Blerim Devolli e "zhvendos" pronësinë e 'Z-MOBILE' jashtë Kosovës

  • 24 May 2017 - 07:47
Blerim Devolli e

Badallaj: "Banda 'Devolli', që po bën krim të paparë në Kosovë, është rehat, sepse mbështetet nga bandat kriminale të majave të shtetit, bandave të partive politike"

Për momentin mbetet mister mënyra se si nga ana e autoriteteve më të larta shtetërore të vendit do të mund të konfiskohej pasuria e dyshimtë, e fituar me ndihmën e krimit të organizuar në rastin e Blerim Devollit, kur ai pothuajse çdo pasuri dhe çdo kompani tanimë e ka bartur jashtë vendit, te shoqëritë e veta në Perëndim dhe gjithandej nëpër botë. Sipas analistëve, kompania "Dardafone.Net"- "Z- Mobile", që me kontratën e "kriminalizuar" rezultoi të zhvatë me arbitrazhin "e dizajnuar kriminalisht" nga ai vetë, mbi 30 milionë euro, me pronarë fillimisht vëllezërit Devolli mësohet se tashmë kanë bartur shumicën e pronësisë së kompanisë në fjalë në kompanitë jashtë vendit, e që janë: 'Devolli GmbH', e regjistruar në Vjenë (Austri) me adresën, Jordangasëse 7/12 , 1010 Vienna, ku është regjistruar para pak kohësh, më 2 dhjetor 2016 me drejtor menaxhues Blerim Devollin, si dhe me pronarë/aksionarë të regjistruar si kompani 'off- shore' me emër "K-Com Group Llc", e regjistruar më 14 janar 2009 në Delaware SHBA, ku lejohen regjistrimet e kompanive të tipit "off shore" dhe ku nuk tregohet emri i pronarit, por vetëm agjenti, i cili në këtë rast është, 'Delaware Intercorp, Inc. Newark, Delavare'. Shih për këto veprime, analistët e kanë shtruar çështjen se si do të mundet që t'i konfiskohej nga ana e Prokurorisë së shtetit pasuria e Blerim Devollit e fituar në bazë të dyshimeve përmes krimit, kur ai tërë pasurinë e ka dërguar tanimë jashtë Kosovës, pra fitimin e ka shpërndarë nëpër botë, ndërkaq kompania "ZMobile" nuk ka bërë madje as edhe një investim të vetin, por punon në infrastrukturë të kompanisë "Vala". Edhe përkundër pyetjeve të dërguara në adresë të e-mailit tek "Devolli Group" si dhe tek 'Z-MOBILE', gazetari nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth akuzave të analistëve dhe ekspertëve dhe vërtetë- sisë rreth shteteve se ku i ka regjistruar kompanitë aksionare të 'Z-MOBILE' jashtë Kosovës

Image

 

Të zbatohet Kodi Penal

Juristi Blerim Burjani tha se e tëra kjo punë duhet që të kalojë nëpërmes procedurës gjyqësore, por me kushtin që nëse ka fakte dhe prova materiale dhe formale. "Këtu nuk është fjala vetëm për disa persona dhe për disa kompani, por Kodi Penal duhet që të zbatohet deri në fund për të gjithë, përfshirë këtu edhe të gjithë ata persona që kanë bërë pasuri në formë të paligjshme duhet të vërtetohet nëpërmes procedurës gjyqë- sore dhe prokurorisë", theksoi ai. Sipas Burjanit, ka shumë individë e partiakë, që kanë përfituar në mënyrë të dyshimtë, por nuk ka aktakuza as nuk ka asgjë që do të tregonin diçka seriozisht. "Procedurat eventuale të konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme janë të parapara edhe në Kodin Penal, andaj situata është nëse vjen deri te zbatimi i procedurës, deri më sot nuk ka asgjë konkrete dhe askujt nga figurat e larta politike apo të biznesit nuk i është konfiskuar pasuria", theksoi ai. Ndërsa njohësi i kësaj fushe, Aziz Sefedini, tha se që të bëhet një konfiskim i tillë mungon vullneti i institucioneve më të larta shtetërore dhe Prokurorisë së shtetit, që nuk po duan dhe nuk po kanë guximin që të merren me këtë çështje. "Ndaj Kosova ka nevojë imediate që të miratojë Ligjin anti-mafia, përmes të cilit do të trajtohej dhe do të zbardhej edhe kjo çështje deri në konfiskimin e pasurisë për të gjithë ato biznese, që po e zhvatin paranë e popullit përfshirë këtu edhe Devollët dhe kompanitë e tyre të shumta", u shpreh ai.

