Një qeverisje e VV-së do ta shkatërronte përfundimisht Kosovën

  • 24 May 2017 - 08:01
Një qeverisje e VV-së do ta shkatërronte përfundimisht Kosovën

Kuqi: "VV-ja, duke u ngritur falë parave të Devollëve, është e kapur nga këta të fundit dhe kështu vazhdon trekëndëshi Devollët-Vetëvendosje-Pushteti"

Të dielën që lamë pas, Shpend Ahmeti, kryetar në shkuarje në Komunën e Prishtinës dhe kandidat për deputet, deklaroi se nëse vjen në pushtet VV-ja asgjë nuk është Prishtina çka do të bëjnë me vendin."Atë që e kemi bërë në Prishtinë do ta bëjmë dhjetëfish më shumë në Kosovë, me në krye të Qeverisë 'Albin Kurti' ", është shprehur ai. Analistët politikë e interpretojnë këtë, sipas fjalimit të Shpend Ahmetit, se në Qeverinë qendrore eventuale të VV-së, do të veprojnë njëjtë si në Prishtinë, edhe atë dhjetë fish ose shumë herë më me keq, ku të gjithë tenderët do të shkojnë ekskluzivisht për vëllezërit e inkriminuar Devolli, se çdo hapësirë publike do t'u jepet atyre dhe atyre të lidhur kriminalisht me ta, lejet e ndërtimit në Prishtinë dhe gjithandej nëpër Kosovë, licencat qeveritare, homologimi, telefonia, bankat, kompanitë e sigurimeve, 'Trepça', 'Brezovica' , KEK-u, pasuritë nëntokësore, investimet kinse strategjike e mafio-oligarkike dhe çdo gjë tjetër do të përfundojë dhjetë fish më shumë se deri tani. Analisti politik Reshat Sahitaj vlerëson se gjatë fushatës elektorale personalitetet politike japin premtime absurde, duke menduar se popullit nuk do t'i kujtohen kurrë ato dhe gjatë deklaratave te tyre këta shpesh bëjnë lapsuse banale. Mirëpo, kjo e Shpend Ahmetit që ka qeverisur krejtësisht mbrapsht me Prishtinën, për një mandat që tani po i afrohet fundi, sa është e papranueshme është edhe e rrezikshme, nëse jetësohet në praktikë. 

Jo Qeverisë ngulfatëse

"Deklarata e Shpend Ahmetit, shpresoj të mos realizohet mendimi i tij që në tërë Kosovën ta bëjë dhjetëfishin që e ka bërë në Prishtinë, sepse po të realizohet mendimi i tij, qytetarët e Prishtinës e qyteteve të tjera duhet të shpërngulen në zonat rurale, ngase në qytete do të mbyllen të gjitha rrugët e punësimit, do të ndërpriten të gjitha ndërtimet e atyre që nuk janë të partisë se tij, për t'i bindur qytetarët, nëpër komunat tona do të përdoret gazi lotsjellës, për t'u takuar me zyrtarët komu-nalë duhet të kontrollohemi nga rojet e sigurimit dhe aparatura të sofistikuara për detektimin e çelësave...", është shprehur Sahitaj. "Shpresoj që VV-ja të mos jetë faktor determinues për shumë ligje e rregullore, të cilat ata do t'i përshtatin për interesa të ngushta të tyre, ku vëllezërit Devolli do të shtrihen në mbarë Kosovën për të vazhduar ta rrjepin gjer në skajin e fundit. Një qeveri e tillë do ta ngulfasë popullin e Kosovës për ta shndërruar në shoqëri të prapambetur ku qytetari nuk ka të drejtë ankese e as lutje për padrejtësitë që do t'i bëhen. Një sistem të tillë e kemi provuar në qeverisjen lokale të Prishtinës ku kam bërë ankesa dhe kurrë pa marrë përgjigje për subvencione kulturore që nuk e ndanin asnjë cent për takime letrare internacionale, e shuma marramendëse ndanin për ngjarje të dorës se tretë dhe për projekte qesharake", tha Reshat Sahitaj. Sipas tij, një qeveri e tillë për t'ia zgjatur vetes jetën mendoj do të imagjinojnë skenarë të ndryshëm agresivë, ku qytetari në vend se të mendojë për mirëqenien më të mirë do të hutohet duke menduar si ta shpëtojë kokën."Ngufatja e tepërt do të ketë pasoja të shpërthimeve masive të protestave dhe ndërhyrjen ndërkombëtare. Ka kaluar koha e sistemeve totalitare ku qeveria kishte mundësi të vepronte sipas direktivave të partisë", potencoi ai. 

