Specialja, një "flluskë" apo tmerri i mafio-oligarkëve?!

  • 29 June 2017 - 07:51
Specialja, një

Pa dëshmi dhe prova, do jetë e vështirë të ndëshkohen bandat e pushtetit

Siç po pritet tani, Dhomat e Specializuara do të jenë të gatshme edhe ligjërisht që t'i pranojnë akuzat e para brenda shtatë ditësh, pasi që dje Gjykata Kushtetuese e shpalli pozitiv aktvendimin në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Ndërkohë pritet të fillojnë edhe arrestimet e para të Gjykatës Speciale. Mirëpo, njohësit e kësaj fushe dhe analistët politikë po e presim me shumë skepticizëm një funksionim efektiv të Speciales, duke mos besuar shumë se do të fillohet me 'peshqit e mëdhenj', por më shumë besojnë se do të ndodhë siç ka ndodhur me drejtësinë e Kosovës tradicionalisht, që të merret më shumë me 'peshq' më të vegjël, pasi të inkriminuarit e fortë kanë bërë aq pasuri saqë mund ta blejnë tani edhe drejtësinë ndërkombëtare. Analisti politik Reshat Sahitaj thotë se vënia para drejtësisë së 'peshqve të mëdhenj' është kërkuar kaherë, mirëpo gjer më tani ishin vetëm deklarata të thata. "Për ndërkombëtarët sigurimi i provave nuk ka qenë problematik, por gjatë këtyre hetimeve kanë hasur në vështirësi në sigurimin e dëshmitarëve, e në këtë proces ka pasur dëshmitarë gënjeshtar që për inate personale apo duke u nisur nga thashethemet kanë dëshmuar rrejshëm dhe ka pasur dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar, por kur është kërkuar që të dalin në gjyq e të përballen me akuzuesin shumica e tyre nuk kanë pranuar", është shprehur për "Kosova Sot" Sahitaj

Shumëçka në duart e dëshmitarëve

Sipas Sahitajt, një pjesë e dëshmitarëve ende ka frikë të përballet në gjyq me akuzuesin, një pjesë tjetër e dëshmitarëve është likuiduar fizikisht nga kundërshtarët e tyre, por ekzistojnë dëshmitarë të gatshëm të përballen. "Andaj, Gjykata Speciale nuk duhet konsideruar si shpëtimtare nga grupet mafio-politike, por këto grupe do të reduktohen konsiderueshëm në të ardhmen e jo të asgjësohen komplet, duke pasur parasysh faktin e zhdukjeve të disa dëshmitarëve dhe frikën e disa tjerëve, të cilët mendojnë më mirë të heshtin sesa të dëshmojnë. Pa dëshmitarë të mirëfilltë nuk duhet të presim që Gjykata Speciale të na bëjë mrekulli", tha Reshat Sahitaj për "Kosova Sot". Ai thotë se Kosova do të përparonte vetëm kur të ekzistojë vullneti i mirë i qytetarëve tanë të dëshmojnë kundër akteve të paligjshme. "Asnjë qytetar i Kosovës nuk ka aspak njohuri se si 'Devollit' iu dhanë 300 mijë numra falas vite me radhë, e ata që dinë nuk mund të dëshmojnë, sepse janë pjesë e rrjetit të njëjtë mafioz politik. Shteti ynë duhet të krijojë mekanizma specialë që merren me abuzime të tilla, e jo të krijohen OJQ, siç e bëri Atifete Jahjaga, gjoja për ta luftuar korrupsionin", ka potencuar Sahitaj. 

Goditja eventuale ndaj krahut politik të luftës

Eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, duke vlerësuar brishtësinë institucionale dhe politike në vend, krizën paszgjedhore nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe futjen në zgjedhje të reja lokale në shtator, nuk pret që aktakuzat e para të ngrihen para mesit të vjeshtës ose mund të shtyhen deri kah fundi i këtij viti dhe fillimi i vitit që vjen. Sado me vonesë, ai thotë se megjithatë një tërmet politik veprimi i saj do të sjellë te i gjithë spektri politik që mbahet si spektër i krahut të luftës. "Kuptohet se kjo gjykatë pritet të godasë si PAN-in edhe VV-në, PDK-në dhe AAK-në, të gjithë janë me telashe me këtë gjykatë. Një rrëmujë e madhe mund të pritet kur të shtohet se as institucione s'ka shteti ende të dala nga zgjedhjet e kjo e komplikon mjaft shumë situatën e sigurisë", tha Burjani për "Kosova Sot". Mirëpo, analisti Hidajet Ahmeti është shumë skeptik në efikasitetin dhe seriozitetin e kësaj gjykate, pasi sipas tij përvoja e misioneve ndërkombëtare për rend dhe ligj në Kosovë gjithmonë ka pasur një epilog negativ."Edhe pse natyra e kësaj gjykate dallon nga misionet ndërkombëtare që kanë vepruar e punuar në Kosovë, prapë është për të dyshuar, pasi që funksionalizimi i kësaj gjykatë është pritur të ndodhë që në vitin e kaluar", tha Ahmeti për "Kosova Sot".

