Rikthim në vendin e tragjedisë së Himarës me 13 jetë të prera në mes...(5 vite më pas - VIDEO)

  • 22 May 2017 - 17:01
Rikthim në vendin e tragjedisë së Himarës me 13 jetë të prera në mes...(5 vite më pas - VIDEO)

13 jetë të prera në mes. Ky ishte bilanci tragjik i aksidentit të Qafës së Vishës në Himarë, kur autobusi me studente të universitetit të Elbasanit do të binte në humnerë. 5 vite më pas familjarë të viktimave dhe të mbijetuarat e aksidentit të 21 majit të 2012-ës deklarojnë se ende nuk ka drejtësi për ngjarjen.

Një pllakatë qëndron prej 5 vitesh në Qafën e Vishës, në lartësinë 375 m mbi nivelin e detit…është dëshmi e një tragjedie të rëndë e flet për humbjen e jetës së 13 personave, pas rënies së autobusit me studente të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Ishte ora rreth 16 e 15 minuta kur autobusi me studente po ecte në drejtim të Sarandës në kuadrin e një ekskursioni, një udhëtim që u pre në mes…

Mjeti doli jashtë kontrollit të shoferit, dhe ra në humnerë. Si pasojë humbën jetën 11 studente të vitit të tretë dega gjuhë-letërsi, i fejuari i njërës prej të rejave, si dhe drejtuesi i autobusit, ndërsa u plagosën 22 vajza të tjera studente. Autobusi i dytë më studentë, udhëtoi drejt Himarës, ku dhanë lajmin e kobshëm…

Si asnjë ngjarje më parë, ajo tragjedi do të mbahet mend për solidaritetin e treguar nga banorët e Himarës, të cilët u bënë një, duke ndërhyrë të parët në operacionet e shpëtimit. Destinacioni fillestar, ishte qendra shëndetësore e Himarës, vetëm pak minuta larg vendngjarjes.

Një nga heronjtë e heshtur të asaj ditë është edhe Llazar Theodhori. Ai dhe i vëllai ishin ndër të parët persona që mbërritën në vendngjarje dhe ndërhynë me mjete rrethanore, pa asnjë instruktim, të prirë vetëm nga instinkti dhe nevoja emergjente, ajo e shpëtimit të jetës.

Edhe pse qendra shëndetësore e Himarës nuk kishte kapacitete për shkak se përdoret vetëm për sezonin veror, i improvizuan menjëherë shtretërit për të plagosurat përpara se të dërgoheshin në spitalin e Vlorës apo atë të Tiranës.

Ajo pasdite është përjetuar në gjithë vendin, ndërsa ka lënë copëza kujtimesh të dhimbshme.Një ditë më pas, në 22 maj i gjithë vendi do të ishte në ditë zie kombëtare, në respekt të jetëve të prera në mes. Homazhet do të kulmomnin në Universitetin e Elbasanit, vendi ku vajzat ndiqnin çdo ditë leksionet në auditore. Pavarësisht se kanë kaluar vite, humbja e jetës së 11 studenteve ka lënë pas brengë për pedagogët e këtij universiteti.

Jeta vazhdon për 22 studentet që i mbijetuan aksidentit. Për javë e muaj me radhë përcilleshin lajme mbi gjendjen shëndetësore të Florije Pecit, vajzës nga Librazhdi, e cila mbeti e plagosur më rëndë nga të gjithë. Tani ajo jeton jashtë vendit, me fëmijën e ardhur në jetë në rrethana ende të errëta.

Pjesa më e madhe e vajzave kanë krijuar familje, e asnjë prej tyre nuk dëshiron të flasë për 21 majin. Një histori e mbetur pas, të cilës nuk do që t’i rikthehet as Eriselda Gubere, e cila ishte për kurim në Austri së bashku me Florije Pecin. Familjarët e saj në Lushnje, rrëfejnë se tashmë Eriselda është nënë e dy fëmijëve. Të kontaktuara nga Neës24, disa prej vajzave që mbetën të plagosura kanë deklaruar se nuk duan ta kujtojnë më atë ditë të zezë të jetës së tyre.

Mungesa e Dorina Stafës, ndihet çdo ditë e më shumë në familjen e saj, në lagjen Bakias në qytetin e Krujës. Peng për familjarët mbetet mos vendosja e drejtësisë për aksidentin tragjik.Aksidenti tragjik i qafës së Vishës la pas edhe mesazhin për më shumë kujdes në rrugë, veçanërisht në segmente të tilla të rrezikshme sikundër është kjo pikë.

(Kosova Sot)