Investitorëve u kërkohet "haraç" nga pushtetarët e të dyja niveleve

  • 28 May 2017 - 07:33
Investitorëve u kërkohet

Bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mësohet se Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë kanë rënë në nivelin më të ulët që ndonjëherë kanë qenë në vendin tonë. Sipas tyre, Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë kanë arritur vlerën prej 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 308.8 milionë euro të regjistruar në vitin 2015. Ndërkaq, analistët e ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe thonë se përgjegjëse për këtë situatë janë së bashku, qofshin pozita që ishte në pushtet e po ashtu edhe opozita, ku edhe përmes komunave ku qeverisin dhe ku po dyshohet se po shesin leje ndërtimi, si rasti në Prishtinë me Shpend Ahmetin dhe jo vetëm me të, po ndikojnë në këtë mënyrë me të madhe në rënien e investimeve të huaja për të shkak të jostabilitetit politik që po mbretëron në vendin tonë. Po këta ekspertë dhe përfaqësues të bizneseve kanë frikën se edhe me qeverinë e re do të vazhdojë agonia në rënien e investimeve të huaja në Kosovë edhe për shkak të faktorëve të tjerë, si ryshfetet, sundimi i dobët i ligjit etj. Kjo ngase sipas tyre mund të ndodhë që të ketë rënie investimesh pasi kush është ai investitor i huaj që do të investojë në një vend si Kosova, ku ekonomisë ia kanë zënë frymën oligarkët e bizneseve. Ndërkaq, njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se kriza politike, Gjyqësori joefikas dhe pushtetarët e pistë, që në shumë raste si po flitet ata po u kërkojnë haraç të huajve, janë disa nga indikatorët e rënies së investimeve të huaja. Analistët vlerësojnë se fatkeqësisht që nga pavarësia qeveritë e Kosovës në vazhdimësi kanë qenë pa timonier dhe pa lidership zhvillimor.

Bizneset pesimiste

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, vlerëson se pasiguria politike e viteve të fundit, përkatë- sisht jostabiliteti politik që ka mbretëruar në vendin tonë, apo më saktësisht skenat e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kanë qenë mesazhi më i keq që kemi mundur t'i dërgojmë investitorëve të huaj. "Veç saj janë mungesa e madhe e sundimit të ligjit, përkatësisht mosefikasiteti i sistemit gjyqësor, ku siç dihet ka ndodhur që me vite një biznes vendor apo i huaj ka qenë dashur për të pritur vendimin për një kontest gjyqësor, andaj ky mosefikasitet i Gjyqësorit është mesazhi tjetër shumë i keq që po u dërgojmë investitorëve të huaj", tha ai. Ndërsa nënkryetari i AKB-së, Bashkim Osmani, thotë se në të gjitha raportet ndërkombëtare që flasin për situatën politiko-ekonomike në Kosovë thuhet se krimi i organizuar, korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit, përkatë- sisht mosefikasiteti i Gjyqësorit, janë disa nga indikatorët kryesorë që po i largojnë investitorët e huaj që nga pavarësia e vendit e deri më sot. Sipas Osmanit, një element tjetër me shumë rëndësi është kërkesa e pushtetarëve të të dyja niveleve, ku në shumë raste nga investitorët e huaj është kërkuar "haraçi" apo pjesa e "tallit" nga ana e pushtetarëve tanë. "Edhe me qeverinë e re, që do të dalë nga këto zgjedhje nacionale, po nuk u evituan këto mangësitë kryesore, kam frikën se mund të vazhdojë agonia e rënies së investimeve të huaja në Kosovë, edhe për shkak të faktorëve të tjerë, si ryshfetet, sundimi i dobët i ligjit etj.", potencoi Osmani.

