Autoriteti i Konkurrencës, në shërbim të mafio-oligarkëve

  • 26 June 2017 - 07:55
Autoriteti i Konkurrencës,  në shërbim të mafio-oligarkëve

Monopolet mbeten, dyshohet edhe për marrëveshje të fshehta në sektorë të ndryshëm

Bordi drejtues i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, që është emëruar nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës në verën e vitit 2016, është vënë nën llupën e kritikave të ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësuesve të biznesit. Ata bëjnë akuza për një punë të plogësht të Autoritetit, duke thënë se për një vit pune e kanë marrë vetëm një 1 vendim e asgjë tjetër. Sipas ekspertëve, përbërja e tashme e Autoritetit të Konkurrencës po heziton dhe nuk ka bërë asgjë apo aspak në luftimin e monopoleve në shumë fusha të ekonomisë së brishtë të Kosovës, siç janë monopolet në homologimin e automjeteve, pastaj dyshimet për marrëveshje të fshehta në mes të kompanive të sigurimeve, dyshimet për marrëveshje të fshehta në kamatat e bankave komerciale që bien ndesh me rregullat e konkurrencës fer dhe tregun e lirë, si dhe në shumë fusha të tjera. Shih për këtë mospunë, analistët e shtrojnë nevojën imediate që përbërja e re e Kuvendit të Kosovës duhet që urgjentisht të bëjë ndryshimin e drejtuesve të tashëm të bordit të kësaj agjencie të pavarur për shkak të mospunës së tyre. 

Emërimet politike dobësuan AKK-në

Nënkryetari i Shoqatës ë Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, tha për "Kosova Sot" se drejtuesit e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës janë të pafuqishëm, meqë nuk e kanë mendjen e shëndosh dhe duart e pastra, ngase në këto poste janë të emëruar nga politika e jo nga fusha e ekonomisë, si do të duhej të ishte. Sipas tij, bordi i ri i kësaj agjencie për këtë shkak i ka këmbë e duar të lidhura që të marrë ndonjë vendim me efekt ekonomik, gjegjësisht që të luftojë monopolet dhe korrupsionin. Maloku për kamatat e bankave komerciale që janë duke afaruar në Kosovë tha se kjo çështje as nuk do ndonjë koment, ngase deri tani asnjë qeveri, por as përbërja e vjetër dhe kjo përbërje e re e Autoritetit të Konkurrencës nuk janë marrë fare me këtë problematikë të normës së lartë të kamatave, ndonëse dihet se ky është një element determinues i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë së vendit, por edhe i stimulimit të investitorëve vendor e atyre të huaj për të investuar në Kosovë. "Një problem tjetër bukur i madh që po rëndon ekonominë dhe bizneset vendore është edhe provizioni shumë i lartë që bankat komerciale e ndalin si shërbim për transaksione bankare në vend, por edhe për pagesa ndërkombëtare. Edhe në këtë rast Autoriteti i Konkurrencës po hesht, ndonëse dyshohet se është një marrëveshje sekrete në mes të bankave", theksoi ai.  

Image

 

Homologimi, rast skandaloz i monopolit

Analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se me vetëm një vendim për një vit pune që e ka marrë Autoriteti i Konkurrencës Kosovare kjo edhe nuk do ndonjë koment. "Me aq shumë skandale të monopoleve ekonomike, homologimi i veturave si dhe akuza e ministres në detyrë, Hykmete Bajrami, drejtuar kreut të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, se po të kishim prokurori kjo akuzë nuk kishte me kaluar aq lehtë ", u shpreh ai. "Në Kosovë po ndodh gjithçka, ngase shteti dhe drejtësia janë të kapur me përfitime të mëdha për grupet dhe klanet të cilat kanë kapur të gjitha institucionet, bordet, kompanitë publike", është shprehur ai."Është nevojë imediate që Kuvendi i ri sa më parë të kërkojë llogari për mospunën e tyre nga përbërja e tashme e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës", tha Rrudhani. Ndërsa eksperti i kësaj fushe dhe njohësi i madh i problematikës, Halit Shabani, për gazetën "Kosova Sot", duke folur se a është në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit monopoli aktual në homologim makinash, vlerësoi se nuk ka asnjë fije dyshimi se këtu kemi të bëjmë me një rast të pastër të monopolit në homologim makinash, pasi që është në pyetje vetëm një kompani e vetme që e ka këtë të drejtën dhe kompanive të tjera nuk u mundësohet që të futen në tregun kosovar. "Andaj, Autoriteti i Konkurrencës ka qenë dashur që të reagojnë e ta marrin vendimin", tha ai. Sipas tij, bordi i tashëm i agjencisë është dukshëm më i ndikuar nga politika sesa që ishte përbërja e mëhershme e Autoritetit të Konkurrencës. 

