Mehmeti:Target i hajnive të politikanëve ka mbetur edhe 'Trepça'

  • 19 May 2017 - 19:34
 Mehmeti:Target i hajnive të politikanëve ka mbetur edhe 'Trepça'

Analisti Faton Mehmeti konsideron se skena politike në Kosovë ndodhet në një katrahurë të paparë ndonjëherë, e cila po sjell konfigurime të koalicioneve konglomerat. "Demokracia e shëndoshë asnjëherë nuk arriti të jetë e tillë në Kosovë, ajo u pengua, u vra dhe po goditet çdo ditë. Si pasojë e saj edhe skena politike në vend vuan egot e pafundme të politikaneve të papërgjegjshëm.

Tanimë në Kosovë po ndodhin formime të koalicioneve të inateve, pa asnjë të përbashkët mes partive në koalicion, divergjenca të thella mes njëra-tjetrës, divergjenca në koncepte e në mentalitet dhe 'vizion'", theksoi ai. "Kaosi i krijuar gjatë koalicionit të fundit dhe pas mbarimit të saj është pasojë e vënies se interesave personale mbi ato kombëtare dhe shtetërore. Kjo klase politike ka shitur të gjithë pasuritë e këtij vendi, tani që ka mbetur edhe 'Trepça' po bëjnë turr që të vijnë në pushtet, pa pyetur se kush me kë, vetëm e vetëm që të shtojnë pasuritë e tyre me ca miliona. Prandaj, edhe është duke u zhvilluar betejë e madhe se si të vijnë në pushtet, me çdo kusht dhe çdo çmim", tha Faton Mehmeti. Ai thotë se këto zgjedhje me këtë mentalitet, përveç të rrezikshme, pritet të sjellin edhe institucione shumë jetëshkurtra. "Këto zgjedhje përbëjnë një rrezik të madh për qytetarët e vendit, nëse koalicioni i krahut të luftës 'e sheh' se s'po arrin fitore mund edhe të përdorin armët që të 'mbrojnë' pushtetin. Aq sa janë të rrezikshme këto koalicione gjatë zgjedhjeve janë edhe jetëshkurtër, pasi në substancë përbëjnë interesa të ngushta, miope dhe meskine, kështu që nuk pritet të çojnë mandatin e tyre deri në fund, kushdo që e fiton atë", tha analisti Mehmeti. 

Image

 

(Kosova Sot)