Anarkia e drejtësisë favorizon të inkriminuarit

  • 27 June 2017 - 07:56
Anarkia e drejtësisë favorizon të inkriminuarit

Pa i filtruar radhët, nuk ka rezultate konkrete

Derisa vazhdon të flitet e përflitet vazhdimisht për nivelin e lartë të korrupsionit edhe në sistemin e drejtësisë kosovare, ekspertët e fushës dhe analistët konsiderojnë se zgjidhja e vetme e pastrimit të këtij sistemi mbetet një pastrim më bazë gjenerale. Sipas tyre, nuk mund ta luftojnë asnjëherë të korruptuarit të korruptuarin, sepse realisht, sipas raporteve edhe të nivelit ndërkombëtar, po del se shumica e prokurorëve e gjyqtarëve janë vetë të përfshirë në aferat korruptive, së bashku me politikanët gjatë ardhjes së tyre në pozitat në drejtësi, kështu që ata nuk mund ta luftojnë korrupsionin, sidomos te "peshqit e mëdhenj", ku janë të përfshirë edhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista e të lidhura me qeveritar komunale e qendror. Mësimi për veprim energjik në këtë drejtim vjen nga procesi i 'Vettingut' në Shqipëri, ku shumë prokurorë e gjyqtarë nuk po kanë mundësi të justifikojnë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, kështu që pas filtrit të "Vettingut" do të mbesin pak njerëz të drejtësisë aktuale brenda në sistem. E njëjta situatë mund të jetë edhe në Kosovë.

Luksi korruptiv i njerëzve të drejtësisë

Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi vlerëson se çështja e sëmundjes së pushtetit tonë ka bërë që edhe shteti si instrument juridik të sëmuret dhe të jetë në pozitë të rëndë, deri edhe të dështimi-likuidimi. "Politika e krimit është futur thellë në organet qendrore, në presidencë, në qeveri, në Kuvend, në bordet publike e shtetërore, në polici, në prokurori, në gjykata, e ku nuk është instaluar korrupsioni. Shtetit të Kosovës nuk i duhet vetëm një "Vetting", por i duhet edhe Ligji mbi pastërtinë e subjekteve politike dhe të politikanëve, sikundër edhe Ligji për konfiskim të pasurisë së kriminelëve dhe të Ligjit mbi prejardhjen e pasurisë së deklaruar, ose që vërtetohet se është e lidhur me krimin dhe korrupsion", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Ai ka rikujtuar faktin që edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Lu, pati deklaruar se të kriminalizuarit dhe korruptuarit shihen se ata vetëm duhet ndjekur. "Nuk keni nevojë të bëni hetime... Shikoni makinën që e ka politikani, gjyqtari a prokurori dhe bindeni. Makina kushton 50 e më tepër mijë euro. Të ardhurat janë 1 mijë euro... Ku i ka marrë mjetet? Po unazat e teshat e mijëra dollarëve çfarë flasin..."? Natyrisht se kështu është edhe në Kosovë", tha prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi.

Image

 

Duhet reforma të kuadrove dhe institucionale

Një gjykim identik ka edhe eksperti tjetër, Blerim Burjani. "Ligji 'Vetting' është shumë i domosdoshëm për të ecë përpara , përmes pastrimit të kësaj çështjeje me pasuritë, që njerëzit i kanë fituar eventualisht edhe në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, ku ka shumë për të bërë në këtë drejtim", u shpreh ai. "Reformimi mund të jetë proces i gjatë përmes një reforme kadrovike dhe institucionale edhe në kuptimin e administrimit të gjyqësisë do të ishte e rrugës të ndodhë sa më parë, ku janë njerëzit e përfshire me kontrata dytësore e që janë në sistemin e drejtësisë, fenomen e praktikë që duhet ndalur menjëherë dhe pashmangshëm. Fillimisht nga aty mund të burojë e keqja dhe vazhdimi, e në këtë shtet s'ka kush ta ndalë këtë degradim dhe biznes të shumëfishtë me të cilin po merren edhe njerëzit në sistemin e drejtë- sisë", tha Burjani për "Kosova Sot". Ai 'Vettingun' e sheh edhe si modelin më adekuat për ndërprerjen e konfliktit të interesit, i cili nuk po arrin të bëhet si duhet e sa duhet me legjislacionin aktual. "Nuk ka vullnet të ndërhyjnë as në zgjidhjen e problemeve të konfliktit të interesit i shprehur në këtë sistem, duhet të dihet në këtë shtet kush është mësues, kush është gjyqtar, kush profesor edhe jo gjithçka e secili. Kjo temë tash e ka përfshirë debatin edhe në disa qarqe ndërkombëtare, gjyqtarët edhe mësuesit janë edhe gjyqtarë e prokurorë e kjo përbënë një cirkus të llojit të vet apo një lloj biznesi dhe asgjë tjetër. Definitivisht dhe përfundimisht duhet të ndalet kjo praktikë edhe me një interpretim-vendim nga Gjykata Kushtetuese", potencoi Blerim Burjani.

