politika është e lidhur me mafio- oligarkët dhe të gjithë këta së bashku e keqpërdorin pushtetin politik dhe ekonomik për ta zhvatur në lloj- lloj formash buxhetin e Kosovës. "Kjo më së miri u pa tek PTK-ja dhe aktgjykimet e Gjykatës së Arbitrazhit. Nuk është e rastit që këto skandale lidhen me PTK-në, sepse aty është e koncentruar mafia e SHIK-ut dhe aty ka qenë mundësia më e madhe e vjedhjes së dhjetëra apo qindra miliona eurove. Ndërsa, nisma e Thaçit për ndryshimin e Kodit Penal lidhet drejtpërdrejt me fatin e tij personal. Duke marrë parasysh se sulmet janë të drejtuara drejt Thaçit si njeri mafioz dhe i korruptuar, atëherë ai po mundohet të gjejë mënyra që të jetë i paprekshëm dhe të sundojë i qetë bashkë me gjithë mafinë politike, e cila është e koncentruar në partinë e tij", u shpreh deputeti Salihaj.

Cenimi i lirisë së shprehjes

Analisti Naim Kelmendi thotë se mbase edhe drejtësia kosovare përbën një ekzemplar të veçantë në shërbim të interesave të oligarkëve politikë, duke bërë në të shumtën edhe "avokatinë"e bizneseve të pista e të inkriminuara, por edhe të interesave të mafio-oligarkisë, kështu që, siç tha, edhe mëtimi i ndryshimeve të Kodit Penal me kërkesën e Thaçit shkon thjesht për llogari të interesave të politikës dhe të mafio-oligarkisë, e ku me këtë ndryshim fyerja do të konsiderohet vepër penale dhe e dënueshme deri në pesë vjet burg."Kështu vjen deri te cenimi i lirisë së fjalës, e që kjo çon drejt forcimit të autokracisë, sikur te modeli 'Erdogan', duke e mbytur kështu parimin demokratik të mendimit dhe fjalës së lirë, pra që ky ndryshim sipas tendencës së Hashim Thaçit s'ka të bëjë asgjë me interesat e qytetarëve, por vetëm me interesat e pushtetarëve dhe mafio- oligarkëve, gjersa kjo tregon se këta pushtetarë në krye edhe me Hashim Thaçin duan sa më shumë pushtet për vete dhe duke i kthyer kështu edhe ligjet në interesa të këtij pushteti për të qenë sa më të gjithëpushtetshëm. Kjo zaten i shkon në llogari (pa) drejtësisë dhe mospërfilljes së shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit e të cilin shtet ligjor këta pushtetarët e kanë bërë 'llastik' në shërbim të interesave të veta politike", theksoi për Gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. 

Mediet në rrezik

Avokati Tomë Gashi ka konsideruar se absolutisht kjo është jodemokratike, ngase, siç tha, ne do të ktheheshim në kohët të cilat i kemi kaluar, për të mos thënë kohë të diktaturave, por do të kthehemi në kohë ku demokracia dhe liria e shprehjes do të ishte vetëm ëndërr. Ai shton se me siguri që të gjithë e dinë, por edhe Ministria e Drejtësisë dhe ky këshill, i cili është duke punuar në emër të MD-së për ndryshimin e Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale që ne shpifjen dhe fyerjen si vepra penale i kemi pasur deri më 1 janar të vitit 2013 dhe të gjitha këto janë hequr nga Kodi Penal, që askush mos të mos kërcënohet me dënime me burg për to. Sipas tij, shpifja edhe fyerja është e siguruar me padi civile, që do të thotë se secili person që ndihet i fyer apo që konsideron se është shpifur për të ka të drejtë që të paraqesë padi civile në gjykata të rregullta. "Ndërsa tentimi për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë shtetërorë, prej presidentit, zyrtarëve të Qeverisë apo kësaj të fundit, në përgjithësi i bie që kërcënohen me sanksionim, nëse dikush e thotë shpeshherë të vërtetën, nëse ata kritikohen, sepse posaçërisht mediet dhe gazetarët do të kenë probleme jashtëzakonisht të mëdha nëse kjo eventualisht aprovohet, por unë besoj se nuk do të aprovohet, sepse si do ta kryejnë gazetarët punën e vet dhe si do të mundet secili që pretendon se ka të drejtë të kritikojë Qeverinë dhe zyrtarët e lartë shtetërorë për shkak të mospunës së tyre apo për çfarëdolloj lëshimesh që i bëjnë, si do të mund t'i kritikojë ata që të përmirësohen dhe që të jenë përgjegjës në punën e tyre. Përndryshe, as teorikisht kjo nuk mund të kalojë, sepse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do ta aprovojnë këtë, meqenëse atëherë do të ishin vetëm ata të privilegjuar që ta kritikojnë presidentin, Qeverinë dhe faktikisht vetveten anëtarët e Parlamentit të Kosovës, sepse ata kanë imunitet nga ndjekja penale për shkak të punës së tyre", u shpreh ai.

Propozim arkaik dhe antidemokratik

Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka vlerësuar se një propozim i tillë është demode dhe është një ingranim i tejkaluar dhe antidemokratik, është arkaik. "Nuk mund të kërkohet që qytetari dhe as mediet, pra personi fizik e juridik dhe mediet të jenë korrekte në zhargonin dhe sjelljen e tyre dhe komunikimin me institucione, pra të mos i fyejnë pa e rregulluar edhe materien dhe pa e marrë përgjegjësinë dhe obligimin edhe vetë institucionet që nuk do t'i fyejnë qytetarët e tyre. Pra, nëse kemi një propozim të tillë do duhej rregulluar dyanshmërisht edhe bartësit e institucioneve, që të mos i fyejnë, mos i nënçmojnë, mos i ofendojnë qytetarët", spikati për Gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu. Analisti politik, Fadil Lepaja në këtë drejtim ka ironizuar me motivet e propozuesit të ligjit në fjalë, duke i akuzuar ata se po tregojnë prirje për autoritarizëm në Kosovë. " Kështu, ata që janë shtetas të vendeve evropiane, munden që ta thonë të vërtetën lirshëm, ndërkohë që ne të cilët jetojmë në Kosovë mundemi që me të njëjtën gjë t'i ofendojmë liderët institucionalë dhe që të përfundojmë në burg. Edhe komunizmi s'ka bërë asgjë më shumë. Thjesht, të vërtetën tënde e ka konsideruar si ofendim për udhëheqësit dhe institucionet e pagabueshme të asaj kohe. Historia e njerëzimit ka dëshmuar se kufizimi i shprehjes së lirë, duke mitizuar individët, institucionet apo simbolet është kufizim i lirisë së shprehjes", potencoi për Gazetën "Kosova Sot" analisti politik Fadil Lepaja. 

Reagon ashpër BE-ja dhe shoqëria civile

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së është brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e për të plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen. "Kjo është në kundërshtim me trendët ndërkombëtarë të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet e tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim. Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet. BEja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane", thuhet në reagim. Edhe organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë fuqishëm draftligjin e hartuar të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas tyre, draftligji i propozuar shkel thellësisht parimet fundamentale të një shteti demokratik, ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut. Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë, që të kriminalizojë lirinë e shprehjes, përbën një hap drejt autoritarizimit të Kosovës. 

(Kosova Sot)