Partitë i shmangen reformës në drejtësi

  • 25 May 2017 - 08:09
Partitë i shmangen reformës në drejtësi

Pak shpresa se pas 11 qershorit ka Vetting dhe dekriminalizim

Ndonëse sundimi i rendit dhe ligjit është shtylla kryesore e shtetit që garanton funksionim normal dhe perspektivë të qëndrueshme zhvillimore, duke pasur një sistem të reformuar të drejtësisë që i mungon akoma Kosovës, edhe në këtë fillim fushatë zgjedhore, askush nga partitë politike deri në këto moment nuk po shfaq vullnet politik për të pasur në qendër të fushatës zgjedhore politike reformat rrënjësore në drejtësi. Politikanët i shohim të përmendin administratën dhe punësimin, por jo edhe të çka është më e rëndësishme në këtë vend, reformimi i drejtësisë. Sipas njohësve të kësaj fushe dhe analistëve të politikës, politikanët i frikësohen reformimit të drejtësisë, prandaj nuk shohin me prioritet trajtimin serioz të kësaj fushe dhe inicimin e reformave të thella me një aneks program të përgatitur enkas për këtë lëmi. Prof. Riza Smaka konsideron se reformat në sistemin e drejtësisë mbeten objektiva kryesore për ekzekutivin pas këtyre zgjedhjeve. "Deri tani, zaten gjithnjë para fushatës elektorale, asnjë subjekt politik nuk e ka vënë në spikamë këtë objektiv. Për këtë mund të dalin dy shpjegime të mundshme. Një që nuk u përshtatet organizimi cilësor i sistemit të drejtë- sisë nga droja e efikasitetit të mundshëm dhe të përshpejtimit të shumë rasteve juridike me konotacion e përmbajtje dhe karakter inkriminator. Së dyti nga se gjithnjë nuk janë të gatshëm, së pakut jo me projekte konkrete dhe me vizion të skicuar sa dhe si do të duhej të ristrukturohej kuantitativisht dhe kualitativisht sistemi i drejtësisë", tha Smaka për "Kosova Sot".

Image

 

Drejtësia nën diktatin e politikës

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, pohon se sistemi gjyqësor është një ndër mekanizmat më të çrregulluar në shtetin e Kosovës dhe shikuar nga ky kënd nuk është e lehtë që të riparohet. "Tashmë është e qartë se ky sistem mund të fillojë rrugën e mbarë me dekriminalizimin e vetë politikës. Pa nxjerrë ligj mbi forcat politike kurrë nuk mund të fillohet dhe të rregullohet as sistemi juridik. Derisa në politikë kemi njerëz të përfolur dhe ndoshta edhe kriminalë, është e pamundur të kemi prokurori dhe gjyqësor të drejtë, të pavarur e legal, funksional. Politikës i duhet një prokurori dhe një gjyqësor që është nën diktatin e politikës, sepse vetëm kështu jeton krimi dhe korrupsioni kur kemi edhe politikë të papastër", tha Kelmendi. Ai jep edhe versionin e tij autentik pse tani partitë politike nuk flasin për reformat e duhura në drejtësi. "Pse partitë nuk flasin... tash kjo del kryesisht nga fakti se nëpër lista ka mjaft njerëz të përfolur. E ata dëshirojnë një sistem të tillë, një sistem prokurorial dhe gjyqësor që nuk i ndjek ata", theksoi ai. "Sistemin e drejtësisë në Kosovë e rregullon Ligji Antimafia në fushën politike. Në fushën juridike kërkohet një ligj Vetting-u si në Shqipëri. Pa këto masa nuk do të kemi kurrë sistem juridik ligjor dhe të pavarur nga politika", tha Kelmendi për 'Kosova Sot'.

