Politikanët e dështuar na lanë edhe një vit në izolim

  • 29 June 2017 - 08:02
Politikanët e dështuar na lanë edhe një vit në izolim

Me këtë klasë politike, Kosova do të vendnumërojë gjatë

Derisa tani janë publikuar pothuaj gjysmë-zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit dhe vetëm pritet zyrtarizimi e certifikimi i tyre, në koluaret e veta të gjitha partitë politike po kalkulojnë dhe po luftojnë për pushtet pa asnjë dallim, se cili do të arrijë t'i bëjë numrat minimal, që ta formojnë qeverinë ekskluzivisht për interesa personale dhe përfitime materiale e kriminale,më shumë sesa për të mirën e popullit. Analistët politikë konsiderojnë se kjo etje për pushtet dhe ky veprim i partive politike tregon më së miri se derisa krimi i organizuar dhe nëntoka të udhëheqin shtetin, nuk ka perspektivë për qytetarët dhe shpëtimin do ta kërkojnë duke ikur larg Kosovës. Në fakt analistët konsiderojnë se të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, tani po dënohen edhe këtë vit pa liberalizim të vizave, pikërisht për shkak të kësaj klase politike totalisht të papërgjegjshme, për shkak të kësaj klase politike të kriminalizuar, e cila nuk lodhet fare që qytetarët po jetojnë në shtetin më të izoluar në botë dhe pa liberalizim të vizave, por janë pozicionuar vetëm në mbrojtje të "kolltukëve" të tyre, që janë bërë si fabrika për prodhimin e rritjen e "korrupsionit dhe krimit të organizuar" në Kosovë. 

Koalicionet i bashkoi interesi

Politologu Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, konsideron se tendenca e koalicioneve ishte që në fillim, më shumë për pushtet personal dhe partiak sesa për krijimin e një qeverie me program zhvillimor. "Edhe tani kjo lloj heshtjeje para certifikimit të rezultateve është tendenca e pozicionimit rendor dhe kalkulimeve për poste. PDK-ja do të tentojë me çdo kusht ta mbajë AAKnë në anije dhe të bëjë çdo lloj kompromisi për të qenë në pushtet, sepse nëse PDK-ja nuk është në pushtet, ajo mund të humbë në çdo sferë dhe të fillojë procesi i shkapjes së shtetit. Që të nisë të fillojë drejtësia, që shumë njerëz të tyre mund t'i gjejmë prapa grilave. Edhe partitë e tjera po ndjekin këtë shembull që ta shijojnë pushtetin me çdo kusht dhe përllogaritje vetëm e vetëm që të kenë qasje në burimet shtetërore. Dhe kjo jashtëzakonisht e dëmton Kosovën në të gjitha sferat, sepse nuk ka program, por vetëm qeveri për pushtet", tha Kuqi për "Kosova Sot". Ai thekson se ka frikë që qytetarët mund të dënohen prapë edhe përkundër që ka një tendencë për ndryshime, gjë që garnitura politike nuk ka gatishmëri ta materializoj këtë tendencë qytetare. "Dhe kjo po tregon se Kosova as nuk ka lider e as demokraci, por një kuazi (gjysmë) demokraci me tendencë jozhvillimore, që nuk shkon nga demokracia, por oligarkia. Pra, qytetarët janë duke ndryshuar për të mirë me atë që aspak nuk i pëlqen, konvenon dhe dëshiron ta materializojë klasa politike", thekson Kuqi.

