Komuna e Gjakovës ka keqmenaxhuar me buxhetin

  • 27 June 2017 - 12:19
Komuna e Gjakovës ka keqmenaxhuar me buxhetin

Nga 18 rekomandimet, që Auditori i Përgjithshëm i kishte dhënë për Komunën e Gjakovës, në kuadër të auditivit të Pasqyrave financiare vjetore, zyrtarët e kësaj komune i kishin implementuar vetëm 4 sosh, 6 ishin në proces, ndërsa 8 rekomandime nuk janë adresuar

Dihet se misioni kryesor i Auditorit të Përgjithshëm Kombëtar (APK) është që të kontribuojë në menaxhimin e shëndoshë financiar në administratën publike. Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërdrejt llogaridhënien e institucioneve publike, pasi që ato ofrojnë bazë të qëndrueshme për të kërkuar llogari nga menaxherët e çdo organizate buxhetore. Këto qëllime APK-ja provon t'i realizojë përmes rekomandimeve, që ua drejton institucioneve të audituara, në mënyrë që ato të përmirë- sojnë lëshimet e bëra. Mirëpo, nëse implementimi i këtyre rekomandimeve është rruga për tejkalimin e lëshimeve të evidentuara, atëherë, sipas raportit të fundit të APK-së, del se Komuna e Gjakovës nuk është e interesuar që të përmirësojë gabimet dhe t'i tejkalojë lëshimet. "Raporti ynë i auditimit për Pasqyrën Financiare Vjetore (PFV) të vitit 2015, ka rezultuar me 18 rekomandime drejtuar zyrtarëve komunalë të Gjakovës. Komuna kishte zbatuar kërkesën për të përgatitur një Plan Veprimi brenda 30 ditëve pas pranimit të raportit të auditimit për PFV për vitin 2015 të Zyrës Kombëtare të Auditimit(ZKA), ku paraqitet mënyra se si do të zbatohen të gjitha rekomandimet. Deri në përfundimin e periudhës së auditimit 2016, katër rekomandime ishin implementuar, gjashtë ishin në proces të implementimit, ndërsa tetë nuk ishin adresuar ende", thuhet mes të tjerash në raportin e fundit të AKP-së, duke bërë fjalë për Komunën e Gjakovës.

Demantohen komunarët

Derisa Komuna e Gjakovës vazhdimisht lavdërohet se ka arritur rezultate shumë të mira në evidentimin, regjistrimin dhe menaxhimin e pronave komunale, në këtë raport të AKP-së, pos të tjerash thuhet: "Një ndër fushat kryesore ku nevojiten më shumë përmirësime është: regjistrimi i pasurive komunale dhe menaxhimi i pronave komunale". Edhe pse komunarët potencojnë se janë mjaft vetëkritikë për lëshimet e bëra, raporti i AKP-së thotë ndryshe: "Vlerësimi i proceseve, duke mos përshkruar edhe dobësitë shoqëruese, krijon një pasqyrim të pasaktë të cilësisë në menaxhimin e përgjithshëm të financave dhe efektivitetet e kontrollit, dhe rrit rrezikun që menaxhmenti të mos pranojë lëshimet dhe mangësitë ekzistuese, ndërkohë që situata faktike është ndryshe. Vlerësimet joobjektive të proceseve shpijnë edhe në vendimmarrje të gabuara". Zyrtarët komunalë të Gjakovës shumë herë kanë konstatuar se në komunë me kujdes mbikëqyret çdo euro e shpenzuar, por AKPja në raport konstaton ndryshe: "Rishikimi ynë i kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin kryesor financiar të Komunës, ka nxjerrë në pah një raportim joefektiv financiar mbi shpenzimet dhe të hyrat tek menaxhmenti i lartë, si dhe analiza të pakompletuara. Si të tilla aranzhimet e përgjithshme të qeverisjes kërkojnë përmirësim. Rrjedhimisht, draft-pasqyrat financiare vjetore kanë rezultuar me pasaktësi dhe gabime". Në këtë raport nuk ka vlerësim të mirë as për realizimin e buxhetit: "Realizimi i buxhetit nuk ishte në nivelin e pritur dhe vlera prej 1,270,405 e fondeve vetjake janë bartur si të pashpenzuara. Shpenzimet e tjera kanë mundur të bëhen në fund të vitit, për obligimet e papaguara, të cilat kanë arritur në nivel domethënës". Duke bërë fjalë për lejet e ndërtimit raporti spikat: "Gjatë rishikimeve, kemi vërejtur se në dy nga tetë rastet e testuara, nuk është respektuar afati ligjor për shqyrtimin e lejes ndërtimore. Ligji në fuqi i ndërtimit, vendos afatin prej 45 ditëve për shqyrtimin e lejes ndërtimore të kategorisë së II, duke numëruar ditët që nga pranimi i kërkesës. Vonesat në shqyrtimin e lejeve ndërtimore në fjalë janë 31 deri në 39 ditë". 

Komuna ka paguar punëtorët për punë, pa dëshmi se e bënë këtë

Komuna e Gjakovës, sipas raportit të Auditorit Gjeneral, ka keqmenaxhuar me buxhetin, ka paguar punëtorët jashtë orarit të punës në shuma të mëdha edhe pse nuk ka pasur dëshmi se është punuar gjatë festave apo vikendeve. Po ashtu ka gjetur se vlerën prej 1 milion e 270 mijë e 405 të fondeve vetjake e ka bartur si të pashpenzuar. Auditori e vlerëson si të rrezikshëm planifikimin dhe realizimin jo të duhur të buxhetit ku mund të rezultojë në mosarritjen e objektivave të organizatës. Kjo ka ndodhur për arsye se gjatë vitit aktual, janë financuar detyrimet e viteve të mëparshme.

(Kosova Sot)