VETTING-u ringjall drejtësinë e nënshtruar

  • 23 June 2017 - 08:16
VETTING-u ringjall drejtësinë e nënshtruar

KRIZA E ZBATIMIT TË LIGJIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Fryma e re politike, vendimtare për reforma në gjykata dhe në prokurori

"Për seleksionimin e juristëve është i nevojshëm një VETTING i atyre të cilët do të bëjnë zëvendësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Dhe, këtë VETTING, pra pastrimin e drejtësisë në të gjithë institucionet e sistemit, si dhe zgjedhjen e tyre sipas aftësive profesionale, duhet ta bëjnë ekspertët amerikanë të fushës së drejtësisë, ashtu siç po veprohet në Shqipëri", ka thënë Skender Kapiti

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se në momentin kur do të ketë një frymë politike, e cila është e interesuar që ta pavarësojë gjyqësorin dhe një frymë politike që është realisht e interesuar për shtetndërtim demokratik të Kosovës dhe jo vetëm për pushtetmbajtës, mbase tek atëherë drejtësia kosovare do të jetë në gjendje që të marrë guximin për të trajtuar vetë çfarëdo rasti të rëndë apo profili të lartë, pa marrë parasysh se për kë zyrtarë të lartë të shtetit apo mafio-oligarkë bëhet fjalë, e që aktualisht akoma nuk po dëshmohet një guxim i tillë nga ana e prokurorisë për t'i hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e tilla të rënda, sikur dhe as nga gjykata për t'i gjykuar dhe dënuar ato raste. Se a do të mund mbase një brez i ri i gjyqtarëve dhe prokurorëve ta ndryshonte sadopak gjendjen e këtillë në drejtësi flasin analistët dhe ekspertët e drejtësisë. Analisti Skender Kapiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se fatkeqësisht është e vështirë sot të gjendet një brez juristësh të pandikuar dhe i painfluencuar nga ajo se çfarë imazhi dhe dëmi të madh që i ka bërë drejtësia e Kosovës, duke e helmatisur edhe brezin e ri me kulturën e korrupsionit, me kulturën se po të kapësh një vend në gjykatë dhe në prokurori bëhesh shpejt i pasur me para dhe me pasuri të tjera të luajtshme e të paluajtshme.

Image

"Profesionistët" e ryshfetit

Sipas Kapitit, politika dhe jurisprudenca shikohen si profesionet më fitimprurëse, parazitare, që lakmohen nga rinia, derisa çështja tjetër që e komprometon rëndë brezin e ri është fakti se edhe brezi i juristëve që dalin janë tepër të paaftë profesionalisht. Shumica e tyre edhe i blejnë notat, kalueshmërinë dhe madje edhe diplomat dhe për rrjedhojë ashtu sikurse edhe marrin "defterin" e juristit, duke paguar paranë dhe duke dhënë ryshfetin ata janë edhe "profesionistë" edhe për ta blerë vendin e preferuar të punës në politikë, në administratë dhe në gjykata e prokurori, dhe kur pajisen me vulën e pushtetit dhe të së drejtës së tyre për të dhënë drejtësinë. "Pra, krizën në sistemin e drejtësisë, e shkaktuar nga kjo "plejada" e ishjurisprudencës komuniste që e ka drejtuar dhe keqqeverisur drejtësinë në Kosovë, si dhe keqpolitika e korrupsionit dhe e kriminalizuar, kjo automatikisht do të ketë pasoja afatgjata", ka potencuar ai."Për seleksionimin e juristëve është i nevojshëm një VETTING i atyre të cilët do të bëjnë zëvendësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Dhe, këtë VETTING, pra pastrimin e drejtësisë në të gjithë institucionet e sistemit, si dhe zgjedhjen e tyre sipas aftësive profesionale, duhet ta bëjnë ekspertë amerikanë të fushës së drejtësisë, ashtu siç po veprohet në Shqipëri me SPAK-un, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar si dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, BKH, që do të monitorohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, në Shqipëri, i cili do të mbikëqyrë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, e që kjo duhet të ndodhë edhe në Kosovë", u shpreh analisti Skender Kapiti. 

