Meta: Dy partitë e mëdha kërkuan asgjësimin e LSI-së, me Vasilin do arrijmë sukses të paimagjinuar

  • 30 April 2017 - 12:36
Meta: Dy partitë e mëdha kërkuan asgjësimin e LSI-së, me Vasilin do arrijmë sukses të paimagjinuar

Në mbledhjen e komitetit Drejtues të LSI-së, ilir Meta u ndal në rolin që ka partia e drejtuar prej tij në stabilitetin e vendit.

Meta ka kujtuar themelimin e partisë si dhe rolin që ka tashmë kjo parti. "Ka qenë një sakrificë të paimagjinueshme jo vetëm për mua, por për të gjithë ju, si Petrit Vasilin, Erisa Xhixhon që atëherë ishte 17-vjeç. Në LSI të rinjtë dhe të rejat e gjejnë vetën si në asnjë vend tjetër. Kam dëgjuar se çdo të bëhet me LSI? Në këtë drejtim jam i qetë sepse e di që kjo forcë politike që është ndeshur me beteja të paimagjinueshme që në fillimet e saj, ka kaluar prova që do të kishin asgjësuar edhe forca më të mëdha politike. Sot kur është më e fortë se kurrë, kur ka një lidership të sprovuar, jam i bindur se do të ketë një rritje të jashtëzakonshme në interes të stabilitetit, demokracisë dhe natyrisht edhe në shërbim të mirëqeverisjes së vendit për t'u ofruar të gjithë qytetarëve një shans më të mirë. LSI nuk është krijuar si një parti pushteti, u krijua si reaksion kundër pushtetit arrogant, autoritar dhe harbut. Në vetëm pak muaj, në një betejë çnjerëzore kundër saj mori 120 mijë vota pa numërues, pa komisionerë,dhe duhet të kishte marrë 13-14 mandate nëse dy partitë kryesore nuk do kishin bërë super-Dushkun e turpshëm i cili u bë për të dëmtuar LSI-në. U ndryshua kushtetuta për të asgjësuar LSI-në, por ja që LSI jo vetëm nuk u asgjësua, por arriti të qëndrojë dhe të kthehet në faktor stabiliteti për vendin, integrimin e mjaft sfida të tjera.", tha ai. Teksa ka informuar anëtarët e Komitetit për lëvizjen e fundit, ai ka prezantuar kryetarin e ri të LSI-së. "Me Petrit Vasilin në krye, LSI do të njohë vetëm rritje. T’i japim shans Vasilit të jetë njësh i LSI, me përkrahjen tuaj mund të bëhet edhe njësh i Qeverisë. Bëj shaka, ju e zgjidhni vetë kë doni kryeministër”, u shpreh Meta.

(Kosova Sot)