Edhe kamatat e bankave duhet të hetohen

Eksperti i financave, Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot" tha se zbatimi i politikave të mbajtjes së nivelit të ulët të zbatimit të ligjit sigurisht se është mbrojtje e monopoleve dhe mbrojtje e oligarkive të krijuara në Kosovë. Ai vlerëson se në këtë drejtim qeveritë e deritashme të Kosovës nuk e kanë pasur si politikë të veten rritjen e konkurrencën dhe në këtë mënyrë Qeveria nuk është e interesuar për fuqizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. "Përderisa Qeveria po zbaton politika të mbajtjes në nivel të ulët të zbatimit të ligjit, nuk pritet të forcojë konkurrencën në ekonominë e Kosovës", u shpreh Meha. Ai është i mendimit se konkurrenca e lirë është e lidhur drejtpërdrejt me nivelin e zbatimit të ligjit dhe në këtë drejtim edhe me punën e Prokurorisë dhe të gjykatave. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë për gazetën "Kosova Sot" se Bordi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës duhet që urgjentisht të fillojnë luftimin e monopoleve që po ndodhin në shumë fusha të ekonomisë, nisur nga monopolet në homologim të automjeteve, marrëveshjeve të fshehta ilegale që i bëjnë kompanitë e sigurimeve etj. Por, sipas Grapcit, Autoriteti i Konkurrencës duhet të merret edhe me kamatat shumë të larta në bankat komerciale. "Kjo duke e ditur që bankat komerciale në Kosovë i kanë kamatat e larta, kurse paratë e kursimeve i japin me kamata shumë simbolike dhe në këtë mënyrë bankat po pasurohen në krahë të këtyre qytetarëve dhe bizneseve që mezi i sigurojnë të ardhurat në muaj për familjet e tyre", theksoi ai. Sipas tij, drejtuesit e rinj të Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës janë të emëruar nga partitë politike

Kuvendi i ri ta vendosë ligjshmërinë

Njohësi i kësaj fushe, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se duke parë se kush është në përbërjen e Autoritetit të Konkurrencës, shihet qartë se këtu ka dorë politika. "Si një ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, jam shumë i bindur se Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka kryer dhe as nuk është duke e kryer punën për çka u themelua. Ata nuk bënë asgjë për qytetarin me qëllim të eliminimit të monopoleve që goditën buxhetin e qytetarëve e të vendit", është shprehur ai. "Te ne kompanitë e sigurimeve, por edhe kamatat e kredive, qoftë ato për konsum apo ndërtim, por edhe kamatat për biznese dhe bujqësi, janë më të lartat në rajon dhe Evropë", u shpreh ai. Që të mos ketë monopole në dikastere të caktuara, ku po përfitojnë vetëm bizneset dhe njerëzit e caktuar, Qeveria e re dhe Kuvendi duhet që të luftojnë këto monopole nëse dëshirojnë të mbrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës", theksoi ai. "Duke luftuar monopolet, përveçqë shërbimet do të jenë me kosto më të favorshme, do të ketë edhe zhvillim më të hovshëm ekonomik", ka vijuar Neziraj. Ndërsa, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha se Autoriteti i Konkurrencës do të duhej t'i shërbente ekonomisë, tregut dhe mbrojtjes së qytetarit konsumator taksapagues, konform Kushtetutës dhe Ligjit që e rregullon mandatin e Autoritetit. "Se kujt faktikisht i shërben Autoriteti i Konkurrencës dhe të tjerat, më së miri mund të kuptohet nga moskompletimi me staf, mosaktivizimi i Autoritetit nga Kuvendi i Kosovës dhe nga Qeveria për tri vite e gjysmë. Veç saj kjo po duket edhe struktura dhe nga përbërja e menaxhmenteve e bordeve të tyre - kryekëput politike", është shprehur Kaçaniku për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)