Image

 

Pak shpresa në sistemin e drejtësisë

Sipas politologut Faton Mehmeti, Gjykata Speciale është parë si një dritë në fund të tunelit, një dritë shprese për drejtësi, vetëm nga fakti se deri tani drejtësia ka qenë selektive, ajo është ndërtuar në atë formë që t'u shërbejë politikës, grupeve të caktuara të interesit dhe si e tillë edhe ka funksionuar mbrapsht."Sistemi i drejtësisë është i padrejtë në vetvete, pasi nuk i trajton të gjithë njësoj. Në Kosovë mund të futesh në burg për 20 euro ryshfet, por nuk futesh në burg për 5 milionë vjedhje. Edhe pse po pritet me mjaft optimizëm, ka mjaft arsye për të qenë jo aq optimist për punën që pritet ta bëjë kjo gjykatë. E kaluara me EULEX-in na i ka zbehur shpresat se Gjykata Speciale, e krijuar nga mekanizmat e njëjtë të BE-së për të vënë drejtësi në Kosovë, gjë që nuk arriti ta bëjë asnjëherë", tha Mehmeti për "Kosova Sot". Ai thekson se në fillim të funksionimit mund të ketë disa arrestime spektakulare për të fituar besimin e BE së, se si po bëjnë një punë të mirë këtu, por me kalimin e kohës kjo gjykata pritet ta humbë shkëlqimin e saj. "Kjo mund të ndodhë pasi është kohë e gjatë pas lufte të fillohet një proces gjyqësor, ku shumica e dëshmitarëve edhe i kanë harruar ngjarjet, disa janë vrarë e disa edhe mund të heqin dorë pasi "peshqit e mëdhenj" do përdorin çdo formë ryshfeti, kanosje dhe shantazhi për të devalvuar ky sistem drejtësie, në mënyrë që t'i ikin asaj", u shpreh Mehmeti për "Kosova Sot".

Arrestimet do të nisin nga "bishti"

Përveç tërmetit politik që mund të shfaqet në funksionimin e institucioneve të vendit, madje edhe të ndonjë pakënaqësie qytetare, analisti Ragip Guraziu pret më shumë efikasitet të kësaj trupe ndërkombëtare të drejtësisë në luftë kundër krimit të organizuar. Sipas tij, Gjykata Speciale, që në arrestimet e para, do fillojë nga 'bishti', për të lënë të fundit 'peshqit e mëdhenj'. "Kështu do t'i japë Gjykata Speciale fund krimit dhe mafisë në Kosovë, që për vite të tëra e kanë ngulfatur Kosovën këta mafiozë dhe oligarkët e tyre dhe Kosova tani do të frymojë më lirshëm. Gjykata e re Speciale, me bazë në Holandë, që do të gjykojë figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pritet të ngrejë së shpejti padi, por brenda Kosovës zemërimi për Gjykatën vazhdon të ziejë", tha Guraziu për "Kosova Sot". Ai beson që kjo gjykatë do ta trajtojë krimin pa dallim, veçmas atë të luftës. "Gjykata do të trajtojë akuzat për krime të kryera nga luftë- tarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër civilëve serbë të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar të regjimit të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, gjatë dhe pas luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Një nga përgjegjësitë më të mëdha të Gjykatës do të jetë të hedhë dritë mbi pretendimet e bëra në një raport nga raportuesi i BE-së, Dick Marty, që u miratua nga Këshilli i Evropës në janar 2011. Raporti i Dick Marty-t akuzonte lidershipin e UÇK-së, përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për përfshirje në "trafik organesh, rrëmbime dhe keqtrajtim të të burgosurve" gjatë luftës", tha Ragip Guraziu.

Krimi ekonomik jashtë juridiksionit të Gjykatës

Analisti Florim Zeqa gjithë këtë zvarritje të Speciales e sheh të ndikuar nga vetë politika kosovare."Kërkesa e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të rishikuar mandatin e Gjykatës Speciale duket të ketë qenë i vonuar në aspektin juridik. Gjykata Speciale do të fillojë punën me bekimin e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila ekskluzivisht do të merret me krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës së fundit çlirimtare. Pas aktvendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, tani pritet që edhe ligjërisht Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale të pranojnë akuzat e para brenda javës apo dhjetëditëshit të parë. Me çka pritet të ndodhin edhe arrestimet e para nga ana e Gjykatës Speciale", u shpreh ai. "Bazuar në mandatin ligjor të Gjykatës Speciale, nuk pritet që kjo gjykatë të merret fare me krimin ekonomik dhe aferat korruptive të pasluftës. Pritjet që Gjykata Speciale do të arrestojë të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj' të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë qeveritar, s'janë gjë tjetër veçse një iluzion i radhës për qytetarët e Kosovës", tha Zeqa për "Kosova Sot"

Të fortët s'ka kush t'i prekë

Fare pesimist në pritje të ndonjë bumi të madh nga Gjykata Speciale është edhe analisti Gani Qarri."Sado që është thënë se Gjykata Speciale do të hetojë edhe vrasjet e pasluftës, duke u nisur nga deklarata e vet Kryeprokurorit të kësaj Gjykate David Schvendiman se edhe ai është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike që do të kenë arrestimet, besoj se fillimi i gjykimeve do të jetë një proces i kufizuar vetëm për krime lufte në Kosovë", ka thënë ai. "Sado që Gjykata Kushtetuese e shpall pozitiv aktvendimin në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nuk besojë se do të nisë pa vonesë as shpejt dhe që në fillim me 'peshqit e mëdhenj'", u shpreh Qarri për "Kosova Sot". "Shpresa se kjo gjykatë mund të godasë krerët e krimit të organizuar dhe mafinë politikeoligarkike në Kosovë, nuk mund të jetë plotësisht e realizueshme edhe për faktin se këtu i thonë Ballkan", tha Qarri për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)