Sistemi në kthetrat e politikës

Analisti Hidajet Ahmeti vlerëson se korrupsioni galopant në institucionet publike e veçanërisht në institucionet e drejtësisë është një e vërtetë e pamohueshme, e cila nuk thuhet vetëm në qarqet e brendshme të shtetit, por edhe në raportet e organizatave me kredibilitet të lartë ndërkombëtarë. "Kjo logjikë e funksionimit të hallkës zinxhirore të shtetit tregon për kapjen e institucioneve publike e veçanërisht të institucioneve të drejtësisë, të cilat çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë kapjen e tyre nga politika. Një sistem i drejtësisë, i cili nuk funksionon brenda mandatit ligjor e kushtetues, dhe i cili funksionon nën kthetrat e politikës është një garanci për të dështuar, e rasti konkret është dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë", theksoi ai. "Ky pasurim i paligjshëm i gjyqtarëve e prokurorëve nuk mund të hetohet nga njerëz të korruptuar e kriminalizuar, pasi që kjo gjë ka ndodhur në mënyrë të orkestruar nga politika dhe pushtet e pasluftës. Kjo anarki totale në institucionet e drejtësisë është garanci për një komoditet të vazhdueshëm të politikanëve të korruptuar e kriminalizuar. Vazhdimi i kësaj anarkie korrespondon me lirinë e politikanëve, zyrtarëve, gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar e kriminalizuar, por së bashku me ketë edhe kontinuitet i vazhdimit të pasurimit të jashtëligjshëm i këtyre njerëzve", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". 

Krimi ka kapur kokën e shtetit

Analisti Naim Kelmendi thotë se fatkeqësisht është gjendja faktike në sistemin e drejtësisë ajo që tregon se mund të jenë një pjesë e mirë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përfshirë në afera korruptive me politikanët qëkur erdhën në pozitat e tyre në drejtësi, kështu që këta nuk mund të jenë të denjë për ta luftuar korrupsionin, e posaçërisht të ashtuquajturit "peshqit e mëdhenj"e ku bëjnë pjesë pa përjashtimisht edhe mafio-oligarkët e bizneseve të pista, e që janë të lidhura me qeveritarë të inkriminuara, komunale e qendrore. "Kështu që luftën ndaj korrupsionit dhe krimit nuk mund ta zhvillojnë ata, që janë vetë të korruptuar. Për ta argumentuar këtë që po themi mbase më së miri tregoi procesi i 'Vettingut' në Shqipëri, e ku shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk po munden assesi ta justifikojnë pasurinë e tyre të fituar në mënyrë të paligjshme. Me plot bindje mund të themi se edhe pas një filtri të tillë tek ne në sistemin e drejtë- sisë, sigurisht se një pjesë e gjyqtarëve e prokurorëve nuk do ta mund ta kishin më vendin në ato detyra dhe do të duhej të jepnin llogaridhënie për pasurim të paligjshëm", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Reshat Badallaj konsideron se krimi dhe korrupsioni janë të instaluara në krye të shtetit prandaj edhe VETTINGU do të duhej filluar nga aty dhe jo në mënyrë selektive vetëm nga gjykatësit dhe prokurorët. 

(Kosova Sot)