Oligarkët lëshojnë rrënjë në pushtet

  • 23 June 2017 - 08:13
Oligarkët lëshojnë rrënjë në pushtet

POLITIKANËT TË ETUR PËR POZITA DHE PASURIM TË PALIGJSHËM

"Këta njerëz vetëm riciklohen, pasi edhe pse ka disa ndryshime simbolike, prapë ka shumë njerëz të njëjtë edhe në Kuvendin e ardhshëm... Kjo politikë riciklimi po ndodh që 17 vjet", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

Vetëm ndëshkimi qytetar i nxjerr në pension

Nga vlerësimi që analistët politikë i bëjnë klasës politike në vend dhe liderëve që e drejtojnë atë, nxjerrin një konstatim të përgjithshëm se politikanët e Kosovës, pozitë dhe opozitë, shumica prej tyre, nivel qendror dhe nivel komunal, të dehur nga pushteti dhe lakmia për t'u pasuruar edhe kriminalisht, kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit. Ata këtë e bëjnë, sipas analistëve, ngase dëshirojnë të qeverisin e sundojnë si mbretër e autokratë përgjithmonë në një vend dhe nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin në pafundësi. Konsiderohet se do të ishte ideale që asnjë parti të mos qeverisë në dy mandate një pas një, por vetëm një mandat, pastaj në opozitë dhe serish me mundësi të rikuperimit të mund të fitojë mandatin tjetër. Por, duke u udhëhequr nga logjika e politikave mbretër, edhe 18 vjet pas luftës kemi të njëjtat figura politike, të cilat u janë bërë tepër monotone e irituese edhe vetë qytetarëve. Vetëm në këto zgjedhje të fundit janë dhënë sinjalet e para, madje bukur serioze, se ka filluar të piqet edhe elektorati që do të fillojë të ndëshkojë tash e tutje çdo qeveri, si në atë qendrore, por edhe ato komunale, duke mos ua dhënë mandatin sërish, por t'i lërë në opozitë gjithmonë ata që kanë qeverisur, e të cilët në momentin që po ulen në karriget e pushtetit po harrojnë se kush i ka zgjedhur dhe se për çka janë zgjedhur.

Image

Riciklimi i figurave të njëjta

Analisti politik Blerim Burjani thotë se kjo murosje e skenës politike dhe liderëve të partive politike për të qenë gati të përjetshëm në politikë dhe në institucione nuk është asgjë tjetër veçse tentativa për të mos pasur ndryshime."Këta njerëz vetëm riciklohen, edhe pse ka disa ndryshime simbolike, prapë ka shumë njerëz të njëjtë edhe në Kuvendin e ardhshëm. Pjesa tjetër që s'ka mundur të votohet për deputet, pra që nuk ka fituar, ata tentojnë t'i bëjnë ministra dhe kjo është shumë e qartë. Kjo politikë riciklimi po ndodh që17 vjet", tha Burjani për "Kosova Sot"."Partitë politike nuk e kuptojnë të qenit deputet dhe ministër, por do të mjaftonte të kenë dy mandate dhe kjo mund të rregullohet edhe me akte të brendshme partiake për të ndalë njerëz të padobishëm të riciklohen pa ndalur dhe pa efikasitet", tha Blerim Burjani. Sipas tij, mbetja për kohë të gjatë të të njëjtave figura nëpër pozita të fituara nga politika i ka rrit dhe i ka zhvilluar krimin dhe korrupsionin, nepotizmin dhe klanin ekonomik, e çka jo tjetër, që dëmton dhe pengon zhvillimin e shtetit. Një gjykim identik e ka edhe analisti Naim Miftari."Janë këta soj politikanësh që duket sikur e kanë privatizuar këtë shtet dhe i kanë privatizuar të gjitha pasuritë dhe resurset e këtij vendi, duke i shfrytëzuar e vënë në shërbim vetëm për veten dhe klanet e tyre", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". 

