PTK-ja shpëton nga falimentimi, BLERIM DEVOLLI nga burgimi?

  • 25 May 2017 - 07:57
PTK-ja shpëton nga falimentimi, BLERIM DEVOLLI nga burgimi?

Zeqa: Tërheqja e Blerim Devollit është bërë për çështje kompromisi, për mosndjekje penale të Devollëve për afera të tjera korruptive, shumëfish më të mëdha...

Me një ceremoni rasti, që është mbajtur të mërkurën në ambientet e PTK-së, është nënshkruar marrëveshja në mes të PTK-së dhe kompanisë "Z-Mobile", e cila e shmang pagesën e gjobës prej 32 milionë euro, që iu ka shqiptuar kohë më parë Telekomit të Kosovës nga ana e Gjykatës së Arbitrazhit në Londër. Marrëveshjen në prani të një numri të madh të medieve vendore e kanë nënshkruar drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe drejtori i kompanisë, "Z-Mobile", Milot Gjikolli, në prani të pronarit Blerim Devolli, me të cilën zyrtarizohet heqja dorë e "Z-Mobile", nga ekzekutimi i shumës prej 32 milionë euro. Me këtë rast u tha se, Telekomi i Kosovës do të paguajë vetëm shpenzimet gjyqësore të Arbitrazhit, shpenzime të cilat nuk u bënë publike. Sipas kryeshefit, Agron Mustafa,Telekomi i Kosovës do të paguajë vetëm shpenzimet gjyqësore, të cilat janë shumë të vogla në raport me shumën e gjobës prej 32 milionë euro. Mirëpo Mustafa nuk e bëri publike as përmbajtjen e marrëveshjes që e nënshkroi , e as se sa miliona euro do t`ia paguhen Blerim Devollit, gjoja në emër të shpenzimeve gjyqësore.

Image

 

Kontrata nuk shkëputet

Në pyetjet e gazetës " Kosova Sot", se a do të shkëputet kontrata e dëmshme dhe kriminale me "Z-Mobile", drejtori i PTK-së, Agron Mustafa, tha se duhet të kemi kujdes kur nënshkruajmë kontrata dhe në momentin e nënshkrimit të saj rrjedhin obligime ligjore për të dyja palët dhe secila kontratë me klauzola parasheh vazhdimësinë apo shkëputjen e saj. "Në këtë rast shkëputja e kontratës me 'Z-Mobile' nuk ka qenë asnjëherë në tavolinë e nuk është as sot. Nga sot është një fazë e re në mes të dyja kompanive dhe po fillon një kapitull i ri për të dyja palët", potencoi ai. Ndërsa, ndaj akuzave në adresë të tij, Blerim Devolli tha se nuk është e vërtetë çfarë thuhet. "Ngase mund të shkoni në prokurori dhe të verifikoni a ka apo nuk ka akuza ndaj neve, sepse këto janë publike", u shpreh ai. Por, kjo falje, duket se nuk është e rastësishme. Burime nga prokuroria thonë se ka marrëveshje të fshehtë në mes të Blerim Devollit me pronarët e vërtetë të "Z-Mobile", ngase ka dyshime të mëdha se ata janë figura të larta politike, që të mos i kërkojnë 32 milionë eurot e Arbitrazhit, për ta "shpërblyer" me moshapjen e hetimeve nga prokuroria. Së këndejmi, analistët e kësaj fushe e shtrojnë çështjen se përse ARKEP-i dhe PTK-ja, as që po guxojnë që të iniciojnë ndërprerjen e kontratës me " Z-Mobile" ,pasi pronarët e vërtetë të kësaj kompanie ka dyshime të mëdha se janë figura të larta politike në Kosovë. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e Gazetës në adresë të Prokurorisë së Shtetit, ARKEP-it dhe PTK-së zyrtarët e tyre nuk janë përgjigjur.