Qytetarët nuk u besojnë më premtimeve mashtruese

Edhe analisti politik, Albrim Badallaj, konsideron se çështja e reformës në drejtësi është një iniciativë kundër vetes, për disa parti apo edhe për individë të caktuar brenda partive, kështu që nuk ka vullnet për jetësimin e saj, pos nëse ka presion ndërkombëtar. "Kur flitet për administratën, harrohet të përmendet depolitizimi i saj, e njëkohësisht kur flitet për zhvillimin ekonomik harrojnë që të përmendin (pa)sigurinë për investime", potencoi ai. "Mungesa e shtetit ligjor prodhon pastaj të gjitha stagnimet e vendit, si në moszhvillim ekonomik, si në krim të organizuar dhe korrupsion, si në shëndetësinë, e cila gjendet në katrahurë dhe në të gjitha segmentet e tjera publike. Reformimi i drejtësisë do të nënkuptonte që të kemi një gjyqësor të pavarur dhe fare, apo sa më pak të ndikuar politikisht, praktikë e cila nuk preferohet nga shumë politikëbërës", tha Badallaj. Ai pohon se partitë politike tek ne e dinë që me një premtim të tillë nuk do të gjenerojnë vota. "Ata e dinë që edhe qytetarët nuk e besojnë një premtim të tillë, derisa ai vjen nga ata të cilët më së shumti e shkelin ligjin dhe të cilët para drejtësisë kanë qenë vazhdimisht dhe janë gjithmonë të favorizuar", theksoi Badallaj. Analisti Skënder Mulliqi ka thënë se partitë fushatën e kanë filluar duke bërë akuza dhe kundërakuza të ndërsjella, të cilat lidhen më shumë për luftën për pushtet, sesa për reforma përmbajtjesore shumë të nevojshme për shoqërinë tonë të re. "Politikanët tanë nuk i dëshirojnë reformat në drejtësi, së çdo reformë në këtë hallkë të rëndësishme të pushtetit do të thotë të shpallësh luftë kundër vetit, se këta janë ata të cilët ka kanë futur në kthetra drejtësinë dhe gjyqësorin, të cilat kanë rënë moti në provim", u shpreh ai.

Drejtësia vepron në mënyrë selektive

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, imazhi i shtetit të Kosovës në këto vitet pas shpalljes së pavarësisë është duke u rrezikuar seriozisht pikërisht nga lidershipi qeveritar, për shkak të dështimit të vazhdueshëm në realizimin e premtimeve, për luftimin e krimit, korrupsionit dhe kontrabandës, e cila do të përkthehej në favor të interesit qytetar dhe ndërtimit të shtetit. "Nuk ka dyshim se drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive dhe është e dirigjuar kryekëput nga politika dhe njerëzit e tipit Grabovci. Kemi me qindra raste të çështjeve madhore ku drejtësia ka qenë e dirigjuar nga politika dhe rastet janë mbyllur. Drejtësia në Kosovë vepron në mënyrë selektive, duke u marrë me raste që nuk çojnë peshë aq të madhe sa për t'u krijuar percepcioni në opinion publik kinse po punohet, kurse me raste madhore, të cilat ia zbehin imazhin dhe ia humbin kredibilitetin shtetit të Kosovës as që merret fare, jo pse nuk ka dijeni dhe profesionalizëm për t'i çuar proceset në fund, por për shkak se nga aty mund të prishet rahatia e ndonjë politikani dhe në të njëjtën kohë do të rrezikohet pozita e tij", tha Hidajet Ahmeti."Më kujtohet mirë në kohë të zgjedhjeve të kaluara kur Isa Mustafa në një emision kishte thënë: "Nuk do të mund të hyjmë në koalicion me PDK-në, sepse ata prapë do të udhëheqin me strukturën dhe rrjetën e krimit që e kanë instaluar në institucionet e pavarura dhe ne do të jemi vëzhgues pasivë". Isa Mustafa kishte qenë në dijeni, por në mënyrë të vetëdijshme kishte pranuar të udhëheqë me strukturën e krimit dhe tash në mënyrë taktike u largu nga kandidatura për kryeministër, duke u munduar ta riparojë dëmin që ua ka shkaktuar LDK-së dhe shtetit të Kosovës", u shpreh Ahmeti. "Edhe pse gjatë fushatës kishte premtime megalomane pikërisht nga kreu i LDK-së, i cili rreth tri vite ushtroi pozitën e të parit të ekzekutivit, duke u thirrur në shkapjen e shtetit, luftimin e krimit korrupsionit, si duket ato ishin vetëm fjalë demagogjie dhe përfundoi rreth tre vjet qeverisje me partinë shtet, por nuk arriti asnjë sukses të vetëm në fushën e drejtësisë", ka potencuar Hidajet Ahmeti. 

(Kosova Sot)