"Fillimi" fatal i Kadri Veselit

  • 19 June 2017 - 07:52

Debakli i madh zgjedhor, që pësoi PDK-ja në zgjedhjet e 11 qershorit, nga këndvështrimi i analistëve politikë po shihet si një nisje tepër e keqe e kreut të ri të PDKsë, Kadri Veseli, me atë projektin e tij pompoz "Fillimin e Ri", në krye të PDK-së. Sipas analistëve, këto zgjedhje dëshmuan se PDK-ja me Veselin në krye është humbësja më e madhe në zgjedhjet e 11 qershorit, gati duke e përgjysmuar numrin e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës që kishte në mandatin e fundit, por edhe në mandatet paraprake. Kështu nëse krahasojmë numrin e ulëseve të kësaj partie me vitin 2014, del se Partia Demokratike e Kosovës ka më pak deputetë, madje me një numër gati të përgjysmuar. Siç dihet, koalicioni i PDK-së i vitit 2014 arriti të marrë 37 deputetë, ndërkaq 2 prej tyre ishin të Partisë së Drejtësisë, ndërkaq 35 të tjerë i takonin Partisë Demokratike të Kosovës. Por, në vitin 2017, sipas rezultateve jozyrtare, situata ka ndryshuar për të keq në PDK. Kështu edhe pse koalicioni PAN arriti të marrë 39 ulëse në Kuvendin e ri të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës për herë të parë pas vitit 2007, e madje për herë të parë pas luftës, do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me vetëm 21 deputetë të saj. Kjo rënie e madhe e PDK-së, sipas analistëve, po i bëhet faturë Kadri Veselit, për çmimin që duhet të paguajë PDK-ja si rezultat i keqqeverisjes për një kohë të gjatë nga PDK-ja, nga klani 'Pronto', nga këshilltari i tij, Baton Haxhiu, por edhe "aderimi" i disa figurave kontroverse, si Arbana Xharra, të cilat lëre që nuk i sollën fare vota, por irrituan qytetarët për të mos e votuar më kurrë PDK-në definitivisht të degraduar

Ndëshkim i arrogancës dhe banditizmit politik

Sipas njohësit të afërt të zhvillimeve politike, Naim Miftari, PDK-ja tash me të drejtë po e paguan faturën e qeverisjes kriminale. "Rezultati i PDK-së është rezultat i arrogancës, keqpërdorimeve, korrupsionit, banditizmit politik dhe ekonomik, është rezultat i izolimit dhe varfërisë ekstreme që e kanë sjellë udhëheqësit e PDK-së (me disa parti të tjera në pushtet), në krye me Hashim Thaçin e Veselin në hije, me Grabovcin e pastaj me kryeministrat e dështuar si Bajram Rexhepi, Bajram Kosumi, Agim Çeku e Isa Mustafa. Pra, një fjalë e popullit thotë se çka ta mbjellësh do ta korrësh edhe këta si janë sjellë edhe do të shpërblehen", tha Miftari. Ai mendon se me gjithë tentimet për ta ruajtur kinse rejtingun e partive, kinse shtetformues, siç e quajnë disa veten, e në fakt janë parti shtetshkatërruese, ku asnjë resurs jetik apo politik i Kosovës nuk ka rezultate politike as ekonomike."Tani nuk i sollën asgjë as përforcimet kinse me individë kontroversë dhe njerëzit jo të sinqertë, përforcimet me analistë, që shumica janë të anshëm dhe jo të drejtë në analizat e tyre, por opinionin publik, këta analistë apo gazetarë i përdorin si trampolinë me hy në politikë, por nuk u ndihmuan, madje as propaganda e 'Klan Kosovës' apo afërsia e kreut të PDKsë me Baton Haxhiun, dikur postier dhe emisar i besuar i Ivica Stanishiqit, krye shefit të UDB-së serbe, e sot "vëlla" me Thaçin, Veselin dhe Edi Ramën...", ka potencuar Naim Miftari.

Image

 

Llogaritë e gabuara të kryetarit

Analisti politik, Florim Zeqa, pohon se llogaritë parazgjedhore të kreut të PDK-së, Kadri Veseli, i dolën gabim, përtej parashikimeve të të gjithëve, prandaj edhe dështoi kaq rëndë."Fillimisht u mashtrua në lidershipin e tij të paformuar në parti pas zhvendosjes së Thaçit në postin e presidentit, duke harruar faktin se lidershipi nuk krijohet brenda natës. Kështu PDK-ja në krye me Veselin e ekzaltuar pas pushtetit pësoi humbjen më të rëndë në historikun e saj. Mashtrimi tjetër fatal Kadri Veselit i ndodhi në llogaritë e gabuara nga koalicioni i gjerë me partitë minore dhe aderimin e disa figurave kontroverse, siç ishte rasti me Arbana Xharrën e disa të tjerë. Megjithatë, në humbjen katastrofale si subjekt politik në zgjedhje i ka ndikuar lidhja e koalicionit në minutat e fundit me AAK-në e NISMAn, të cilat i ndikuan negativisht në zvogëlimin e numrit të deputetëve të PDK-së në legjislaturën e re të Kuvendit. Kështu për dallim nga legjislatura e kaluar e Kuvendit, në legjislaturën e re PDK-ja do të hyjë pothuajse me numër të përgjysmuar të deputetëve", tha Zeqa. Sipas tij, jo vetëm kaq, faturë e humbjes së Kadri Veselit në zgjedhjet e 11qershorit iu bë edhe keqqeverisja tetëvjeçare e klanit "Pronto" dhe këshilltarëve me të kaluar të dyshimtë, elemente këto që irrituan në masë të madhe elektoratin tradicional të këtij subjekti politik, i cili kësaj radhe votën e vet e orientoi në drejtim të VV-së. "Tani krahas rënies drastike në zgjedhje, dëshpërues dhe tepër i dhimbshëm për Kadri Veselin do të mbetet fakti i humbjes së rastit për të qenë mandatar për krijimin e qeverisë, që ishte si arsyeja e vetme e tij për prishjen e koalicionit qeverisës me LDK-në", ka potencuar Zeqa.

