Jo e tërë Prishtina furnizohet 24 orë me ujë

  • 30 April 2017 - 14:59
Jo e tërë Prishtina furnizohet 24 orë me ujë

Edhe pas lëshimit në funksion të Fabrikës së përpunimit të ujit në Shkabaj, banorët e kryeqytetit ende po përballen me reduktime të ujit të pijshëm.

Por, me këto reduktime sipas Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” po përballen vetëm disa pika të larta të qytetit.

Arberie Zogjani-Hiseni, zëdhënëse e KUR “Prishtina” tregon se banorët që po përballen me vështirësi në furnizim janë ata që banojnë në rrugët “Ulqini” në lagjen Vreshtat, rr. “Gjergj Balsha” në lagjen Arbëri, një  pjesë e Zllatarit dhe një pjesë e Kodrës së Trimave.

Ndërsa, sipas zëdhënëses, të gjitha lagjet e tjera në Prishtinë kanë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm.

Mirëpo, për mungesë uji ankohet Sherife Gashi, e cila jeton në lagjen Velania. Ajo thotë se nuk ka 24 orë ujë siç është premtuar, se uji shpesh ndalet porse reduktimet nuk janë si më herët.

Zëdhënësja theksoi se kompania po përpiqet që me investime shtesë, duke vendosur pompa shtytëse, të sigurojë furnizimin 24-orësh me ujë edhe të këtyre pikave të larta.

Reduktimet, sipas saj, në këto pika bëhen kryesisht gjatë natës por mund të ndodhë të ketë ndonjë reduktim për shkak të intervenimeve në rrjet edhe gjatë ditës.

E për mungesë uji ankohet edhe Blerta Bekteshi, e cila jeton në lagjen Mati, raporton kallxo.com

Ajo thotë se po kanë ndërprerje këtyre ditëve për shkak të disa punimeve në rrugë. “Por, ujë 24 orë shpesh nuk ka”, thotë ajo.

Më 17 mars të këtij viti është bërë përurimi i Fabrikës së përpunimit të ujit në Shkabaj, e cila ka kapacitet të furnizojë me ujë Prishtinën, Fushë-Kosovën dhe Obiliqin.

Për ndërtimin e kësaj fabrike janë investuar 35 milionë euro. Këto mjete janë siguruar nga Qeveria Gjermane dhe Komisioni Europian përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW), Qeveria e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe KUR ”Prishtina”.

(Kosova Sot)