Amerika s'arrin t'i zbusë tensionet e larta mes vendeve të Gjirit

  • 26 June 2017 - 21:55
Amerika s'arrin t'i zbusë tensionet e larta mes vendeve të Gjirit

Lutja e Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, drejtuar vendeve të Gjirit Persik për të ulur tonet e retorikës diplomatike, që u përshkallëzua me shpejtësi midis Katarit, Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj, duket se ka rënë në vesh të shurdhët.

Bahreini, një nga aleatët e sauditëve, e ka akuzuar Katarin për një shtim të forcave ushtarake në konfliktin që po thellohet dita ditës, duke lejuar futjen e më shumë trupave turke.

Ndërkaq Irani e zemëroi grupin aleat me Arabinë Saudite, duke thënë se bllokada e udhëhequr nga sauditët ndaj Katarit është “e papranueshme”. Teherani premtoi se do t’i mbante rrugët ajërore dhe detare të hapura për Katarin për të zbutur bllokadën e imponuar ndaj emiratit të vogël nga Arabia Saudite, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Jashtme e Iranit, gjatë një telefonate me emirin e Katarit mbrëmjen e së dielës, Presidenti Hassan Rouhani i tha atij se “Teherani do të mbajë anën e Katarit”. “Rrugët tokësore, detare dhe ajërore të Iranit do të jenë gjithmonë të hapura për një vend miqësor si Katari”, tha Rouhani, duke shtuar se bashkëpunimi mes dy vendeve “do të vazhdojë”.

Sauditët dhe aleatët e tyre i kanë kërkuar Katarit të ulë nivelin e marrëdhënieve me Iranin. 

(Kosova Sot)