Milionat e pistë të fushatës rrjedhin nën hundën e Prokurorisë

  • 23 June 2017 - 08:03
Milionat e pistë të fushatës rrjedhin nën hundën e Prokurorisë

ZERO TRANSPARENCË PËR FINANCAT E SUBJEKTEVE POLITIKE

Sponsorimet e paligjshme çojnë në afera korruptive pas formimit të qeverisë

"Bazuar në praktikat e deritanishme, dyshohet se të gjithë e kanë nga një mbështetës, i cili po financon duke i kushtëzuar ndoshta me ardhjen në pushtet, kur do t'i shpërblejë partia fituese me tenderë dhe pastrim parash, siç janë tani Devollët dhe shumë kompani të tjera oligarkike simotra me këto", ka thënë Ali Hertica

Kosova këtë vit organizoi për të gjashtën herë zgjedhjet e nivelit qendror, në një realitet të ri të demokracisë së pasluftës, e ku partitë politike në garën zgjedhore vazhdimisht kanë shpenzuar miliona euro, por asnjëherë nuk kanë qenë transparente në raport me votuesin, sado që në fushata angazhohen për transparencë dhe llogaridhënie të plotë para sovranit. Derisa politika vazhdimisht ka mashtruar, nuk e ka treguar të vërtetën për koston e shpenzimeve dhe burimet e financimit, edhe institucionet e drejtësisë, Prokuroria e Shtetit vazhdimisht heziton të kontrollojë financat që i kanë përdorur partitë politike gjatë fushatave zgjedhore, kur vetëm gjatë fushatave shpenzohen miliona euro, ndërsa deklarohen vetëm aq sa e parasheh ligji. Sipas analistëve politikë, me këtë mosveprim nga ana e Prokurorisë së Shtetit kjo e fundit pa të drejtë po i ik përgjegjësisë, po lejon që nëntoka në tandem me politikën të tallen me qytetarët e Kosovës dhe asnjëherë të mos zbardhet se ku është burimi i këtyre parave të pista që u jepen partive politike në "cash" nga mafio-biznesmenët për t'u shërbyer partitë politike për fushatën zgjedhore dhe blerjet e votave, e për t'iu kthyer pastaj atyre nga po ato parti politike pas marrjes së pushtetit në forma të ndryshme të tenderimit e favorizimit.

Ligji i xhunglës

Sipas analistit politik Gurakuq Kuqi, një sjellje e tillë e partive dhe institucioneve të së drejtës ngjason me vendet ku sundon ligji i xhunglës. "Partitë politike kanë mjaft luks në Kosovë dhe një parajsë për të mos dhënë llogari për financat e tyre, të ardhurat dhe shpenzimet. Në Kosovë ka rregulla ligjore dhe vendime nga KQZ-ja për financim të partive politike, por partitë politike në Kosovë të gjitha ose janë në pushtet ose të afërta me pushtetin dhe kanë fuqi mbi ligjin që ata të veprojnë si duan vetë pa llogaridhënie. Edhe prokuroria është ekapur nga të fuqishmit dhe atyre as që guxojnë t'u shkojë ndërmend për hetime të tilla e lëre më të veprojnë", është shprehur ai."Partitë politike në Kosovë mbajnë një rrjet të gjerë të zyrave dhe militantëve të vet, pastaj shpenzime të mëdha edhe për fushata, ku nuk do shumë mend që të shihet se nuk përputhen deklarimet e tyre me realitetin. Madje, fushata elektorale që përcaktohet nga KQZ-ja, si kjo e fundit 10 ditore, është që vetëm për këto ditë të jepet një llogaridhënie e shpenzimeve dhe të thuhet se po zbatohet ligji, ndërsa fushata që është bërë më herët nuk hulumtohet dhe as nuk i jepet askujt llogaridhënie, pra këtu bëhet një krim ligjor", vijoi më tutje Kuqi."Të kemi parasysh Ligjin për financimin e partive politike dhe sa e si mund të financojë një person apo biznes prokuroria sikur të merrte vetëm pak masa dhe të investigonte njerëzit dhe bizneset që kanë dhënë donacione e sheh se një pjesë e tyre janë subjekte që vetëm se kanë qenë një urë lidhëse për të dhënë para se në të vërtet ata nuk kanë para as për vete dhe se bizneset e mëdha fondet që i kanë të deklaruar janë vetëm një përqindje shumë e vogël", theksoi Gurakuq Kuqi për "Kosova Sot".