Banda që shkatërroi ekonominë

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha se tashmë po dihet botërisht se 'Devolli' u pasurua me para të pista, duke e vjedhur edhe yndyrën e vendit dhe duke e fshehur nëpër Serbi dhe vende të tjera, sepse e ka nuhatur mirë se i ka kapluar frika se kjo pasuri e vjedhur do t'i konfiskohet nga populli. "Banda serbiane 'Devolli', që po bën krim të paparë në Kosovë, është rehat, sepse mbështetet nga bandat kriminale të majave të shtetit, bandave të partive politike. Por, pa më të voglin dyshim se banda serbiane 'Devolli' e ka korruptuar prokurorinë dhe sistemin gjyqësor në përgjithësi. Këtë e vënë në dyshim vetëm e vetëm primitivët, naivët dhe ata që shesin dushkun për gogla", ka thënë Badallaj. Ai sqaron se, për të konfiskuar pasurinë e kësaj bande kriminale duhet ndërruar të gjitha strukturat e shtetit, prokurorinë dhe sistemin gjyqësorë në përgjithësi, ngase janë këta që po e mbështesin këtë bandë dhe se të njëjtët janë të korruptuar nga këta kriminelë. "Do të vijë dita që këtë bandë kriminale duhet ta ndjekë 'Interpoli'. Edhe në bankat e sigurta shtetërore, ku ata kanë deponuar pasuri si soji i tyre janë bllokuar dhe konfiskuar. Këtë gjë e dinë mirë edhe banda 'Devolli', andaj mos mendoni se ata po rrinë rehat, dhe se këta edhe bëjnë gjumë të rehatshëm", u shpreh ai. Sipas tij, pasuria e vjedhur dhe pasuria e huaj kurrë nuk bëhet e jotja. "Në këtë krim ekonomik, përpos kësaj bande që shkatërroi në themel ekonominë e Kosovës, arrestimet do të shkojnë zinxhir, si B. Haxhiu, Sh. Ahmeti, prokurorë e gjyqtarë, që kanë hise në këtë krim ekonomik kundër Kosovës", u shpreh Badallaj. 

Të verifikohet origjina e pasurisë

Analisti Florim Rudhani është i mendimit se së pari duhet të zbulohet zanafilla e krijimit të kompanisë, pastaj ngritja e pasurisë, cili politikan i fuqishëm qëndron prapa kompanive 'Devolli'. "Cilët politikanë janë korruptuar (blerë) që pastaj kanë krijuar ligje në favor të një kompanie dhe kanë eliminuar kompanitë e tjera konkurruese me kompanitë 'Devolli' ", thotë ai. "Nëse ju analizoni debatet zgjedhore tani për zgjedhjet e parakohshme, askush nuk flet për degradimin në sistemin e drejtësisë, prokuroritë pothuajse janë inekzistente karshi 'peshqve të mëdhenj'. Kjo ngase prokuroritë janë në funksion të kompanive, që kanë fituar pasuri të paligjshme në bashkëpunim të politikanëve, të cilët kanë punuar për fitime të tyre dhe të figurave të fuqishme politike", u shpreh Rudhani. "Veç konfiskimit të pasurisë së paligjshme ndaj kompanisë 'Devolli', duhet që të konfiskohen edhe pasuritë e paligjshme të figurave politike, të cilët kanë punuar për interesa të kompanisë 'Devolli'. Prokuroria do ta kuptojë fuqinë financiare të Devollëve, duke kuptuar fuqinë financiare të figurave politike, të cilët janë të lidhur me këtë kompani që ka krijuar monopole, që ndërton skema që t'i fitojë 30 milionë euro", potencoi ai.

