Bizneset "pa krahë" keqtrajtohen, nëntoka favorizohet

  • 23 June 2017 - 08:33
Bizneset

Rekomandohet rifunksionalizimi i Bordit të Ankesave

Në Kosovën e pasluftës tashmë është krijuar një traditë shumë e keqe, ngase të gjitha ato biznese të ndershme, nëse nuk janë të lidhura me nëntokën dhe politikën po maltretohen nëpër gjykatat tona, ku madje shumë sish presin edhe mbi 5 vite, në mënyrë që lëndët e tyre të vijnë në radhë për shqyrtim. Përfaqësues të bizneseve, drejtues të shoqatave dhe ekspertë të ekonomisë me të drejtë thonë se në të gjitha këto raste po u shkelen të drejtat e tyre dhe të njëjtat biznese po dëmtohen maksimalisht në aspektin financiar me këto pritje të gjata. Sipas njohësve të kësaj fushe, mësohet se në anën tjetër, është mafia politike dhe ekonomike ajo që po i fut lëndët pa rend nëpër gjykatat tona dhe ato po i kryejnë shumë shpejt procedurat, madje duke siguruar edhe vendime të favorshme për ta. Ekspertët po ankohen se në këtë aspekt kemi të bëjmë me një drejtësi selektive, pasi po trajtohen rastet e afërta me politikën dhe në fakt në Gjyqësor po ndikohet nga vetë politika, që këto raste të trajtohen me procedurë të përshpejtuar, por që edhe rezultati të jetë në favor të atyre personave, që janë të afërt me politikën. Analistët thonë se nëse analizohet edhe nga Raportet e njëpasnjëshme të Progresit që flasin për Kosovën, shpeshherë këto raporte kanë dhënë një varg kritikash për sektorin e drejtësisë dhe Gjyqësorit. Sipas tyre, për bizneset e vendit tonë do të vijnë ditë më të mira vetëm atëherë kur do të veprohet sipas parimit, që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që njerëzit kompetentë të merren më me përgjegjësi për këto raste, në mënyrë që ato të trajtohen me kohë dhe në afatin e caktuar.

Bordi i pavarur, i domosdoshëm

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për "Kosova Sot" se drejtësia në Kosovë është mjaft problematike. Ai propozon rritjen e stafit Gjyqësor dhe të prokurorëve. "Në këtë mënyrë do të përshpejtoheshin të gjitha lëndët, që janë grumbulluar me vite të tëra nëpër gjykatat vendore. Kjo ka bërë që në Kosovë disa lëndë që kanë qenë lëndë të Doganave dhe të ATK-së edhe kanë pritur me vite të tëra që të zgjidhen nëpër gjykata", theksoi ai. Sipas Shahinit, për këtë gjendje të rëndë fajtore është vetë Qeveria e Kosovës, që e ka eliminuar shkallën e dytë të ankesave që ka qenë Bordi i Pavarur për Ankesa, që si institucion i pavarur i kanë zgjedhur shumicën e këtyre ankesave të bizneseve. "Ne si AKB, kemi kërkuar që sërish të kthehet në funksion Bordi i Pavarur i Ankesave, ngase lëndët e bizneseve që kanë konteste të ndryshme të zgjidhen në këtë bord", ka thënë ai. Shahini vlerëson se përderisa nuk ekziston kjo shkallë e dytë e ankesave nëpër gjykatat e Kosovës, do të kemi rritjen e numrit të lëndëve, që edhe ashtu janë me mijëra sish, duke pritur me vite të tëra. 

Image

 

Qeveria sabotuan zbatimin e ligjit

Eksperti i financave, Xhevat Meha, tha për "Kosova Sot" se konkurrenca e lirë në ekonominë e tregut është e lidhur drejtpërdrejt me nivelin e zbatimit të ligjit dhe në këtë drejtim edhe me punën e prokurorisë dhe të gjykatave. "Në të gjitha raportet e organizatave të jashtme Kosova pasqyrohet si vend me shkallë shumë të ulët të zbatimit të ligjit. Meqë kjo gjendje është duke vazhduar për shumë vite rresht, mbajtja e nivelit të ulët të zbatimit të ligjit është zbatim i politikave të qeverive të deritanishme", theksoi ai. Sipas tij, qeveritë kanë pasur si politikë të vetenmbajtjen e ulët të zbatimit të ligjit. "Në këtë drejtim, qeveritë nuk kanë pasur si politikë të veten rritjen e konkurrueshmërisë, dhe në këtë mënyrë qeveritë nuk kanë qenë të interesuara për funksionalizimin dhe fuqizimin e konkurrencës. Përderisa qeveritë zbatojnë politika të mbajtjes në nivel të ultë të zbatimit të ligjit, nuk pritet të forcojë konkurrueshmërinë në ekonominë e Kosovës", u shpreh Meha. 