Shpendi i zhgënjeu edhe optimistët më të mëdhenj

Prof. Riza Smaka është një nga ishoptimistët më të mëdhenj që kishte pritur para katër vjetësh se Shpend Ahmeti në krye të Prishtinës do të bënte shumë ndryshime pozitive, por realiteti ka dëshmuar të kundërtën dhe tani nuk dëshiron që të njëjtën shkollë të qeverisjes nga 'Vetëvendosje' ta shohë edhe në qeverinë qendrore. "Natyrisht që tash krejt varet nga vota e qytetarëve, që besoj se duhet të jenë mjaftueshëm të vetëdijesuar dhe ajo votë do të duhej ta determinonte edhe strukturën e re qeveritare. Unë jam i bindur që qytetarët tani janë ngopur me premtime të kota dhe bile tani unë do t'i kisha këshilluar të gjithë këta liderë që fare të mos bëjnë premtime dhe kurrfarë fushate, sepse nuk po iu dalin zot premtimeve të tyre, të gjitha zotimet dhe premtimet e deritanishme rezultojnë të dështuara, qoftë nga Qeveria qendrore, e cila tani ra, qoftë edhe nga niveli lokal, ajo e komunës së Prishtinës, e cila nuk realizoi pothuajse asgjë nga ato që kishte premtuar", ka deklaruar ai. "Tani qytetarët duhet të përcaktohen sipas gjykimeve dhe vlerësimeve të drejta dhe jo apriori të deklarohen e pozicionohen se kush për 'Vetëvendosjen', kush për LDK-në e AAK-në e tutje, por duhet të gjykojnë e votojnë vlerat e mirëfillta. Në këtë rast unë konsideroj se nuk mund të mos jetë pikënisje themelore e votuesve vlerësimi real i qeverisjes së deritanishme pothuajse të dështuar të komunës së Prishtinës, sepse Kosova identifikohet me Prishtinën që është kryeqytet dhe këtu është i përqendruar numër i madh i qytetarëve, ku 'Vetëvendosje' e ka në qeverisje këtë komunë, prandaj pres që vota për këtë subjekt politik të jetë determinuese dhe përcaktuese nga mënyra se si këta kanë qeverisur me Prishtinën", tha Smaka për "Kosova Sot"

Image

 

Kryetar matrapaz

Sipas Reshat Badallajt, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe vartësit e tij nuk do të duhej të vinin në krye të qeverisjes së shtetit në asnjë mënyre, ngase ai është çartur, siç thotë Badallaj. "Kohëve të fundit e ka humbur kontrollin për shkak se është kapur në siklet me skandalet më të mëdha në Ballkan... Populli nuk harron kur ky Shpend Ahmeti, ditën ka lehur kundër mallrave që vijnë nga Serbia dhe që importon murtaja e zezë kombëtare banda vrastare 'DEVOLLI', kurse natën ky dilenxhi fshehurazi takohet në jahtin serbian, disa milionësh, në ujerat e thellë në deti me roje serbe, duke bërë dyzen ahengu, duke u zgërdhi, ndërkaq popullin në Kosovë e kishte lënë pa bukë në sofër. Kjo është fytyra tinëzare e këtij dilenxhiu", thotë Reshat Badallaj. Sidoqoftë, ai beson se pas zgjedhjeve edhe 'Vetëvendosja' do t'ia kthejë shpinën Shpend Ahmetit, që e tradhtoi 'Vetëvendosjen'. "Mjaft të zeza i ka sjellë Prishtinës dhe populli nuk do të lejojë që ky matrapaz të shesë tokën te bandat serbe. Kush po thotë dhe kush po e beson se 'Vetëvendosje' e mori qeverinë qendrore. Ky nuk merr vesh fare në politikë, ky kupton dhe shumë i zhdërvjellët është për dredhinë, bishtdredhur, edhe prapa kurrizit të 'Vetëvendosjes' dhe popullit. Mirëpo e zëmë që e mori edhe Qeverinë Qendrore 'Vetëvendosje', por shtrohet pyetja se kush garanton se këtë qeveri e pranon faktori ndërkombëtar... assesi!?", thotë Badallaj.