Investitorët nuhasin jostabilitet

Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar, Berim Ramosaj, tha se investitorët potencialë, qoftë vendorë apo të huaj, janë pala më e ndjeshme në këto raste, ngase ata i nuhatin këto procese kur janë në pyetje investimet serioze ."Kjo ngase situata e brishtë dhe e pasigurisë politike që ka mbretëruar viteve të fundit, si edhe ndarja që është bërë tash në dy blloqe apo në tri grupe të interesit për këto zgjedhje, nuk po u japin shumë perspektiva stabile investitorëve potencialë", u shpreh ai. Ramosaj thotë se ata që duan të investojnë në Kosovë kanë pritur një klimë më të mirë, qoftë në krijimin e kushteve për një mjedis më të përshtatshëm apo kanë pritur një stabilitet më të lartë politikë, qoftë ofrim të Kosovës në BE."Në këtë rast investitorët janë pala më e ndjeshme dhe që nuhasin më së shumti paqëndrueshmërinë politike dhe atë ekonomike në Kosovë", u shpreh Ramosaj. Por, ai mendon se në një të ardhme të afërt do të përmirësohet gjendja e investimeve të huaja në Kosovë, sepse tek e fundit, sipas tij, do të sqarohet qeverisja në Kosovë, përkatësisht siç thotë ai do të sqarohen pozicionet ideologjike, ngase, sipas tij, mund të fitojë ndonjë parti e djathtë që u jep shanse investitorëve të huaj, duke marrë parasysh politikën e takave dhe politikat tatimore etj."Kjo situatë nuk ka refleksion afatshkurtër, por ka një refleksion afatgjatë, prandaj edhe ndryshimet pozitive në Kosovë nuk duhet të priten në afat të shkurtër, por në një afat të gjatë", tha Ramosaj. Ai këtë e arsyeton me faktin se remitancat sot janë faktorë kyçë për Kosovën dhe në anën tjetër gjithçka që blejnë qytetarët tanë, duke filluar nga produktet elementare dhe ato më luksoze, të gjitha vijnë nga importi që në njëfarë mënyre vetëm eksportojmë para, kurse po importojmë mallrat, por edhe ato pak mjete e para që po fitohen në Kosovë nga ekonomitë familjare apo biznesi për fatin tonë të keq po barten jashtë vendit. 

Klima e pafavorshme biznesore

Njohësi i fushës së ekonomisë dhe bankieri Milazim Abazi thotë se investimet e huaja direkte, më të lartat në Kosovë, kanë qenë në vitin 2007, në shumën prej 478 milionë euro. Ai saktësoi se prej shpalljes së pavarësisë e këtej në Kosovë vazhdimisht investimet e huaja direkte kanë qenë në rënie. "Investimet e huaja në Kosovë kanë rënë kryesisht për këto shkaqe: Mungesa e sundimit të ligjit, klima e pafavorshme biznesore, korrupsioni i lartë, administrata publike joprofesionale dhe mungesa e angazhimeve qeveritare drejt projekteve për aktivizimin e 'Trepçës', shfrytëzimit të qymyrit dhe të minierave dhe mineraleve", theksoi ai. Bankieri Abazi ankohet se fatkeqësisht që nga pavarësia qeveritë e Kosovës në vazhdimësi kanë qenë pa timonier dhe pa lidership zhvillimor, andaj edhe kjo situatë ka bërë që në vendin tonë gjatë këtyre viteve të kemi një rënie drastike të investimeve të huaja. Kurse, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se shkaktar i rënieve të investimeve të huaja janë korrupsioni dhe pushteti i kaluar PDK-LDK. "Kjo ngase është një shifër me diferencë shumë të madhe, në mes 215 milionë investimeve në krahasim me 308 milionë investime", u shpreh ai. Grapci shpreson që pushteti dhe qeveria e re që do të krijohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit të sjellin ndryshime pozitive, duke filluar nga luftimi i korrupsionit e deri te krimi ekonomik dhe i organizuar, e gjitha këto duhet që të bëhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Por, ai vlerëson se qofshin pozita apo edhe opozita në një mënyrë janë fajtorë për rënien e investimeve dhe ikjen e investitorëve nga Kosova, siç është rasti në qytetin e Prishtinës, ku po sundon Shpend Ahmeti

Diasporës t'i bëhet ofertë konkrete

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha se Republikës së Kosovës i duhet një model i qeverisjes së re që është shumë dinamike, zhvillimore, e fuqishme, profesionale dhe e palëkundur për zhvillim ekonomik, për të mirën e qytetarëve."Për të arritur këtë qëllim duhen investime të huaja nga kompanitë dhe brende të huaja që janë prestigjioze dhe të cilat do të hapnin vende të reja pune dhe në të njëjtën kohë do të bënin edhe ndërrim të strukturës së ekonomisë së vendit", u shpreh ai."Investimet e jashtme duhen që të jenë prioritet i qeverisë së ardhshme për realizimin e zhvillimit ekonomik të hovshëm, për tërheqjen e investitorëve të jashtme duhet të krijohen nga qeveria e ardhshme edhe disa parakushte janë sundimi dhe rendi ligjor, siguria e plotë dhe garanci për investitorët, si dhe garanci për fitimin e investitorit", tha ai. Neziraj vlerëson se nga Qeveria e ardhshme duhet që të krijohen kushte të veçanta lehtësuese për investitorët e huaj, e sidomos investitorët nga diaspora jonë që ka kontribuar në të gjitha proceset që ka kaluar vendi. "Deri më tani nga të gjitha qeveritë edhe në këtë të fundit është bërë shumë pak për investitorët e huaj", potencoi Neziraj.

 Kosova Sot