 
Image

 

 

Godet me vonesë Mustafa

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka reaguar në "Facebook" pas riaranzhimit të marrëveshjes Telekom, ish-PTK me "Z- Mobile", sipas të cilës "Z-Mobile" heq dorë nga dëmshpërblimi i Telekomit në shumën prej 30 milionë euro."Asnjë riaranzhim nuk mund ta shmangë përgjegjësinë për dëmin që i është shkaktuar Telekomit. Vendosmëria ime për të mos paguar me taksa të qytetarëve gjobën e shqiptuar nga Gjykata e Arbitrazhit për Telekomin e Kosovës, rezultoi me tërheqjen e paditësit, "ZMobile". Tërheqja e sotme nga kërkesa për shlyerjen e borxhit, është edhe një dëshmi shtesë se marrëveshja mes Telekomit, ish-PTK-së, me "ZMobile" ka qenë e kundërligjshme dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës dhe për pasurinë nacionale të Kosovës. Po ashtu, është dëshmi tjetër se edhe prapa kontestit gjyqë- sor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës", ka shkruar Mustafa. "Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksionare të Telekomit të Kosovës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbrojtje të interesave të taksapaguesve kosovarë, punonjësve të Telekomit të Kosovës dhe pasurisë nacionale të Kosovës, ua bën të qartë nënshkruesve të kontratës, zbatuesve dhe moszbatuesve të saj, si dhe strukturave që kanë qëndruar prapa këtij procesi zhvatës për vite të tëra, se asnjë aranzhim i ri nuk do të mund t'i shpëtojë nga përgjegjësia për dëmin që i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës dhe pasurisë nacionale të Kosovës me nënshkrimin, zbatimin dhe moszbatimin e kësaj kontrate të dëmshme. Çfarëdo aranzhimi i ri për të mbuluar këtë skandal të madh, nuk do të mund të amnistojë autorët e kësaj skeme mashtrimi…Qeveria e Republikës së Kosovës është dhe do të jetë e vendosur që dëmin e shkaktuar përmes asaj marrëveshjeje ta paguajnë përgjegjësit për nënshkrimin, zbatimin dhe moszbatimin e saj, e jo qytetarët e Republikës së Kosovës, pasuria e të cilëve është dëmtuar me atë marrëveshje skandaloze", ka thënë Mustafa

"Zemërgjerësia" e pabesueshme

Analisti Florim Zeqa tha se kësaj radhe "zemërgjerësia" e Blerim Devollit i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e imagjinatës njerëzore."T'i kthehen mbrapa 32 milionë eurot e fituara të Arbitrazhit, kompanisë ("VALA") në kontekst gjyqësor, janë pak më tepër se zemërgjerësi, janë akt i frikës nga konsekuencat e tjera gjyqësore apo pretekst për shpërblimin e dhjetëfishit të tyre në raste të tjera. Sido që të jetë, tërheqja e Blerim Devollit nga 32 milionët e fituar në Arbitrazh i ka vënë në lajthitje edhe skeptikët më të mëdhenj, që e kishin të vështirë të besonin në përfshirjen e "Devolli Group" në afera korruptive", tha ai. "Një tërheqje e tillë taktike mund të jetë bërë jo për çështje humanitare, por për çështje kompromisi për mosndjekje penale të Devollëve për afera të tjera korruptive shumëfish më të mëdha, me qëllim të ikjes nga pasojat e ndëshkimit nga drejtësia dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme. Ka shumë të ngjarë, se në marrëveshjen "Vala"- " Z- Mobile" mund të jenë të përfshirë figura të larta partiake dhe shtetërore", ka thënë ai. Analisti Zeqa është i mendimit se zbardhja në detaje e kësaj marrëveshjeje është detyrë e Prokurorisë së Shtetit dhe instancave ndërkombëtare, pasi me këtë marrëveshje skandaloze u sfidua në radhë të parë vendimi i Arbitrazhit ndërkombëtar dhe drejtësia vendore."Me të ashtuquajturën marrëveshje "Vala" - "Z-Mobile", që kjo e fundit gjoja mos t'i marrë 32 milionë euro të zhvatura nga procesi i Arbitrazhit me Telekomin e Kosovës, ka mbetur mister i pazbuluar, se çka në të vërtetë përmban ajo marrëveshje dhe çfarë vlere do t'u kompensohet Devollëve nga "Vala" në emër të gjoja "shpenzimeve" shumë të larta", theksoi ai.

(Kosova Sot)