Koalicioni me pasoja

Analisti Albrim Badallaj mendon se PDK-ja është dëmtuar nga lidhja e koalicionit parazgjedhor me subjektet e tjera, të cilat PDK-së i kishin vendosur më parë edhe vija të kuqe, kurse Veseli bëri kompromis të madh kundrejt tyre. "Realisht, PDK-ja ka pësuar nga koalicioni parazgjedhor me AAK-në dhe NISMËN, e kjo është reflektuar me pakënaqësi nga të dyja taborret. Ndryshimi i qëndrimeve dhe vijave të kuqe nga AAK-NISMA ka ndikuar që votuesit e tyre të mos u japin votë kandidatëve të PDK-së, nga ana tjetër votuesit e PDK-së kanë votuar edhe deputetë të partive tjera", u shpreh ai.

Goditja e partive të mëdha

Politologu Arsim Haziri ka gjykim më kritik. "Zgjedhjet nacionale të 11 qershorit përpos që e deklasuan PDK-në në nivel elektoral njëherësh shpërfaqen edhe dobësinë e Kadri Veselit. Sot PDK-ja sipas gjitha gjasave numëron afro 21 deputetë në Parlamentin e Kosovës, shifër jashtëzakonisht e minimizuar në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014, kur numëronte 34 deputetë. Pra, elektorati si PDK-në si sinonim i krimit dhe keqpërdorimit, ashtu edhe LDK-në tejet shumë i ndëshkoi, duke e vërë në pah maksimën se vendit i duhet qeverisje në baza qytetare dhe e përputhshme me nevojën qytetare. Këto zgjedhje nokautuan PDK-në dhe LDK-në, duke fuqizuar skajshmërisht Lëvizjen 'Vetëvendosje', duke ua dyfishuar rezultatin zgjedhor mjaft shumë", tha Arsim Haziri. Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se ka shumë faktorë që determinuan rezultatin e keq në zgjedhje për PDK-në. "Në njërën, krimi, korrupsioni, kontrabanda, nepotizmi, klientelizmi, i cili është instaluar nën udhëheqjen e PDK-së, e që ka prodhuar një mjerim socioekonomik ,varfëri, papunësi, humbje të perspektivës për të rinjtë. Kurse në anën tjetër, ndryshimi në udhëheqjen e PDK-së, afera e famshme"Pronto", koalicioni i panatyrshëm më AAK-në, NISMËN dhe subjektet e tjera politike, aderimet e personave kontroversë dhe një mori faktorësh të tjerë. Edhe ashtu, PDK-ja rënien e saj e ka filluar shumë më herët, por nuk dyshim se kësaj herë pësoi debakël në zgjedhje", theksoi ai.

Llogaridhënia e munguar për SHIK-un

Sipas analistit Ahmeti, Kadri Veseli fillimisht ishte dashur të japë llogari e përgjegjësi për kohën sa ka udhëhequr SHIK-un, e dyshuar si organizatë kriminale, e tek pastaj të marrë nën udhëheqje PDK-në dhe të jetë pjesë e institucioneve të rëndësishme publike."Është një vendim i mirë i sovranit, pasi që ndëshkimi me votë korrespondon disiplinim për politikanë e me theks të veçantë për partitë politike, pasi që shteti nuk është pronë e askujt dhe duhet të veprojë e të punojë për interesa të përgjithshme qytetare, e jo një komunitet i vogël njerëzisht të përkthejnë çdo gjë publike në interesa të ngushta politike, klanore e klienteliste", ka potencuar Ahmeti. Ndërsa analisti Muhamet Kelmendi thotë se dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë kanë bërë që kryesisht PDK-ja të paguajë dënimin më të lartë. Sipas tij, një dënim të tillë e ka paguar edhe LDK-ja. "PDK-ja që nga pavarësia nuk bëri asgjë tjetër, por në koalicion me LDK-në, me vonë me AKR-në dhe së fundi përsëri me LDK-në, e kapën shtetin në të gjitha poret e veta. Ata e shtrinë pushtetin në polici, në prokurori dhe në gjykata. Gradualisht u instaluan nëpër subjektet profitabile publike dhe bënë privatizimin e pasurisë, prej nga shumë udhëheqës të PDK-së u bënë me padurim me prona të patundshme, me qindra hektarë tokë dhe me shumë firma. Në këtë gjendje këtë parti nuk e shpëtoi askush. As çiftat e Batonave, Xharrave, apo X-ve të tjerë. Partia ishte në rënie. Këtë nuk e shpëtoi as Kadri Veseli, sepse në fakt ky ishte pjesëmarrës i punëve të ndyta", ka thënë Kelmendi.

(Kosova Sot)