Image

Korrupsioni, sfida kryesore

Ekonomisti Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", tha se nuk ka asnjë fije dyshimi se bizneset që nuk janë të lidhura me nëntokën dhe politikën në gjykatat kosovare po maltretohen dhe po dëmtohen. Veç saj ato përballen edhe me mosshitjen e mallrave, pastaj po dëmtohen duke ua rritur taksat, duke u vënë kushte, të cilat ato biznese nuk mund t'i përballojnë. "Lëndët e bizneseve, që nuk janë të lidhura me nëntokën dhe pritja mbi 5 vjet për shqyrtim nga gjykata, është një problem, që e kemi që nga paslufta, ngase sot luan rol paraja, ngase po keni para shpëton nga dëmtimi dhe nuk ke nevojë të presësh shumë, ndërsa e kundërta e saj është slogani i pushtetarëve dhe i gjykatave se po nuk ke para, do të duhet të presësh me muaj edhe vite, derisa lënda të aprovohet për shqyrtim", theksoi ai. "Problemi kryesor është korrupsioni, nëse nuk parandalohet ai brenda institucioneve shtetërore, edhe ato biznese që nuk janë të lidhura me nëntokën, do të detyrohen vetë të bashkohen me dikë nga nëntoka, që të shpëtojnë nga falimentimi dhe nga varfëria e mundshme", vlerëson ekonomisti Grapci.

Gjyqësorit i mungon ekspertiza profesionale

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, për "Kosova Sot" tha se e tëra kjo ka filluar që nga shuarja e Bordit të Pavarur për ankesa, që ka shkaktuar dëme të pariparueshme për të gjitha bizneset tona. "Nëpër gjykatat tona ka ndodhur që vlerësimet e ekspertëve të vonohen me muaj dhe vite, përderisa ekspertiza në Bordin e Pavarur të Ankesave ka qenë shumë e shpejtë, pasi që vendimet kanë qenë brenda dhjetë ditësh e më së largu për 3-4 muaj. Andaj, kur të krahasohen pritjet e bizneseve nëpër gjykatat tona me ato në Bordin e Pavarur dallimet janë shumë të mëdha", theksoi ai. "Si Shoqatë e Naftëtarëve që jemi, në adresën tonë kemi marrë shumë ankesa, përmes të cilave kemi mësuar se shumë biznese po maltretohen nëpër gjykatat tona dhe në veçanti në këto raste po e pësojnë bizneset, që nuk janë të lidhura me nëntokën dhe politikën nëpër gjykatat kosovare, ku sipas ankesave të bizneseve thuhet se atyre u është dashur që të presin edhe mbi 5 vite, në mënyrë që lëndët e tyre të vijnë në radhë për shqyrtim në gjykatat në Kosovë", potencoi Maloku. "Bizneset ankohen se në anën tjetër, mafia politike dhe ekonomike ka pasur disa raste që i kanë futur pa rend lëndët e tyre nëpër gjykatat tona dhe të njëjtat i kryejnë shumë shpejt procedurat, e madje edhe duke siguruar edhe vendime të favorshme për ta", u shpreh më tutje ai. Sipas Malokut, kjo çfarë po ndodh nëpër gjykatat tona i bie se në këtë aspekt kemi të bëjmë me drejtësi selektive, pasi po trajtohen rastet e afërta me politikën. "Janë reale dyshimet e bizneseve, që thonë se të gjitha ato biznese që nuk kanë lidhje me Gjyqësorin dhe politikën, lëndët e tyre po zhagiten me vite të tëra, që janë aq shumë të kushtueshme edhe në faktorin kohë, por edhe në faktorin material", potencoi ai. "Nëse vazhdohet me këtë mosefikasitet të punës në gjykata dhe me këtë drejtësi selektive, e tëra kjo do të reflektohet edhe në aspektin ekonomik, sepse nga vendi po largohen edhe bizneset vendore, por edhe ato të huaja, sepse fundja askush nuk pret që me vite të tëra të zgjidhet një rast dhe lëndët e tij. Ngase, kjo ka pasur raste që investitorët vendorë dhe të huaj të presin edhe nga 5 vite nëpër gjykatat tona", theksoi ai. 
 

(Kosova Sot)