Blloqet e ashpra, gjahu drejt AKR-së

  • 20 June 2017 - 07:49
Blloqet e ashpra, gjahu drejt AKR-së

Precedenti që ndodhi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të këtij viti, me krijimin e koalicioneve parazgjedhore edhe nga dy subjektet kryesore rivale politike PDK dhe LDK, ka bërë që edhe tani pas zgjedhjeve, politika kosovare të vazhdojë të mbetet e ndarë në dy, respektivisht tri blloqe, që po bllokojnë me paralajmërim formimin e institucioneve të reja paszgjedhore: një bllok e udhëheq PDK-ja dhe bllokun tjetër LDK-ja dhe lëvizja 'Vetëvendosje. Duke vlerësuar pozicionimin e tillë të subjekteve politike, analistët konsiderojnë se Kosova ka hyrë sërish në një qark të mbyllur të krizës politike dhe nuk ka shumë optimizëm për ndonjë dalje të shpejtë nga një ngërç i inateve të partive politike. Një dritë në fund të tunelit, për të gjetur zgjidhjen, po shihet vetëm "dezertimi" eventual i Behgjet Pacolli, duke ia bërë numrat PAN-it. Sidoqoftë analistët politikë edhe një kombinim të tillë e shohin joseriozë dhe të paqëndrueshëm, pasi që së fundi po del në skenë Beogradi, duke nxitur Listën Serbe për të paraqitur kushtet e tyre të hyrjes në koalicion, gjë që për PAN-in janë të papranueshme, si dhë- nia eventuale e kryeparlamentarit Listës Serbe. Nëse PAN-i nuk e bën qeverinë, PDK-ja vazhdon të këmbëngulë se nuk do të pranojë që kryeministër të bëhet Albin Kurti, gjë të cilën e mohoi nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri. Ai për më tepër thekson se edhe nëse PAN-i e bën qeverinë me ndonjë deputet dezertor, "kjo qeverisje do të ketë jetë më të gjatë se të Hasan Prishtinës dhe më të shkurtër se e Fan Nolit, sepse Hasan Prishtina ka qenë kryeministër vetëm gjashtë orë, ndërsa Fan Noli vetëm gjashtë muaj".

Image

 

Tri rryma politike

Politologu Albinot Maloku mendon se së pari duhet thënë se 11 qershori bëri që disa subjekte politike të pësojnë rritje, e disa ndryshim pozicionesh, pra më nuk e kemi atë renditjen PDK, LDK, AAK e 'Vetëvendosje', prandaj të gjitha këto kanë krijuar një situatë krejtësisht të re, kurse zgjidhja në funksion të ndërtimit të institucioneve të shtetit u takon si obligim që kanë para vetes, të gjitha partive politike pa dallim. "Rritjet, zvogëlimet e ndryshimet paraprakisht të subjekteve politike e më pastaj edhe të skenës politike në një sistem demokratik, çfarë synon ta ketë shteti i Kosovës, janë krejt normale e shumë të nevojshme. Edhe krijimi i blloqeve politike është pjesë e fillimit të emancipimit politik, që t'i iket pasjes së subjekteve të vogla ose fraksioneve politike. Tanimë kemi tri rryma politike, por vetëm dy nga ato pretendojnë formimin e qeverisë. Që të gjitha janë të rëndësishme për njëra-tjetrën, mirëpo më e rekomanduara do të ishte një koalicion mes PDK-AAK-NISMA dhe lëvizjes 'Vetëvendosje' sesa modalitetet e tjera. Dalja e deputetëve veç e veç për t'u bërë pjesë e formuesve të qeverisë së ardhshme është e gabueshme", u shpreh ai. "Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet t'i ketë brenda vetes ish-kundërshtuesit e Demarkacionit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Probleme këto që do të barten tek qeveria e re e vendit", tha Maloku

Image

 

