Investimet përgjysmohen, alarmi ndizet për qeverinë e re

  • 27 June 2017 - 08:00
Investimet përgjysmohen,  alarmi ndizet për qeverinë e re

Mungon sundimi i ligjit,ambienti biznesor i rënduar tej mase

Raporti i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), që bën vlerësimin tremujor të ekonomisë, tregon se investimet e huaja direkte (IHD) të pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 215.9 milionë euro dhe ato paraqesin nivelin më të ulët krahasuar me vlerën prej 308.8 milionë euro të regjistruar në vitin 2015. Në raportin e BQK-së për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, që është botuar ditë më parë, thuhet se në kuadër të strukturës së IHD-ve me zvogëlim të vlerës u karakterizuan të dy format e IHD-ve, përfshirë kapitalin dhe fondin e investimeve në aksione, si dhe investimet në instrumentet e borxhit. Shih për këtë analistë të ekonomisë, përfaqë- sues të shoqërisë civile dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, e kanë ngritur çështjen se kur do t'i hapet rruga investimeve të huaja. Ata pyesin se kur do të largohen dhe eliminohen pengesat, bllokadat dhe barrierat e qëllimshme për motive korruptive e të inkriminuara deri në krim të organizuar. Analistët alarmojnë se kemi një rënie të tillë drastike të investimeve ngase mitoja dhe ryshfeti me vlera e përqindje shumë të larta janë bërë të pashmangshme nëpër të gjitha qeveritë komunale dhe në nivelin qendror. 

Shumë punë për qeverinë e re

Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar, Muhamet Sadiku, për të përditshmen "Kosova Sot" tha se Kosova vazhdon të ketë probleme serioze në avancimin e mjedisit biznesor dhe funksionalizimin e shtetit ligjor."Luftimi i korrupsionit dhe mbrojtja ligjore e investimeve janë indikatorë sensitivë për të përmirësuar imazhin e Kosovës para investitorëve potencialë. Kishim shpresa se në vitet e posakaluara do të bëhen ndryshime pozitive. Por, niveli i investimeve të huaja tregon se Kosova ende nuk është duke u bërë destinacioni i investimeve të jashtme", u shpreh ai. Ekonomisti Sadiku sqaron se shënimet e BQK-së tregojnë se trendi i investimeve është tejet i pavolitshëm. "Qeveria e re ka vërtet çka të punojë. Pa rritjen e investimeve të jashtme dhe ardhjen e investitorëve strategjike, nuk mund të flitet për modelin e rritjes ekonomike prej 8 për qind. Kjo mbase mund t'i ndodhë ndonjë kompanie të disa komentuesve, por për të ndodhur në niveli kombëtar duhet qeverisje e mirë dhe luftim i çështjeve negative të mjedisit biznesor", potencoi më tutje ai.

Image

 

Rritja ekonomike e kufizuar

Drejtues të shoqatave të biznesit vlerë- sojnë ndërkaq se njëri nga indikatorët kryesorë të rënies së investimeve që nga paslufta e deri më sot mbetet mungesa e sundimit të ligjit. Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se investimet e huaja direkte janë një mjet efektiv për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë."Ndër përfitimet e saj janë ulja e papunësisë, e cila lidhet me një zvogëlim të varfërisë, zhvillimin e zonave rurale dhe zëvendësimin e importit. Veç tjerash investimi i drejtpërdrejtë i huaj do të ulte deficitin midis importeve dhe eksporteve që për momentin është shumë i madh. Sidoqoftë, vitet e fundit numri i investimeve të huaja direkte ka rënë", u shpreh ai."Besoj se arsyeja kryesore për këtë është mungesa e besimit. Tregjet e huaja nuk kanë ndërtuar atë besim të nevojshëm për një bashkëpunim të suksesshëm",vlerëson afaristi Berjani. Ai është i mendimit se boshllëqet politike, një sistem i dobët legjislativ dhe kryesisht korrupsion në nivelin qendror dhe lokal, ku qeveria e re duhet ta luftojë korrupsionin, kanë çuar në këtë. 

