Pa rrëzuar oligarkët, nuk shpëton drejtësia

  • 25 May 2017 - 08:12
Pa rrëzuar oligarkët, nuk shpëton drejtësia

Kosova vuan nga kapja e gjykatave dhe prokurorive

Sipas vlerësimeve të analistëve dhe njohësve të fushës së drejtë- sisë, është i pamohueshëm fakti se në Kosovë gjyqësori dhe drejtësia deri më sot janë plotësisht të kontrolluara dhe të kapura nga politika, derisa, sipas tyre, ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë janë një nga problemet më madhore në vendin tonë, për faktin se ndërhyrjet e tilla gjenerojnë zhvillim të hovshëm të krimit të organizuar dhe rritje enorme të nivelit korruptiv në të dyja nivelet e qeverisjes. Ndaj është shtruar edhe çështja se a mund të ketë drejtësi për qytetarët për sa kohë ky sistem është i kapur nga politika dhe çfarë duhet të bëhet për ta shkapur drejtësinë nga politika, pra për ta ndryshuar një gjendje të tillë? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se është i pamohueshëm fakti se në Kosovë gjyqësori dhe drejtësia deri më sot janë plotësisht të kontrolluara dhe të kapura, por siç tha besojmë se kjo gjendje do të ndryshojë për interes të qytetarëve dhe të vendit, ngase pasojat e një drejtësie të kontrolluar po i vuajnë qytetarët dhe kjo duhet të ndryshohet patjetër në një të ardhme sa më të afërt. Sipas tij, duke munguar edhe efikasiteti i shtetit të së drejtës në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rezultati i kësaj lufte mund të thuhet se është zero."Gjyqësori as nuk e ka luftuar krimin dhe korrupsionin as që ka denjuar t'i shpallë luftë këtij fenomeni të së keqes në shoqërinë tonë, por duke mos qenë veprues dhe efikas në këtë drejtim, sikur po del si mbrojtës dhe garantues i hapësirës vepruese të krimit të organizuar në Kosovë", ka thënë ai. 

Gjeneratë fatkeqe politike

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani, thotë se kjo gjeneratë politikanësh i ka shkaktuar shumë gjëra të këqija vendit dhe se do të mbahet gjatë në mendje për këtë, pasi ia ka rrezikuar ardhmërinë për dy apo tre breza vendit tonë, derisa sipas tij, për fat të keq, drejtësia, përfshirë gjykatat dhe prokurorinë, nuk u tregua e denjë për ta mbrojtur Kosovën nga oligarkët politikë, të cilët u bënë të pasur në saje të manipulimit dhe keqpërdorimit të pronës shoqërore dhe parasë publike."Prandaj, pa ndërrimin e kësaj politike kaq të inkriminuar nuk mund të ketë as drejtësi të mirëfilltë, sepse si duket sektori i drejtësisë kontrollohet nga këta oligarkë të pangopshëm, pasi në të kundërtën, me asgjë tjetër, nuk justifikohet neglizhenca e drejtësisë për të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Por kapja e drejtësisë nga politika dëshmon se ajo po mbahet peng i interesave klanore dhe atyre të nëntokës, së cilave u leverdis kaosi dhe anarkia e sistemit veprues, derisa edhe heshtja e drejtë- sisë lë për të kuptuar se sa thellë i kanë futur duart e tyre grupet e interesit dhe ato të nëntokës", ka vijuar ai. Tutje Dibrani ka shtuar se ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë janë një nga problemet më madhore në vendin tonë, për faktin se ndërhyrjet e tilla gjenerojnë zhvillim të hovshëm të krimit të organizuar dhe rritje enorme të nivelit korruptiv në të dyja nivelet e qeverisjes.

Image

 

Gjyqtarët dhe prokurorët, vegla politike

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka veçuar se ne nuk kemi traditë të sistemit gjyqësor, ngase tradita e sistemit tonë gjyqësor është traditë e lidhur me politikën, derisa sipas tij ne trashëgojmë një sistem kur gjykatësit dhe prokurorët ishin vegla të politikës dhe që kjo nuk ka ndryshuar as pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, pasi nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi radikal në mendësinë e mëhershme, ku thjesht është trashëguar kjo mendësi e ish-sistemit të kaluar dhe kemi arritur këtu ku jemi."Ndërsa për ta krijuar sistemin gjyqësor nevojitet vetëdija për krijimin e shtetit, vetëdija patriotike, e cila në Kosovë mungon", theksoi ai. "Ne thjesht nuk e kemi idenë se sa i rëndësishëm është sistemi gjyqësor për funksionimin e shtetit dhe funksionimin tonë si shoqëri, por që ne vetëm i shikojmë të tjerët si veprojmë dhe i imitojmë ata, por imitimi nuk e kryen punën e duhur. Andaj, mbase edhe janë normale të gjitha këto parregullsi në sistemin e drejtësisë dhe brenda tij në atë gjyqësor, pra përderisa gjyqtarët dhe prokurorët janë vegla të politikës", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.

Modeli i dështuar

Profesori tjetër universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se është thjesht evidente që sistemi institucional përgjithësisht dhe ai i drejtësisë veçanërisht është i ndikuar nga politika, derisa siç tha sistemi shtetëror dhe pushteti shtetëror është i tillë që bëhen ndërhyrje partiake, respektivisht nga koalicionet qeverisëse në vazhdimësi. Së këndejmi, Baraliu thotë se për rrjedhojë rezulton se ky model i qeverisjes shtetërore është dëshmuar se nuk është adekuat dhe i suksesshëm për avancimin dhe konsolidimin e mëtejmë të procesit të shtetndërtimit, ngase klasa politike dhe qeverisëse në vazhdimësi ka dëshmuar ndikimin e saj polik edhe në emërimin por edhe në funksionalizimin e gjykatave dhe prokurorive, si dhe të gjitha institucioneve të drejtë- sisë. "Kështu që kemi një drejtësi të mangët, një drejtësi selektive, favorizuese dhe në të njëjtën kohë një drejtësi diskriminuese në segmente dhe raste të caktuara, prandaj edhe shkalla e besueshmërisë është mjaft e ulët, gjë që flet për një gjendje tepër të rëndë dhe të palakmueshme të drejtësisë dhe gjyqësisë në Kosovë", theksoi ai. "Andaj, një reformë rrënjë- sore e modelit të VETTING- ut është imperativ kohe, por do duhej të kishte një konsensus shoqëror, por edhe parlamentar, dhe se ai do duhej të arrihej nga të gjitha partitë që ta kuptonin përfundimisht se thjesht për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe për ta konsoliduar sistemin institucional dhe për të përmirësuar imazhin e shtetit dhe avancuar procesin e shtet-ndërtimit, në të ardhmen duhet të pajtohen për të pasur një reformë rrënjësore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtë- sisë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)