Zyrtare: KPM ndalon debatet elektorale, lejon ato analitike

  • 22 May 2017 - 17:19
Zyrtare: KPM ndalon debatet elektorale, lejon ato analitike

Komisioni i Pavarur për Media ka vendosur që mediat nuk guxojnë të trasmetojnë debatet elektorale, pa fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit. Ky organ, në të njëjtën kohë, ka lejuar mediat që të realizojnë emisione të karakterit analitik e që lidhen me fushatën.

Komisioni i Pavarur për Media nuk do të lejojë më që televizionet kosovare të transmetojnë debate elektorale, para datën 31 maj – kur edhe fillon zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 11 qershorit.

“KPM e kupton që në situatë të zgjedhjeve të parakohshme dhe afatit të shkurt të vetë fushatës, informacionet ditore të plasuar nga mediat gjithësesi se mund të bëjnë njoftime dhe lajme për procesin përgatitor të fushatës, mirëpo në asnjë formë mediat nuk do të duhej të mbulonin aktivitetet politike që i takojnë fushatës zgjedhore jashtë afatit zyrtar të përcaktuar për kohëzgjatjen e fushatës. Dmth nuk përjashton debatet analitike, por jo të natyrës elektorale”, thuhet në njoftimin e KPM’së.

Mediat kanë nisur transmetimin e debateve elektorale qysh nga dita kur u rrëzua Qeveria e Isa Mustafës, megjithëse zyrtarisht fushata nis më 31 maj. Ky vendim i KPM’së do t’i ndryshojë planifikimet dhe skemat e mediave.

(Kosova Sot)