KPK aprovon kërkesën për kompensim të prokurorëve më 11 qershor

  • 29 May 2017 - 14:53
KPK aprovon kërkesën për kompensim të prokurorëve më 11 qershor

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë aprovuar kërkesën e Koordinatores nacionale për zgjedhje, Laura Pula, për kompensimin e prokurorëve dhe stafit mbështetës për angazhimin e tyre në ditën e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.

Aprovim KPK-ja e dha në takimin e sotëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj. 

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial shqyrtuan edhe raportin e Koordinatorit Kombëtar për luftimin e Krimit Ekonomik për periudhën janar-mars 2017. Anëtarët e KPK-së me disa sugjerime, miratuan raportin. 

Anëtarët e KPK-së, shqyrtuan dhe aprovuan pikën për procedurat standarde të veprimit për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ky plan ka për synim ngritjen e efikasitetit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje gjatë procedimit të këtyre rasteve në prokurori. Ky efikasitet synohet të arrihet përmes caktimit të prokurorëve të veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. 

Gjithashtu, anëtarët e KPK-së shqyrtuan dhe aprovuan Rregulloren me Nr. 04/2017, për Klasifikimin e Informacioneve të sistemit prokurorial. Kjo rregullore ka për qëllim klasifikimin e informacioneve të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, e cila do të zbatohet për tërë sistemin prokurorial. 

Po ashtu, anëtarët e KPK-së, me sugjerimet e dhëna aprovuan Rregulloren me Nr. 05/2017, me, e cila ka për qëllim të përcaktojë organizimin  e punës dhe përgjegjësitë e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, si komision i përhershëm i Këshillit Prokurorial. Fushëveprimi i kësaj Rregullore është veprimtaria e Komisionit që lidhet me planifikimin, shqyrtimin rekomandimin, menaxhimin dhe monitorimin e buxhetit të KPK-së. 

Kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Reshat Millaku, për vazhdimin e transferimit të Prokurorit, Abdurrahim Islami edhe për gjashtë muaj e aprovuan anëtarët e Këshillit Prokurorial. 

Si pikë e fundit e rendit të ditës që shqyrtuan dhe aprovuan anëtarët e KPK-së, ishte kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, që për udhëheqës të Departamentit të Krimeve të Rënda, të caktohet prokurori Kujtim Munishi.

(Kosova Sot)