Kuqi:Qeveria e re mund të ketë dy vjetë jetë

  • 19 May 2017 - 20:23
 Kuqi:Qeveria e re mund të ketë dy vjetë jetë

"Qeveria që pritet të dalë pas këtyre zgjedhje mund të jetë më e parashikueshmja deri tani", edhe sipas analistit Gurakuq Kuqi, por brishtësia mund të jetë më e madhe në rast se pushtetin do ta merrte koalicioni rreth LDK-së dhe 'Vetëvendosjes'. "Kjo pasi LDK-ja ka subjekte krejtësisht joserioze dhe pa perspektivë, si AKR dhe Alternativa, ndërsa VV-ja do të ishte minuese e pushtetit, sepse synimi i tyre me çdo kusht është që të bëhet vetëm ajo që duan ata me çka do të ishte e papranueshme edhe për partnerët ndërkombëtarë dhe në fund të fundit edhe po të dilnin të parët kjo Qeveri mund të mos krijohet kurrë", ka thënë ai. "Koalicioni PDK-AAK-NISMA dhe të tjerët do të ishte më i qëndrueshëm për faktin se me kryeministër z. Haradinaj, për të cilin nëse lexohen raportet e kohës në qeverisjen e tij 100-ditore, e shohin si një katalizator pozitiv në shtyrjen e proceseve përpara dhe atëherë plotësimin e standardeve të UNMIKut dhe respektimin e komuniteteve pakicë", tha Kuqi për "Kosova Sot".

Sidoqoftë ai druan që do të jetë Gjykata Speciale ajo që mund të krijojë një lloj destabiliteti, por mbase jo edhe prishje të Qeverisë. "Gjykata Speciale sigurisht që mund të prodhojë krizë, por jo në masën e prishjes së Qeverisë, pasi numri i atyre që mund të merren nga kjo gjykatë nuk i prek kokat kryesore të koalicionit dhe se një pjesë e tyre janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Dhe, këtë koalicion dhe qeverisje mund ta bëjnë më jetëgjatë apo jetëshkurtër edhe kundërshtimet e mëdha të autoritetit të Veselit që po i has në publik dhe pafuqia e tij politike për ta marrë si i vetëm të parin e Qeverisë", u shpreh Kuqi. 
"Nuk përjashtohet mundësia që nëse Veseli brenda dy vjetësh merr fuqi të bëjë reprezalje për minim dhe zgjedhje të reja, por gjasat janë më të vogla", tha Gurakuq Kuqi

Image

 

(Kosova Sot)