Përshkallëzohet dhuna në Brazil, aktivistët grevë kundër reformave të Presidentit

  • 29 April 2017 - 23:22
Përshkallëzohet dhuna në Brazil, aktivistët grevë kundër reformave të Presidentit

Brazili është përfshirë nga dhuna, ndërkohë që në vend, mori fund edhe greva e parë e përgjithshme në më shumë se 20 vjet.

Autobusë, makina e blloqe rrugore janë vënë në flakë nga aktivistët, të cilët gjithashtu vandalizuan edhe dyqanet përreth.

Për pjesën më të madhe të ditës, greva e tyre mbajti tone kryesisht paqësore. Por, shumë njerëz qëndruan në shtëpi dhe shkollat, dyqanet e bankat u mbyllën përqark gjithë vendit.

Sindikatat e organizuan këtë grevë në shenjë proteste ndaj reformave të propozuara lidhur me pensionet.

Presidenti, Michel Temer, u shpreh i penduar për incidentet në Rio, por ai theksoi se do të vijonte përpjekjet për modernizimin e vendit.

Sipas tij, punëtorët brazilianë dhe qeveria po punojnë së bashku që vendi të dalë nga recesioni më i keq në histori.

Por Sindikatat e punëtorëve thonë se më të varfrit në Brazil do të mbajnë mbi shpatulla koston e këtyre ndryshimeve, të cilat përfshijnë edhe rritjen e moshës së daljes në pension dhe reduktimin e përfitimeve.

Sakaq, qeveria argumenton se masat janë të nevojshme për të shmangur një kolaps në sistemin e pensioneve.

Efektet e grevës janë ndjerë në mbarë vendin, por sipas qeverisë, kjo nuk do të ndikojë aspak në realizimin e reformave.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti Temer fitoi një votim parlamentar në mbështetje të reformave të tij, me një diferencë të qartë.

(Kosova Sot)