Shqiptari që habiti policinë, bleu telefon të vjedhur, por...

  • 29 April 2017 - 17:40
Shqiptari që habiti policinë, bleu telefon të vjedhur, por...

Ndini Tavani ka 13 vjet në detyrë, por ai thotë se kurrë në punën e tij si prokuror nuk është ndeshur me një rast të tillë.

Veprimi që e ka habitur atë, por edhe efektivët e policisë është kallëzimi i shtetasit Shkëlqim Aruçi, i cili pasi i ka blerë një telefon të vjedhur një hajduti e ka dorëzuar atë pranë autoriteteve. 

Arsyeja është se ai kërkon që telefoni i vjedhur t’i kthehet pronarit. 46-vjeçari nga Kruja tregon për Top Channel edhe një tjetër arsye më të fortë pse u shty nga dëshira për të ndihmuar pronarin e vërtetë të aparatit.

“Vajzës time i vodhën telefonin para ca kohësh. Ajo kallzoi dhe para ca kohësh na telefonoi policia dhe na tha që të vinte të merrte telefonin. Këtë mendova edhe unë kur e bleva telefonin”, thotë ai.

Po përse gjatë blerjes së aparatit  të vjedhur 46-vjeçari nuk njoftoi menjëherë policinë në mënyrë që hajduti të përfundonte në qeli?

“Këtë pyetje ma bënë edhe në polici. E para isha me nxitim. Ai më doli tek Medreseja dhe duhet të ishte i droguar rreth 15-16 vjeç. Më tha do telefon? I thashë sa është? 20, më tha. Unë i thashë ma jep 10 dhe ai ma dha dhe ika  pastaj”, rrëfen ai për "Top Channel".
 
Pasi ka regjistruar dosjen për vjedhje, prokurori Tavani është jo vetëm në kërkim të hajdutit, por edhe të pronarit. Në pritje të zbardhjes së këtij fakti, Aruçi mendon se gjesti i tij do të lumturojë dikë.

(Kosova Sot)