Çlirimi i bizneseve nga haraçi

Analisti Faton Mehmeti vlerëson për "Kosova Sot" se ikja e investitorëve të huaj nga Kosova vjen për shkak se vendi ynë është i kapur nga krimi, nga politikanët e lidhur me krimin dhe vënia e interesave të grupeve të caktuar të interesit mbi atë të shoqërisë."Prandaj për ta çliruar ekonominë nga haraçi, nga monopolet dhe nga oligarkët, duhet vendosmëri, guxim dhe përkushtim nga qeveria e ardhshme. Realisht është pak e besueshme se një gjë e tillë mund të ndodhë, duke pasur parasysh se nuk ka ndryshuar elita politike në Kosovë asgjë në qasje, në menaxhim dhe në strategji", theksoi ai. "Kosova duhet që të ulë taksën për bizneset e vogla, të japë grante shteti për t'i ndihmuar ekonomitë e vogla për të ecur më tutje. Janë një sërë masash që shteti duhet të ndërmarrë për të rregulluar ekonominë, për ta shkapur atë nga duart e mafisë dhe për ta vënë atë në shërbim të mundësive të qytetarëve për të bërë biznes", vijoi më tutje Mehmeti. "Së pari shteti duke ulur taksat, bizneset shtojnë kapital me rritjen e kapitalit edhe çmimet ulen, me uljen e çmimeve ka me shumë blerës dhe sa më shumë blerës aq më shumë konsum, sa më shumë konsum pastaj më shumë vende pune. Andaj kjo është hallka e krijimit të vendeve të punës, të cilat nuk po arrijnë të çlirohen nga taksat e larta, të cilat u kanë marrë frymën biznesit", potencoi ai.

Të ndryshojë perceptimi i investitorëve

Eksperti i ekonomisë, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se në Republikën e Kosovës nuk do të ketë investime të huaja si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror derisa shpërdoruesit e aseteve publike dhe të parave të qytetarëve janë në institucionet që udhëheqin Kosovën. "Krijimi i bindjes së investitorëve, si të huajve por edhe atyre vendorë, se nuk mund të kenë sukses në investimet e tyre nëse nuk janë të ndërlidhur me pushtetin, ka shkaktuar dëme të mëdha në investimet në ekonominë e vendit", theksoi ai. "Qeveria e ardhshme duhet të krijojë kushte që të gjithë njerëzit tanë, si në vendin tonë e po ashtu edhe ata në diasporë të munden të investojnë kapital dhe shkathtësi në Kosovë, duke rritur biznesin e tyre e me këtë ata do të ndikojnë edhe në rritjen e ekonomisë së Kosovës", vlerëson Neziraj. Sipas tij, për arritjen e qëllimit për investime serioze qeveria e vendit duhet që të sigurojë mjedis institucional dhe biznesor, i cili do të mobilizonte maksimalisht tërë potencialin financiar të Republikës së Kosovës dhe të nxisë investimet e jashtme në funksion të zhvillimit të hovshëm ekonomik. 

Propozimi për hapjen e një zyre

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se rruga e investimeve do të hapet vetëm me luftimin e korrupsionit dhe përgjegjësisë institucionale, si dhe kur në Kosovë të krijohet një zyrë për mbrojtjen e investitorëve nga kërcënimet dhe rreziqet që do t'i kenë nga shumica e politikanëve dhe biznesmenëve kosovarë, të cilët kanë fituar duke bërë dallavere me tenderët e fituar dhe duke i vënë bllokada investimeve që vijnë nga investitorët e tjerë. Ai shpreson se me qeverinë e re dhe me zgjedhjen e kryetarëve të rinj në zgjedhjet komunale mund të kemi një fije shpresë se më në fund do t'u hapen dyert e mirëqenies së qytetarëve nga investimet e huajve të cilët dëshirojnë të punojnë dhe investojnë në shumicën e komunave të vendit. Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') thotë për "Kosova Sot" se kemi rënie investimesh nga mungesa e vullnetit të mirë, e përgjegjëshmërisë, e etikës profesionale e politike, sikurse edhe në mungesë të Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik dhe e gatishmërisë për krijimin e kushteve bazike për këtë zhvillim. 

(Kosova Sot)