Image

 

Manovrat kriminale për shpëlarje parash

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se me këtë rast duhet që të merret Interpoli, së bashku me policinë e atij vendi, ku është bartur biznesi, që në këtë rast kemi të bëjmë me policinë austriake dhe atë amerikane. "Policia e Kosovës së bashku Gjykatën Speciale në Kosovë, duhet të marrin masa sa më shpejt, duke filluar me hetimet ndaj vëllezërve Devolli dhe atyre që janë të përzier, ato biznese që i kanë jashtë territorit të Kosovës, të mbyllen me urdhrin e Gjykatës, që ia dërgon shtetit ku është hapur biznesi", ka potencuar ai. Analisti Ragip Guraziu tha se manovrat e 'Devollit' për t'i shpëtuar milionat e krimit duhet të dështojnë. Ai vlerëson se ''Devolli Group" ka punë me Prokurorinë e shtetit. "Po pasi Prokurorinë e shtetit të Kosovës e ka shkelur me ''dy këmbët'', kompania 'Devolli', me oligarkët e tij,vetë këta që i ka korruptuar kompania 'Devolli', po këta e sugjerojnë se si duhet vepruar për t'i fshehur eurot e fituara jashtëligjshëm dhe tani me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe ato lokale në vjeshtë, me formimin e organeve të reja shtetërore, që kriminelët dhe të korruptuarit nuk do kenë vend në udhëheqje, kompania 'Devolli' dhe institucionet e Kosovës, duke filluar nga Qeveria , Prokuroria, gjykatat etj., duhet të përgjigjen para ligjit dhe më pas, pas grilave dhe do mbajnë edhe përgjegjësinë për punën e fëlliqur, që kanë ushtruar deri më tani, ku shtetit të Kosovës i ka kushtuar me miliona euro në aspektin financiar dhe ekonomik", u shpreh ai. Analisti Guraziu tha se kompanisë' Devolli' tani i ka dalë boja, së bashku me oligarkët e tyre të shtrirë në institucionet e shtetit të Kosovës.

Zhvatja skandaloze e shtetit

Analisti Faton Mehmeti tha se dihet tanimë se kompania 'Dardafone.Net' - 'Z-Mobile', me pronar Devollët kanë zhvatur shtetin aq sa kanë dashur, dhe duke u munduar t'i ikë drejtësisë ata edhe kanë tjetërsuar pasurinë, duke e regjistruar në Austri dhe SHBA, ky është një lloj pastrimi i parave. "Parandalimi i pastrimit të parave është pjesë përbërëse e funksionit mbikëqyrës që Banka e Kosovës ka në drejtim të parandalimit dhe të administrimit të rreziqeve që rrjedhin nga lëvizja e parave apo edhe nga kryerja e transaksioneve të ndryshme", theksoi ai. "Çdo shumë parash, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, qarkullohet, riqarkullohet apo transferohet, transformohet apo tjetërsohet në produkte dhe në pasuri, të rrjedhura nga aktivitete kriminale apo të kundërligjshme dhe nga vepra penale, përbën para 'të pista'. Të ardhurat nga krimi ekonomik si në rastin e Devollëve dhe ai financiar shpesh depozitohen ose investohen jashtë vendit", shtoi më tutje Mehmeti. "Fatkeqësisht Kosova nuk është pjesë e një traktati të vitit 1991, që ka si qëllim bashkëpunimin për të luftuar më me shumë efikasitet kriminalitetin transkombëtar. Traktati parashikonte që qeveritë e të gjithë botës duhet: të kriminalizojnë përkatësinë në organizata me karakteristika kriminale, pastrim parash, korrupsion apo pengesa ndaj autoriteteve ligjvënëse, të marrin masa për të përcaktuar përgjegjësinë e firmave në rast implikimi në organizata kriminale, të marrin masa për të luftuar pastrimin e parave të pista dhe të ardhurave të tjera nga aktivitete kriminale, etj.", potencoi Mehmeti. 

(Kosova Sot)