Image

Financuesit shpërblehen pas ardhjes në pushtet

Analisti Ali Hertica pohon për "Kosova Sot" se kjo praktikë e mos dhënies llogari është bërë normale në shtetin e Kosovës, ku drejtësia nuk është në nivel, prandaj nuk pret që së paku as për zgjedhjet e fundit parlamentare politika ta tregojë të vërtetën për paranë e shpenzuar dhe burimin e financimit të plotë të fushatës. "Të gjitha partitë politike, të cilat ishin pjesëmarrëse në zgjedhjet nacionale, edhe në të kaluarën, por edhe tani, janë treguar jotransparente sa i përket çështjes së financimit të tyre se nga kush janë siguruar financat e tyre dhe nga e kanë burimin e vërtetë. Mirëpo, bazuar në praktikat e deritanishme, dyshohet se të gjithë e kanë nga një mbështetës, i cili po financon duke iu kushtëzuar ndoshta me ardhjen në pushtet, kur do t'i shpërblejë partia fituese me tenderë dhe pastrim parash, siç janë tani Devollët dhe shumë kompani të tjera oligarkike simotra me këto", ka thënë ai."Tani jemi në vitin e katër që financat e partive politike fare as nuk auditohen dhe thjesht ne nuk e dimë se sa para i shpenzojnë partitë politike dhe nuk e dimë se qysh i shpenzojnë ato para dhe kah marrin, nga bizneset apo nga qytetarët. Të gjitha këto miliona euro do t'u shpërndahen po atyre bizneseve që kanë dhënë donacione për vite të tëra, më pastaj përmes procesit të tenderimit", është shprehur Hertica. Sipas tij, kjo formë e kthimit kriminal të parasë për fushatë ndaj financuesve bëhet, sidomos nga partitë politike që kanë qenë në pushtet dhe e rimarrin atë, sepse ato janë të msitnuara nga këto banda të krimit ekonomik dhe zhvatjes së pasurisë së shoqërisë kosovare.
Lidhjet klienteliste biznes-partiSipas analistit politik Reshat Sahitaj, kudo në botë fushata zgjedhore përkrahet nga biznesmenët deri në një shumë të caktuar paraprakisht, mirëpo në shtetet perëndimore e kanë të instaluar një sistem strikt të kontrollit mbi biznesmenët dhe mbi partitë politike në atë mënyrë që në rast të tejkalimit të shumës merren masa ndëshkuese për të dyja palët."Kosova është rast specifik për çdo fushë të veprimtarive, ku nuk ekziston kontrolli për asgjë ose nëse ekziston vlen vetëm për individë të varfër e kurrë për klasën politike. Nga kjo zbrazëtirë, ku lejohet çdo gjë e nuk lejohet asgjë, përfitojnë partitë politike dhe personalitetet e tyre duke e pasur pas vetes përkrahjen e gjyqësisë dhe prokurorisë të cilët janë të nominuar nga kjo shtresë politike. Biznesmenët janë të varur nga politika, sepse pasurinë e tyre të paligjshme e kanë fituar duke qenë të favorizuar nga qeveria e që kemi shembuj të panumërta mbi përfitimet marramendëse të biznesmenëve dhe zyrtarëve shtetërorë", tha Sahitaj për "Kosova Sot". Ai mendon se në këto rrethana për të qenë biznesmen i suksesshëm nevojitët të marrësh tenderë të fuqishëm nga qeveria, për të ndërtuar një ndërtesë shumëkatëshe duhet të paguash ilegalisht zyrtarët komunalë dhe në këtë mënyrë pasurohen dy palët: zyrtarët dhe biznesmenët. "Ekziston një raport i shkëlqyeshëm në mes të zyrtarëve dhe biznesmenëve, sepse kanë interesa të përbashkëta e kur dihet data e zgjedhjeve zyrtarët e kërkojnë ndihmën ose ndryshe haraçin nga biznesmenët. Biznesmenët u ndihmojnë të gjitha partive, pozitë - opozitë, dhe nuk u intereson se cila parti do të dalë fituese, sepse ata janë me të gjitha", theksoi Reshat Sahitaj. Ai konsideron se ndalimi i financimeve ilegale te partitë politike është i pamundur, sepse hetuesit janë shtyllat që i kanë zgjedhur partitë politike, andaj nuk gjenden prova kundër asnjërës palë."Si mundet që një biznesmen të mos i përkrah materialisht partitë politike kur dihet se ata me ndihmën e zyrtarëve e kanë futur një pjesë të mallit ilegalisht, një pjesë të tenderëve po ashtu e kanë fituar me intervenime mafioze politike. Andaj, biznesmenët janë të "detyruar" të ndihmojnë partitë që të mos i shterin burimet e tyre kur ata do vijnë në pushtet", ka potencuar për "Kosova Sot" Reshat Sahitaj.

