Qytetarët t'i ndëshkojnë bandat e politikës

  • 16 May 2017 - 08:03
Qytetarët t'i ndëshkojnë bandat e politikës

ZGJEDHJET, NJË TEST I RËNDËSISHËM PËR DEKRIMINALIZIMIN

Vota të shkojë vetëm për kandidatët e pastër

Me votën e tyre të lirë, qytetarët, përveçse mund të largojnë të inkriminuarit nga skena politike, mund të ripërtërijnë Kuvendin me deputetë të rinj në vend të"veteranëve" të pesë legjislaturave të kaluara, si dhe largimin e "urithëve" të nëntokave politike nga të gjitha subjektet politike, pa dallim, pushtet apo opozitë, të njohur mirë në opinionin publik si vegla të grupeve kriminale në shërbim të oligarkëve ekonomikë dhe politikë", tha Florim Zeqa

Koha kur Kosova ka hyrë në një proces të ri zgjedhor, duke lënë mbrapa gati një dekadë të plotë të funksionimit të shtetit në pavarësi, por pa rezultate të dukshme në përmirësimin e jetës së qytetarit, sipas analistëve politikë, është një moment kyç kur qytetari duhet ta ndëshkojë pamëshirshëm këtë klasë politike. Sipas analistëve, është koha që vetë qytetarët ta bëjnë diferencimin e duhur në procesin e ri zgjedhor që kanë përpara, duke i ndëshkuar dhe duke mos votuar ata që mashtruan për disa mandate rresht, të mos i votojnë oligarkët, të inkriminuarit dhe injorantët, të gjithë ata që iu njihet e kaluara e tyre e inkriminuar dhe do ta dëmtojnë edhe në të ardhmen perspektivën e qytetarit dhe interesat nacionale të shtetit që nuk po e bëjmë dot me këtë klasë politike, si në pozite ashtu edhe në opozitë. Analisti politik, Faton Mehmeti thotë se është koha e fundit që qytetarët të zgjohen për të ndëshkuar të gjithë ata që i sollën dëme këtij populli të stërvuajtur, që 18 vjet me gënjeshtra dhe manipulime, është koha që të votojnë qytetarët e jo militantët, pasi populli pothuajse sikur nuk ka votuar si i tërë asnjëherë deri më tash. "Fatkeqësia qëndron se jo vetëm një parti, por e tërë skena politike në Kosovë është e kriminalizuar, prandaj vështirë të priten ditë të mbara për këtë popull. Gjithsesi klani " Pronto " dhe Devollët duhet ndëshkuar dhe të gjithë ata që kane lidhje me krimin. Kam përshtypje se në këto zgjedhje do të ketë një zgjim të vetëdijes qytetare, kjo do t'u shërbejë edhe në të ardhmen atyre që do të qeverisin se populli më nuk është i fjetur dhe se populli po i vëzhgon. Është fatkeqësi që edhe në këto zgjedhje mund të kandidojnë individë me të kaluar kriminale, individë që janë në konflikt me ligjin, por që mbrohen nga politika", theksoi Mehmeti.

Koha për hakmarrjen popullore

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se skena politike e Kosovës, që pas shpalljes së shtetit të pavarur dhe sovran, është degraduar jashtëzakonisht shumë, prandaj është koha e rikthimit të saj me votë dhe me ndëshkim ligjor, në binarët e ligjërisë. "Ne jemi dëshmitarë të klanit "Pronto", ku kanë qenë të përfshirë në atë klan pothuajse e tërë nomenklatura politike e PDK-së. Një klan i tillë pa masa penale kurrë nuk çrrënjoset dhe ai jeton edhe më tutje dhe këndej marrin shembull edhe të tjerët dhe i krijojnë klanet e tjera, sikurse është rasti me korporatën "Devolli", që ka arritur dy parti mjaft domethënëse t'i kriminalizoje. Lidhja e PDK -së dhe e VV me këtë nomenklaturë politike e ka zhveshur tërësisht skenën politike dhe ka krijuar pabesi te politika e Kosovës", tha Kelmendi. Ai thotë se në gjendjen e krijuar kësisoj është shumë vështirë që me votë të ndalet klani i tillë apo të spastrohen organet, qoftë në subjektet politike, qoftë në institucionet e shtetit. Vlerësimin se skena politike e Kosovës është shumë e degraduar dhe duhet të pastrohet e ndëshkohet nga votuesi, e ndanë edhe analisti politik Reshat Badallaj. "Popullit i ka ardhur rasti t'i hakmerret me votë kësaj bande politikanësh që nuk punuan për interesa të qytetarëve dhe vendit, por u pasuruan duke vjedhur vendin dhe popullin deri në palcë. Tashmë publikisht po dihen kriminelët, hajnat,oligarkët, injorantët që punuan prapa kurrizit të popullit,sepse në zgjedhjet e fundit i mashtruan, i gënjyen dhe i blenë me para votat e tyre dhe në fund, përpos që i tradhtuan, ata i lanë me gisht në gojë dhe kur u mbështetën për muri ia mësyn rrugëve të Evropës, duke vdekur maleve të mbuluara me borë dhe acar", tha Badallaj. 