LDK-ja me dy skenarë

Sipas politologut Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, Kosova sipërfaqësisht është në tri blloqe, por realisht janë dy blloqe të ndara, LDK-ja po mundohet ta luajë rolin e neutralit dhe në fund të bëjë koalicion me këdo dhe ta arsyetojë si në të mirë të proceseve të Kosovës, siç bëri zakonisht. "Krejt kjo mund ta lërë LDK-në jashtë, nëse ndodh kontrabandimi i deputetëve, që në fakt nuk besoj në atë që ka deklaruar Behgjet Pacolli. Apo mund të ketë edhe mundësi për ndonjë marrëveshje e fshehtë, ku LDK-ja rri jashtë, pasi ka nevojë për pushim dhe reformim dhe i jep vota kandidatëve të AKR-së që të marrin 4-5 deputetë dhe t'ia mundësojnë PAN-it qeverinë. Ndërsa, kushtet e Listës Serbe janë vetëm që të nxjerrin më shumë ministri, asociacion, e të tjera, sepse ato poste nuk i lejon t'i marrin as ndërkombëtarët. Por, një qeveri e PAN-it pa VV-në apo LDK-në është e rrezikshme dhe aspak stabile, andaj nuk është e preferueshme", tha Kuqi për "Kosova Sot". Në anën tjetër, nëse PAN-i nuk arrin ta bëjë qeverinë, sipas Kuqit, LDK-ja është e gatshme ta ndihmojë VV-në ta bëjë qeverinë, në hakmarrje të PAN-it, edhe pse kjo mund t'i kushtojë kësaj partie. Varianti i fundit, shkuarja në zgjedhje të reja, sipas Kuqit, mund ta avancojë vetëm 'VETËVENDOSJEN'.

Ndarja problematike

Analisti politik, Blerim Burjani, konsideron se ndarja ne blloqe të mëdha e ka lënë shtetin në një ngërç të ri politik. "LDK-ja ka arsyet e veta tash më të kuptueshme dhe të dijshme, të cilën e ka pamundësuar vetë PDK-ja të jetë pjesë e lojës institucionale, VV-ja nuk ka interesim, sepse s'ka as kapacitet për të qeverisur fare me shtetin, sepse ata luajnë lojën e mohimit bashkëpunues, duke tentuar edhe më tutje të rritet deri në zgjedhjet e ardhshme, sepse ky është plani strategjik i saj, VV-së", u shpreh ai. "Pra, kjo klasë aktuale grindëse dhe fyese ndërmjet vete janë përgjegjës kryesorë, që e kanë sjellë shtetin deri këtu, pa shpresë për një të ardhme të mirë për qytetarët. Si përfundim, kjo tregon domosdoshmërinë e paraqitjes në skenën politike të një partie tjetër politike për të ndalur këtë trend të papërgjegjësisë. Pacolli ka thënë se nuk duhet të ndalet funksionimi i shtetit, e kjo jep shpresë te PAN-i se Behgjeti do të lëvizë politikisht me deputetët e vet, edhe pse edhe ai më herët ka deklaruar se nuk do të shkojë me PAN-in", tha Blerim Burjani. Mbi këtë bazë ai pret që PAN-i të tenton të formojë qeveri me partitë minoritare dhe me disa deputetë të partive tjera, që kanë fituar mandate, por kjo qeveri edhe po të bëhet do të jetë joefikase , jostabile e paaftë për të nxjerrë vendime të rëndësishme për shtetin.

Lëshimet e pritshme

Edhe Arsim Haziri vlerëson se PAN-i do të mundohet t'i kontrabandojë disa deputetë të koalicionit LAA, dhe pjesë e këtij kontrabandimi do të jenë eksponentë të AKR-së. Në të kundërtën ai thotë se duhet aplikuar modeli i Maqedonisë. "Për të besuar në këtë dezertim, sadopak një element të tillë e kishte shprehur edhe Pacolli. Vërtet në politikën tonë janë dy konfrontime ose blloqe, ata të cilët mbajnë faturën për degradimin e vendit, si dhe këta të cilët mbajnë mundësinë se vendit mund t'i japin qeverisje të mirë. Mirëpo, gjykimi im në relacion konsideroj se do të jetë kështu, PAN-i nuk do të dorëzohet për t'ia dhënë mandatin subjektit të dytë në këtë rast LVV-së, këta do t'i shfrytë- zojnë gjitha mundësitë vetëm, ndoshta do të bëjnë edhe lëshime për Listën Serbe, vetëm që të mos ndihen humbës në këtë situatë politike", u shpreh Haziri. Edhe sipas Skënder Mulliqit, formula e parë për formimin e institucioneve të shtetit do të jetë PAN-i bashkë më AKR-në e Pacollit, i cili subjekt politik sipas të gjitha gjasave do t'i bashkëngjitet këtij koalicioni bashkë me pakicat. "Formimi i qeverisë, sipas kësaj formule, nëse nuk i bashkëngjitet edhe ndonjë subjekt tjetër do ta këtë shumë vështirë ta kryejë punën karshi shumicës opozitare. Do të kemi paqëndrueshmëri, për shkak të proceseve të vështira, të cilat e presin Kosovën, dhe kushtëzimet politike të rënda të Listës Serbe", tha Mulliqi.

( Kosova Sot )