Edhe NATO-ja ka vendosur ta luftojë ISIS-in

  • 25 May 2017 - 08:33
 Edhe NATO-ja ka vendosur ta luftojë ISIS-in

NATO vendosi sot t’i bashkohet zyrtarisht koalicionit ndërkombëtar kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri, deklaroi një burim diplomatik.

SHBA-ja, që drejton këtë koalicion, ka kërkuar që prej më shumë se një viti që Aleanca Atlantike të bëhet anëtare me të drejta të plota.

“Vendimi i marrë në nivel ambasadorësh të vendeve të NATO-s, duhet të miratohet nga presidentët dhe kryeministrat që do të mblidhen nesër në samitin e Brukselit”, sipas këtij burimi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndodhet në Bruksel për bisedime me anëtarët e tjerë të NATO-s.

Trump do të takojë sot edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ai ka qenë kritik edhe ndaj NATO-s, edhe ndaj BE-së.

Trump është pritur të mërkurën nga mbreti dhe mbretëresha belge, ndërsa mijëra njerëz kanë protestuar në Bruksel kundër pranisë së tij.

Më herët, Trump e ka cilësuar NATO-n si “organizatë të vjetruar” duke thënë se nuk bën mjaftueshëm për të luftuar terrorizmin.

Trump ka kritikuar po ashtu shumicën e aleatëve për mosrespektimin e udhëzimeve të NATO-s mbi shpenzimet.

(Kosova Sot)