Minjtë dhe lagështia lënë pa gjumë familjen Mehmeti (Foto-Video)

  • 27 June 2017 - 13:26
Minjtë dhe lagështia lënë pa gjumë familjen Mehmeti (Foto-Video)

Këtë familje e kanë ndihmuar njerëzit vullnetmirë 

Familja e Zejnije Mehmetit, me origjinë nga Banja e Siarinës, është një nga disa familje që janë të vendosura tek barakat në lagjen "Kodra e Diellit" në kryeqytet, afër shkollës fillore "Ismail Qemali". Kjo familje po jeton në kushte të mjerueshme. Me dimra të ftohtë dhe vera të nxehta, pa punë dhe me mijëra brenga, familja për më se gjashtë vjet po i kalon ditët dhe netët në barakë të kalbur, ku minjtë dhe insektet frikësojnë fëmijët, ku shumë prej netëve i bëjnë pa gjumë ose të tmerruar nga frika. Sapo hapet dera e barakës dhe futen këmbët brenda kësaj barake, heton peshën e rëndë të viteve që po kalon familja e Zejnije Mehmetit, e mbetur e ve shumë vjet më parë dhe me dy fëmijë jetimë. Në një hapësirë të ngushtë, me tavan të ulët, orendi të vjetruara, dhe me pajisje elektrike që nuk punojnë, familja e Zejnijes mundohet të mbijetojë disi. Por, pavarësisht varfërisë dhe kushteve aspak të mira të ambienteve të brendshme, bie në sy pastërtia që mbretëron në këtë familje. Me zë që dridhet dhe e ndrojtur, zonja Zejnije tregon për jetën e saj, kushtet dhe peshën që duhet përballuar për të rritur fëmijët, sepse tash për tash kjo familje po përballet me mbijetesën, në një kryeqytet të rrëmujshëm, pa mundësi pune dhe ku edhe ajo pak punë që gjendet, paguhet për të siguruar një vakt dite. Por, ajo mbetet me shpresë se ditë të mira për familjen e saj do të vijnë, duke mos i munguar as ndihma e qytetarëve, të cilat deri diku do të zbusnin dhe plotësojnë nevojat ditore të familjes. 

Me vështirësi ia arrin të gjejë punë

Duke folur pak dhe ngadalë, zonja Mehmeti tregon se ka më se 6 vjet që jeton në këtë barakë, të improvizuar si banesë - shtëpi, përdhese. Me vështirësi ia arrin të gjejë punë për të mbajtur fëmijët, për të siguruar ushqimin, veshmbathjet, por edhe nevojat e tjera. Sidomos kur tashmë fëmijët janë rritur dhe nevojat shtohen. Ajo tregon se me vështirësi arrin të mbyllë muajin me një ndihmë sociale dhe pa punë dhe me kushte aspak të mira, por falë vullnetit të vullnetmirëve arrijnë disi të përmbushim disa nga nevojat ditore. Edhe festën e fundit ka arritur ta kalojë disi."Baraka verës është e nxehtë dhe dimrit akull, ku uji depërton sa herë që bie shi apo shkrim bora, duke arritur nën dyshemenë e barakës dhe duke dëmtuar edhe ato pak orendi të cilat i kemi jo pa mund falë zemërgjerësisë së njerëzve", ka pohuar ajo, duke shtuar se është vështirë të shpjegohet mbijetesa në këto kushte pa rrogë dhe në një vend ku për shkak të vjetërisë së kompleksit të barakave ku janë vendosur disa familje, papastërtia nga jashtë, depërtimit të lashtësisë, minjtë dhe insektet vazhdimisht shqetësojnë fëmijë jetimë të familjes. E, shëndeti mbetet një nga shqetësime e përhershme të kryefamiljares Mehmeti. "Mos e dhëntë Zoti të sëmurësh, se përndryshe si të sigurohen para për barnat dhe më tej", shton ajo!

Përdor orendi që i kanë hedhur nga shtëpitë

Më tej ajo ka thënë se edhe ato pak pajisje të kuzhinës, që ia ka siguruar nga bamirës, janë prishur dhe në pamundësi për të paguar mjeshtrin tashmë ato kanë mbetur vetëm si dekor. E, si rezultat i nxehtësisë tashmë ajo e ka problem edhe për të ruajtur ushqimin që me aq vështirësi e siguron. Temperaturat e larta e detyrojë që të jetë e kujdesshme."Na u kanë prishur shporeti dhe frigoriferi. Mjeshtrit po lypin shtrenjtë për t'i ndrequr, kurse ne nuk po kemi para, andaj po na prishet edhe ata pak ushqim që na ka mbetur dhe kështu po detyrohemi të hamë ushqim që po fillon të prishet, sepse në këto ditë vere ushqimi më shpejt po prishet dhe po kam frikë se mos po më sëmuren fëmijët", ka thënë ajo, duke treguar se shumë prej orendive që i ka brenda ose i ka dhuratë nga bamirësit, ose i ka mbledhur nga ata që i kanë hedhur nga shtëpitë familjet që kanë mundësi t'i ndërrojnë ato. Nuk është vetëm kjo për të sfidë, është edhe shiu, i cili sa herë bie futet nën dysheme duke dëmtuar atë dhe duke krijuar lagështi, duke e vënë zonjën Zejnije para mundit të madh. Por, nuk është vetëm shtëpia barakë që shqetëson Zejnijen, por atë e shqetësojnë edhe fëmijët, të cilët tashmë po rriten dhe me këtë po rriten edhe nevoja dhe kërkesat."Paj vështirë për të siguruar ato që na nevojiten, ushqimi dhe veshmbathje. Por, edhe për shkollë, sidomos tash, kur fëmijët janë rritur, nevojat janë shtuar dhe nuk e kam të lehtë. Na kanë ndihmuar herë dikush e herë dikush, faleminderit prej tyre, që na kanë ndihmuar, e po na ndihmojnë", ka shtuar Zejnije Mehmeti, duke treguar se sa vështirë është të mbyllësh një ditë pa punë, pa shtëpi, e ve dhe me dy fëmijë, në një qytet ku nuk ka punë dhe familja mbijeton me një ndihmë të vogël sociale. 

Image
Image
Image
Image

 

(Kosova Sot)