Image

Prokuroria në "kthetrat" e politikës

Edhe analisti Hidajet Ahmeti është me dyshim të plotë se financat e partive politike nuk jepen konform Ligjit për financimin e partive politike, por shfrytëzohen rrugën antiligjore për të shfrytëzuar çdo vakum, i cili përkthehet në interesa të partive politike. "Gjykoj se bizneset e pista financojnë partitë politike me 'cash" me pretendimin t'u shumë- fishohen ato shifra në momentin që ajo parti politike vjen në pushtet. Kalkulime të tilla përmes rrugëve antiligjore nuk u bëjnë nder proceseve të rëndësishme që e presin shtetin e Kosovës në rrugën shtetformuese dhe euro-integruese. Prandaj, Prokuroria e Shtetit më shumë se kurrë ka nevojë të çlirohet nga kthetrat e politikës dhe keqpërdorimet eventuale të partive politike të gjykohen e sanksionohen. Kjo pasqyrë eventuale e keqpërdorimeve të mundshme të partive politike duhet të përfundojë sa më shpejt, pasi që çdo keqpërdorim i mundshëm është në kurrize të qytetarëve të lodhur nga ky mjerim socioekonomik", tha Ahmeti për "Kosova Sot". Sipas tij, rruga e çlirimit të prokurorisë nga politika është e mundimshme dhe mbi të gjitha duhet vullnet politik, i cili ka munguar që nga paslufta.

Bandat veprojnë të lira

Sipas Skënder Mulliqit, është fakt i pamohueshëm që partitë politike për fushata dhe jashtë fushatave i kanë shfrytëzuar vazhdimisht për financimin e tyre burimet e nëntokës. "I kanë shfrytëzuar lidhjet më bizneset e pista, por edhe me buxhetin e shtetit për fushata elektorale dhe për punë të tjera të paligjshme. Manipulimet masovike të votave më së shumti i patëm kur pushtetin e fitoi PDK-ja. Partitë garuese politike për pushtet nuk kanë zgjedhur kurrë metoda dhe mjete për të ardhur deri të fitorja. I kanë shfrytëzuar biznesmenët e ndryshëm, të cilët edhe u kanë dhëne mjete partive që më çdo kusht të arrihen objektivat e pushtetit, duke i ruajtur bizneset e tyre të ndërsjella jo ligjore", u shpreh ai për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Reshat Badallaj konsideron se Prokuroria nuk vepron për të hetuar këtë financim kriminal të partive politike pasi vetë pjesa dërmuese e institucioneve të sundimit të ligjit janë të kapura dhe nënshtruara nga krimi i organizuar i lidhur me politikën. "Sistemi gjyqësor pra edhe prokuroria janë te mishëruar nga këta banditë dhe kryebanditë dhe nuk guxojnë t´u ndihet zëri kundër tyre. Vetëm një Zot e di se sa para janë shpenzuar në fushatën para zgjedhore dhe nga e kanë burimin. Jam i sigurt se shumë banda politike me para të pista janë financuar nga oligarkët dhe kanalet e nëntokës të biznesmenëve hajdutësh. Në fakt, po të kishte shtet dhe ligj do të kontrolloheshin të gjitha këto banda, banditë dhe kryebanditë, që ka të ngjarë se edhe kanë trashur xhepat e tyre dhe kanë fryrë kontot", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot". 

Deklarimet joreale të partive

Analisti Gani Qarri thotë se problemi i fshehjes së shpenzimeve reale nga partitë tona politike, nuk është i ri, as aktual, ai është vërtetuar shumë herë dhe ekziston që nga fushatat e para të zgjedhjeve të lira e demokratike në vend, të cilat nga fushata në fushatë vetëm sa rriten e zgjerohen."Këtë e dëshmojnë të gjitha organizatat, të cilat monitorojnë fushatat politike në terren dhe bëjnë krahasimet e asaj që shohin praktikisht me të dhënat financiare që vetë partitë deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Madje edhe në pasqyrimet zyrtare që partitë politike janë të detyruara me ligj, t'i dorëzojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deklarohen shifra më të ulëta dhe vetëm aq sa parasheh ligji, por jo edhe shuma reale e shpenzimeve milionëshe në organizimet pompoze që ato zhvillojnë kudo në vend",tha për "Kosova Sot" analisti Qarri. Sipas tij, edhe pse nga shumica e analizave nga organizatat monitoruese dhe shoqëritë civile-joqeveritare, rezultojnë se kryesisht partitë më të mëdha politike fshehin burimet e të hyrave, shifrat e shpenzimeve dhe shumën e parave të shpenzuara në fushatën e tyre parazgjedhore, prokuroria e ndikuar nga politika nuk merret me këtë çështje. "Megjithatë, asnjëherë deri më tani, Prokuroria e kapur e shtetit, nuk ndërmori asgjë serioze. Sado që edhe sipas ligjit në fuqi partitë politike e kanë për obligim që t'i dorëzojnë raportet e detajuara të shpenzimeve paraelektorale në KQZ, le që nuk e bëjnë pothuajse asnjëherë këtë gjë, por edhe kur përfliten e akuzohen hapur se ndonjëra nga to bashkëpunon ngushtë dhe financohet hapur nga kompani dhe korporata kriminale, Prokuroria e kapur, as që guxon të veprojë, të dalë me ndonjë deklaratë sa për sy e faqe, të paraqesë vërejtje a të shprehë ndonjë reagim sado të vogël, e për aq më keq as Policia e Shtetit nuk ndërmerr asnjë hap në drejtim të sqarimit të të gjithë kësaj", tha Gani Qarri. 

(Kosova Sot)