Me bekimin e prokurorëve e gjyqtarëve, korrupsioni dhe krimi rriten pandalshëm

  • 22 May 2017 - 08:25
Me bekimin e prokurorëve e gjyqtarëve, korrupsioni dhe krimi rriten pandalshëm

Dibrani: Deri më sot nuk kemi pasur ndonjë përpjekje serioze për t'u ndalur korrupsioni dhe krimi i organizuar, shkruan gazeta Kosova Sot.
Korrupsioni, përveçse dukuri e zakonshme në Kosovë, dyshohet se është shndërruar në instrument të pasurimit të oligarkëve politikë, dhe një pjese të njerëzve të sistemit të drejtësisë (gjyqtarëve e prokurorëve), por edhe qeveritarëve të inkriminuar, kurse ndërhyrjet e politikës dhe korrupsioni i lartë në sistemin e drejtësisë e kanë kthyer atë në 'padrejtësi' për qytetarët. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, derisa sipas tyre është e pamundur që një sistem gjyqësor të luftojë korrupsionin dhe diçka që e pengon zhvillimin e shtetit, nëse ai vetë nuk është ngritur mbi bazat e shëndosha dhe ato patriotike të një vendi, por është ngritur vetëm si inercion apo pasqyrim i diçkaje. Ndaj është shtruar edhe çështja se a janë korrupsioni dhe ndërhyrjet politike problemet kryesore, të cilat drejtësinë e vendit e kanë kthyer në 'padrejtësi' për qytetarët, derisa është ngritur edhe çështja se a po i konvenon politikës kjo drejtësi e brishtë, ngase pushtetarët e kanë shumë më lehtë të bëjnë milionat përmes rrugëve korruptive e kriminale madje pa i prekur dhe pa u rrezikuar nga askush! Analisti Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se korrupsioni, përveçse dukuri e zakonshme në Kosovë, dyshohet se është shndërruar në instrument të pasurimit të oligarkëve politikë, dhe një pjese të njerëzve të sistemit të drejtësisë (gjyqtarëve e prokurorëve), por edhe qeveritarëve të inkriminuar, derisa sipas tij ndërhyrjet e politikës dhe korrupsioni i lartë në sistemin e drejtësisë, drejtësinë vendore e kanë kthyer në padrejtësi për qytetarët, me trafikimin e drejtësisë përmes rrugëve antiligjore. Tutje Zeqa shton se një drejtësi e brishtë, e ndërtuar në rrugë të mbrapshta përmes ndërhyrjeve të politikës dhe e kontrolluar në tërësi nga politika, është bërë strehë e sigurt e veprave kriminale dhe aferave të mëdha korruptive. "Po ndodh pikërisht kështu, sepse pas kaq viteve të pavarësimit të vendit, ky sistem i inkriminuar i drejtësisë nuk i jep më llogari askujt për asgjë! Prandaj, një drejtësi e tillë, e brishtë dhe kapur nga politika, krijon mundësinë e trafikimit dhe kontrabandimit të drejtësisë, bashkë me këtë edhe të lulëzimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si instrument i pasurimit të shpejtë të politikanëve me grumbullimin e milionave përmes rrugëve korruptive dhe kriminale. Pra, një situatë e tillë, viteve të fundit e ka ashpërsuar tej mase luftën për pushtet mes grupeve rivale (pozitë- opozitë), si dhe ka joshur një pjesë të shoqërisë civile, përfshirë: analistë e gazetarë, drejtues të "OJQ"-ve, të cilët në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit iu bashkëngjiten partive të inkriminuara politike, me shpresën e pasurimit të shpejtë të tyre nga politika, duke u zhveshur krejtësisht nga çdo lloj etike profesionale dhe morali njerëzor. Andaj, kjo njëherësh paraqet edhe pikën më të ulët të degradimit të vlerave të shoqërisë kosovare në këto 18 vjetët e fundit", u shpreh analisti Florim Zeqa.
Dibrani: Gjyqësori i prekur nga epidemia e korrupsionit
Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se derisa në fillim është menduar se sistemi i drejtësisë qe treguar i ngath- ët përpara oligarkëve politikë, tashmë për drejtësinë mendohet dhe supozohet se është bërë vetë pjesë e krimit politik dhe atij ekonomik, pra pjesë e veprimeve korruptive, një sektor që bën mbrojtjen e klaneve dhe grupeve të inkriminuara në korrupsion, si dhe të oligarkëve politikë, ngase siç tha në të kundërtën është dashur që të dëshmohet se është në gjendje për t'i sfiduar të këqijat dhe veprimet antiligjore të politikanëve të korruptuar dhe grupeve të nëntokës. "Pra, oligarkët politikë kanë shtrirë rrjetin e tyre të ndikimit dhe këtë e kanë bërë me sukses në drejtësi dhe në sigurimin e shtetit, prandaj deri më sot nuk kemi pasur ndonjë përpjekje serioze për t'u ndalur korrupsioni dhe veprimet antiligjore të grupeve të caktuara, të cilat ose janë pararojë e politikës ose dirigjohen nga ajo. Pra, një pjesë e Gjyqësorit është prekur nga kjo epidemi, ndërsa pjesa tjetër nuk ka mundësi veprimi", ka vijuar ai. Tutje Dibrani ka shtuar se ngecja e shumë çështjeve të pazgjidhura e kanë burimin pikërisht në këtë drejtësi kaq të stërkequr nga vetja e saj, derisa, sipas tij, tashmë dihet se lidhjet gjykatë-politikë janë të tejdukshme, të cilat bashkërisht kanë zhvilluar një korrupsion të madh, i cili është shtrirë në të gjitha nivelet, duke u bërë 'kancer' i shoqërisë në njërën anë, ndërsa në anën tjetër shihet se e ka fundosur si është më së keqi këtë sistem.  
 

(Më gjerësisht mund te lexoni në gazetën  Kosova Sot)

(Kosova Sot)