Image

Makiavelistët lakmitarë

Një nga bashkëluftëtarët e heroit të kombit, Zahir Pajaziti, Avni Ajeti, duke parë këtë gjendje thotë se politika e Kosovës mund të studiohet vetëm me literaturën e princit të politikës, Makiavelit."Politika e Kosovës është e dehur nga pushteti, si në nivel lokal e po ashtu edhe në nivel qendror. Megjithëkëtë, nga gjithë ajo dehje për pushtet që e kanë, disi e mënjanojnë atë mjegull të asaj mendësie të egër politike, e gjejnë kthjelltësinë e duhur dhe më pas i djegin qytetarët e hirin e tyre u a hedhin syve hi, të kombinuar në laboratorët e tyre të opiumit. Lakmia për pushtet ishte ekzistence dikur, por sot pushteti i atyre u ofron garanci e stabilitet për lirinë e tyre, ngase ndryshe do të përfundonin prapa grilave", tha Ajeti për "Kosova Sot". Ai pohon se nëse veç e shohim mënyrën se si ushtron pushtet politika jonë e kriminalizuar fare qartë mund ta shohim se autoriteti i tyre ka kaluar përmasat e oligarkëve dhe se sa më shumë e mbajnë pushtetin aq më shumë shtohet dëshira për të pasur siguri e stabilitet ekonomik e politik, mjaftueshëm sa për të bërë jetë mbretërore."Çdo lëvizje e të "rinjve" drejt pushtetit do të acaronte të "vjetrit" dhe kështu do t'i shtynë në luftë klasën dhe kastën politike në vend (politikën e kriminalizuar në Kosovë) për ta mbrojtur pushtetin", tha Avni Ajeti. Sipas tij, argumenti më i mirë i këtyre ndëshkimeve nga qytetari për politikën në përgjithësi janë këto zgjedhje që i kaluam në këtë qershor, ku qytetari ndëshkoi aq sa e pa të nevojshme e zgjedhjet lokale të tetorit do të jenë edhe një tregues më i mirë se si dhe në çfarë forme do të ndëshkohet nga qytetarët politika jonë e stërkriminalizuar.

Partitë lideriste e rrënuan demokracinë

Analisti politik, Ragip Guraziu, thotë se duhet të thyhet ky liderizëm i konsumuar dhe i kriminalizuar nëpër parti politike, se brenda partive politike duhet të ketë ndërrim të udhëheqësve të partisë; duhet t'u jepet mundësia edhe anëtarëve tjerë për të udhëhequr dhe për të sjellë ndryshime të brendshme në parti. "Këtë mundësi nuk e kanë shfrytëzuar partitë politike të Kosovës, duke mos kontribuar në përpilimin e programeve politike të qarta, duke mos kontribuar në përgatitjen e anë- tarëve në frymën e orientimit politik përkatës, të partive politike në Kosovë. Pas luftës, partitë politike të Kosovës kanë qenë parti të liderëve, ku janë thirrur në baza regjionale, që ka ndikuar edhe në përqasjen e popullit. Ato në fushatat e tyre elektorale janë thirrur më shumë në liderë të partisë sesa në programet e tyre politike. Partitë politike që nga paslufta kanë qenë të kënaqura me faktin se kanë një lider, të marrin vota, ose të kenë disa njerëz, ndërsa listat kanë qenë të mbyllura kështu që fillimisht është votuar partia e identifikuar me liderin e partisë", tha Guraziu për "Kosova Sot". Sipas politologut Arsim Haziri, ndërtimi i tillë i perandorive pushtetare si në nivel lokal ashtu edhe qendror ka prodhuar një komoditet të politikanëve për marrjen, mbajtjen dhe ruajtjen e pushtetit. "Abuzimi me pushtetin është bërë në kontinuitet dhe ka prodhuar perandori të palëkundshme, të cilat kanë vepruar e punuar për interesa të ngushta nepotike, politike e klienteliste. Kjo hallkë zingjirore e ndërtuar përmes rrugëve të pushtetit, duke abuzuar me mekanizmat e pushtetit, ka zgjatur pushtetin për politikanët si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. Gjykoj se është e logjikshme se mandati i dytë i çdo partie politike është i dëmshëm për demokracinë", ka thënë ai.

(Kosova Sot)