Image

 

 

Mungon modeli i suksesit

Sipas analistit Florim Zeqa, jo vetëm ky subjekt politik, 'Vetëvendosje', por realisht, bazuar në performancën e ulët në qeverisje (qendrore dhe lokale), asnjëra nga partitë politike nuk janë të denja për të qeverisur me vendin."Për dallim prej herëve të tjera, kësaj radhe në zgjedhjet parlamentare partitë politike do t'i matin forcat përmes militantëve partiakë, ngase të gjitha do të kenë mungesa në elektorat. Mbase këto zgjedhje do të mbahen gjatë në mend për përqindjen më të ulët të daljes së qytetarëve në zgjedhje, që nga paslufta e këndej", ka deklaruar ai."Në mungesë të një alternative të re politike, të gjitha partitë politike do të jenë të barabarta para elektoratit në zgjedhje,... janë parti që udhëhiqen nga nëntoka politike, të lidhura me bizneset e inkriminuara, thënë ndryshe janë parti pa vizion për zhvillimin ekonomik të vendit dhe të mirën e qytetarëve. Si pasojë e mosdaljes së elektoratit në zgjedhje, do të jenë votat industriale (të vjedhura dhe kontrabanduara) që do të përcaktojnë vazhdimin e kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes 9-vjeçare të vendit", tha Zeqa për "Kosova Sot". Ai shton tutje se pushtetarët e 'rinj', ashtu sikurse deri më tani, do të veprojnë njëjtë sa u përket tenderëve, që do të shkojnë ekskluzivisht për kompanitë e inkriminuara. 

Paratë e prishën edhe VV-në

Edhe Gurakuq Kuqi, politolog, thotë se ardhja në krye të Prishtinës e Shpend Ahmetit ishte me premtime shumë të mëdha e ndoshta edhe ai vetë ka pritur më shumë, pasi kur je në opozitë thikën e ke me dy tehe dhe më të mprehtë në retorikë, por ai ka dështuar në testin e tij të qeverisjes me Prishtinën. "Por, nuk mund të presësh mrekulli pasi që ka shumë punë, së pari duhet rregulluar nga brenda e pastaj jashtë. Ahmeti dhe VV-ja e kanë kuptuar që pothuajse nuk ka një mandat të dytë për ta në Prishtinë, andaj edhe kandidon për deputet. Retorika që do të bëjnë dhjetë- fishin për Kosovën, ashtu siç kanë bërë për Prishtinën, është thjesht një demagogji apo mendime që bien ndesh me veprimet", u shpreh ai. "Çështja e sponsorizimit nga bizneset është një problem që VV-ja nuk ka arritur ta menaxhojë dhe lidhja e tyre me Devollët dhe kompanitë e tyre i ka vënë para aktit të kryer se janë vetëm oportunistë të paskrupullt, me një demagogji të zhvilluar. Ata janë filozofë dhe moralistë të mirë, me një gjuhë të centralizuar apo diktatoriale, që e njëjta do të bartet edhe kur të jenë në pushtet", tha Gurakuq Kuqi. " 'Vetëvendosje' është treguar jorezistente kur vjen fjala te paratë dhe është bërë e parezistueshme pas parave të kompanive të Devollit, të cilët e kanë minuar ideologjinë e tyre me vetëdije dhe jo pa dashje të VV-së", ka thënë ai. 

Gjasa minimale për Lëvizjen

Analistit tjetër, Ridvan Emini, konsideron se në princip në politikë janë ta hapura të gjitha kartat e mundshme, andaj nuk është e habitshme që të vijë në krye të qeverisë edhe dikush si VV, pasi që në Kosovë deri më tani kemi pasur precedent edhe kur kryeministri i vendit apo edhe presidenti kanë ardhur nga partitë e vogla si pjesë e koalicioneve me partitë e mëdha, rasti Haradinaj dhe Pacolli, por logjika e shëndoshë nuk e pranon një mundësi të tillë tani."Por, në këtë situatë, në të cilën ndodhemi, mundësitë janë minimale për të ardhur në krye të qeverisë kandidati nga radhët e VV-së, por pa e përjashtuar mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme nacionale mund të jetë kjo e fundit pjesë e qeverisë", është shprehur më tej ai."Në ndonjë rast hipotetik ardhjen e VV-së në krye të qeverisë e shoh mjaft me shqetësim, pasi që idetë e tyre nuk përkojnë me shtetësinë e Kosovës. Ashtu siç kanë vepruar partitë e tjera, të cilat ishin në pushtet, ka vepruar edhe VV-ja sa i përket 'tenderomanisë' ", theksoi Emini.

(Kosova Sot)