KPK-ja dhe KGJK-ja duhet të ristrukturohen

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, thotë se gjasat janë që sistemi i drejtësisë, përkatë- sisht prokuroria dhe gjyqësori, deri më sot nuk janë afirmuar me punë serioze e parimore në konformitet me ligjin dhe interesin publik për persekutimin e të gjitha rasteve kriminale, pa marrë parasysh pozitat apo funksionet etj., prandaj, siç tha, deri sot nuk kanë pasur sukses ta tregojnë as përafërsisht figurën që u është besuar me Kushtetutë dhe pastaj me ligje të veçanta speciale."Por, duket se zgjidhja është tek një reformim dhe ristrukturim esencial i tipit të VETTING-ut ndër të tjera që do duhej edhe KPK-ja dhe KGJK-ja të ridizajnoheshin edhe sa i përket strukturës, por edhe sa u përket autorizimeve dhe më pastaj me ligj të veçantë të përcaktoheshin obligimet themelore të prokurorit publik dhe të gjykatësi, që do të thotë obligimet taksativisht në mënyrë të numeracionit të precizoheshin edhe të KGJK-së dhe KPKsë, siç e përmenda, të përcaktohej obligimi i sjelljes dhe vlerësimit të punës për ta mësuar nëse është kryer apo jo, me cilësi apo e kundërta dhe me afat ose jo një lëndë e caktuar derisa kjo do të duhej të sanksionohej penalisht zhdukja e lëndës fizikisht", theksoi ai. "Çfarëdo parashkrimi apo vonimi d.m.th. do të duhej të inkriminohej me sanksione penale, ndryshe deri sot dukuritë e tilla janë të shpeshta e të shumta edhe të gjitha në disfavorin e abuzimit të ligjit", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka. 

Image

Pushtetet duhet të jenë të pavarura

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka ritheksuar atë që është thënë dhe evidentuar vazhdimisht nga shoqëria civile dhe nga opinioni publik përgjithësisht, por edhe nga bota akademike që thjesht fatkeqësisht pas kaq vitesh liri dhe pavarësi shoqëria kosovare nuk ka arritur ende që të krijojë institucione të pavarura dhe jo vetëm kaq, por as të konsoliduara plotësisht. "Pra, të gjitha këto tregojnë që në fakt ne kemi ende stagnacion apo moskonsolidim të jetës dhe veprimtarive institucionale, rrjedhimisht edhe gjyqësi selektive që do të thotë jo për të gjithë njerëzit dhe të gjithë eksponentë të caktuar, pra për të gjithë qytetarët të ketë trajtim të njëjtë dhe të ketë një ambient të njëjtë të trajtimit të gjitha çështjeve që mund të jenë në procedura të caktuara gjyqësore, por edhe tek organet e ndjekjes dhe ato të hetimit dhe kështu me radhë", u shpreh ai."Prandaj, marrë në tërësi ka nevojë gjithsesi imediate, madje dhe urgjente, që qeveria e re që do të pasojë pas një kohe, cilado qoftë ajo, të merret seriozisht me konsolidimin e institucioneve të shtetit, me ndryshimin në radhë të parë të legjislacionit, me barazimin gjegjë- sisht stabilizimin e marrëdhënieve në mes të tri pushteteve dhe vetësimin edhe më të plotë të tyre që secila shtyllë e pushtetit të ketë pra vetësinë e vet kushtetuese dhe institucionale në mënyrë që të ketë efikasitet, të ketë drejtësi dhe barazi të qytetarëve para ligjit", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Drejtësi pa heronj

Profesori tjetër universitar, Nexhmedin Spahiu, ka nënvizuar se drejtësia kosovare do të jetë në gjendje të marrë guximin që të trajtojë vetë çfarëdo rasti të rëndë apo profili të lartë, pa marrë parasysh se për cilin zyrtar të lartë të shtetit apo mafio-oligarkë bëhet fjalë atëherë siç tha kur të ketë një frymë politike, e cila është e interesuar ta pavarësojë gjyqësorin, pra një frymë politike që është realisht e interesuar për shtetndërtim demokratik të Kosovës dhe jo vetëm për mbajtje të pushtetit. "Pra, në momentin që do të ketë një forcë të tillë politike edhe gjyqësia pritet që të jetë e pavarur dhe atëherë do të ketë heronjtë e vet për ta krijuar një sistem drejtësie, pra edhe për të zënë të ashtuquajturit "peshqit e mëdhenj" dhe për të funksionuar si një sistem i pavarur. Prandaj, do duhej një frymë politike, e cila momentalisht nuk ekziston dhe një frymë e tillë nuk po shihet fare në horizont. Ndërsa ajo frymë politike që do t'i bëjë gjykatat dhe prokuroritë më funksionale po shihet vetëm nga ana e vetëvendosjes, por ajo nuk po shihet si një sistem i pavarur, por si një sistem funksional në varësi të vetëvendosjes, ku të paktën ashtu po duket nga perspektiva e sotme", potencoi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Nexhmedin Spahiu.
 

(Kosova Sot)