Mafio-politika, armike e drejtësisë

Sipas Reshat Badallajt, populli, para se të votojë, duhet t'i hedhë në sitë të gjithë ata që prezantohen në listën zgjedhore. "Këtë duhet ta bëjë, sepse përpos klanit mafiozo-oligark "Pronto", janë të fuqishme edhe bandat politike të opozitës, janë të njëjtët banditë. Shikoni tani nuk përmendet as shitja e tokës Malit të Zi, e as "Zajednica". Qëllimi kryesor i kësaj bande mafioze të nëntokës është se si të vijnë në pushtet. Shikoni sa të fuqishëm janë këto klane mafioze të nëntokës kriminale saqë kush e ka menduar se kaq lehtë do të shitet dhe do të bjerë në grackën e bandës serbomafioze, edhe Shpend Ahmeti dhe kompania e tij", potencoi Badallaj. Ndërsa prof. Riza Smaka konsideron se degradimi dhe kriminalizimi ka ndodhur më së shumti te subjektet politike që kohë të gjatë ishin në pushtet. "Qeveria tanimë në dorëheqje nga fillimi ishte indiferente për të ushtruar funksione në të mirë të ligjë- sisë e të drejtësisë në vend. Qeveria në fjalë pothuajse erdhi në pushtet me premtime boshe, të cilat rrjedhimisht i injoroi irritueshëm", u shpreh ai. "Premtimet zgjedhore ajo i nëpërkëmbi e me atë edhe vullnetin politik të shprehur me besimin e votës së dhënë. Premtimi publik obligon politikisht, juridikisht e mbi të gjitha moralisht. Në shtetet e së drejtës ndëshkohen gënjeshtrat publike të kualifikuara si premtime imagjinare e mashtruese", tha Riza Smaka.

Largimi i të inkriminuarve, i domosdoshëm

Edhe analisti Florim Zeqa pohon se degradimi i skajshëm i skenës politike kosovare duhet të jetë indikator i mjaftueshëm për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, për të bërë me votë diferencimin e nevojshëm të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ngase jo të gjithë të propozuarit e meritojnë të ulen në kërrigën e deputetit. "Është në dorën e qytetarëve, që me votën e tyre të lirë t'i ndëshkojnë ata që i mashtruan për disa mandate rresht. Qytetarët, me mosvotimin e oligarkëve të pushtetit dhe të inkriminuarve nga nëntoka kriminale partiake, përveç ndryshimit të nevojshëm mund të hapin një perspektivë të re për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe një kapitull të ri për mbrojtjen e interesave nacionale të shtetit të Kosovës", është shprehur ai. "Me votën e tyre të lirë, qytetarët, përveçse mund të largojnë të inkriminuarit nga skena politike, mund të ripërtërijnë Kuvendin me deputetë të rinj në vend të"veteranëve" të pesë legjislaturave të kaluara, si dhe largimin e "urithëve" të nëntokave politike nga të gjitha subjektet politike, pa dallim pushtet apo opozitë, të njohur mirë në opinionin publik si vegla të grupeve kriminale në shërbim të oligarkëve ekonomikë dhe politikë", tha Florim Zeqa. 

Shitblerja e votave ka nisur

Analisti politik Reshat Sahitaj është skeptik se edhe këto zgjedhje nuk do të ndryshojnë asgjë, përveç do bëhet rokadë dhe riciklim i personaliteteve politike. "Që nga tani kanë dalë në shitje votat dhe kontrabanduesit e votave, të cilët e kanê filluar shitjen e votave duke ia caktuar çmimin 20 euro për një votë ndërsa nëse i blini me shumicë çmimi ndryshon. Në këtë mes të kontrabanduesve të votave kemi edhe të tillë që e kanë filluar shitjen e një vote duke filluar nga 5 euro. Si mund të kemi ndryshim ku vota shitet ?", thotë ai. "Si mund të themi se do të ketë ndryshime, kur Shpend Ahmeti me ndihmën e Devollit ka mundësi të blejë vota sipas dëshirës, plus votave të tjera që i fiton në mënyrën normale. Ndryshimet bëhen vetëm kur kriminelët burgosen dhe u konfiskohet pasuria, në të kundërtën Kosova do të udhëhiqet nga politika mafioze të veshur në kravata", tha Reshat Sahitaj. Edhe politologu Gurakuq Kuqi mendon se qytetarët tani e dinë të keqen që i ka ndodhur e po i ndodh Kosovës. Por, ka një rrjet klientelizmi të votuesve dhe zona, të cilat mbahen nën kontroll nëpërmjet frikësimit. Ai thotë se edhe ata që janë pre e klientelizmit e pranojnë këtë, por nuk guxojnë ta ndryshojnë qasjen. "Andaj, diferencimi është i vështirë, por jo i pamundur. Sikur të ndryshonte sistemi zgjedhor me shumë zona elektorale, ndryshimi do të ishte i mundur, por kjo nuk u konvenon pushtetmbajtësve", potencoi Kuqi
 

(Kosova Sot)