Image

 

Mentaliteti keqqeverisës nuk ndalet

Analisti Naim Kelmendi thotë se në fakt izolimi i Kosovës dhe mosliberalizimi i vizave është pasojë e mospërmbushjes së kushteve të vëna nga BE-ja, e që klasa politike me pa përgjegjshmërinë e saj totale nuk arriti t'i përmbushë ende, dhe kështu pasojat po i vuajnë qytetarët e Republikës së Kosovës. "Në të vërtetë janë dy kushte: krimi i organizuar dhe korrupsioni, e që pa luftimin e tyre duket se edhe për sa kohë nuk do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës. Këto dy kushte zor se mund të përmbushen me një klasë politike të papërgjegjshme ndaj interesave të qytetarëve dhe së këndejmi vetë e inkriminuar dhe e korruptuar", u shpreh ai. "Mbase nuk është për të pritur aq shumë me këtë klasë politike që po vjen në pushtet, në mos për tjetër për vetë faktin se mentaliteti i qeverisjes nuk do të ndryshojë ngase secila nga partitë në koalicion ka qeverisur dhe më parë dhe ka pasur pushtetin, por ka prodhuar më shumë të këqija gjatë pushtetit sesa qeverisje të mirë, dhe për këtë edhe ka marr ndëshkimin e elektoratit në zgjedhje", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Ai thotë se tani do të ishte shumë në dobi dhe me interes për zhvillimin dhe perspektivën e qytetarëve të vendit, që një klasë e re politike të vijë në pushtet, që të jetë më e përgjegjshme ndaj interesave të vendit, zhvillimit ekonomik, perspektivës së punësimit e kështu me radhë. 

Lufta për poste, lë në hije interesin publik

Analisti Arsim Haziri konsideron se vendosja në agjendë të posteve politike dhe injorimi i kërkesave publike, është faktori më transparent se gjithë forcat politike, me përjashtim të disave. Janë kundër mirëqenies të përgjithshme shoqërore. "Logjikisht nëse analizohen strategjitë e subjekteve politike, ashtu edhe qëllimet e tyre politike, njëmend përfundimet e tyre rezultojnë të jenë jo qytetare e kolektive. Masa qytetare dhe kërkesa e saj gjithnjë e më shumë është duke u anashkaluar, kjo vërtetohet, kur gjithë subjektet politike në pretendimet e tyre të mëtejshme vënë në pah postet personale dhe jo nevojën qytetare", u shpreh ai. "Kosova mund të ndryshojë qasjen e politikëbërësve vetëm nëse në ndërtimin e qeverisjes marrin pjesa ato subjekte, të cilat s'kanë qenë pjesë e pushtetit. Me programet e subjekteve aktuale vendi është problem të përcillet me përmbushjen e procesit të liberalizimit, me procesin e krijimit të organeve të paanshme gjyqësore, si dhe përgjithësisht me konsolidimin e organeve shtetërore. Në Kosovë ai që mbeti gjithnjë duke u tejkaluar prej "institucionalistave" ashtu edhe prej pretenduesve, është qytetari dhe nevoja e përgjithshme, ata janë kategoria ku më shumë se gjithçka japin, duke mos arritur t'i shijojnë produktet e politikës. Populli veç konsideroj se e përdori logjikën e ndëshkimit ndaj atyre që rrënuan sferën publike, kjo njëherit është edhe indikacion se logjika e ndëshkimit konsideroj se do të përdoret edhe gjatë zgjedhjeve lokale", tha Haziri për "Kosova Sot"

Populli di të ndëshkojë

Analisti Ridvan Emini thotë se ora e politikanëve dhe partive të papërgjegjshme politike po mbaron, dhe qytetari është furishëm në kërkim të alternativës së re politike që e merr seriozisht interesin nacional, mbi të gjitha. "Populli nëpërmjet votës së vet ka treguar se di të ndëshkojë klasën politike sa herë që ajo nuk i kryen obligimet, për të cilat është zotuar", potencoi ai. "Qëllimi primar i secilës parti politike është që të arrijë në pushtet apo të participojë në një formë ose në një tjetër në pushtet, ose si e vetme, ose si pjesë e ndonjë koalicioni qeverisës. Ardhja në pushtet e secilës parti bëhet për qëllime të caktuara të realizimit të planprogramit, por kjo nuk do të thotë se nuk do të përfitojë në një formë apo në një tjetër edhe një strukturë më e ngushtë e lidhur me partinë apo partitë, të cilat marrin pushtetin", tha Emini për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)