Zbardhen punësimet e paligjshme dhe plot shkelje në komunën e Shpendit

  • 29 June 2017 - 09:31
Zbardhen punësimet e paligjshme dhe plot shkelje në komunën e Shpendit

12 rekomandime të ZAP-it nuk janë zbatuar ende

Drejtues të ZAP-it të mërkurën kanë publikuar Raportin e Auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2016 dhe janë konstatuar një numër i madh i shkeljeve. 210 persona me kontrata pune të përkohshme janë të angazhuar në Komunën e Prishtinës. Vitin e kaluar Auditori kishte gjetur se Komuna mbante kundërligjshëm 276 persona me kontrata për shërbime të veçanta, kontrata të cilat sipas ligjit ishin stërzgjatur më shumë sesa përcaktimi ligjor prej 6 muajve. Ndërkaq, siç dihet, që nga ardhja e tyre në pushtet nëpër mediat vendore është raportuar se shumë nga këta të punësuar ishin militantë të Lëvizjes "Vetëvendosje". Në Raportin e Auditorit, në mes tjerash thuhet se, sipas regjistrit të pagesave, gjatë këtij viti janë angazhuar 210 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta, që paraqet një numër të reduktuar nga viti i kaluar (276). Me rastin e përzgjedhjes së këtyre individëve, nuk ishin zbatuar procedura të thjeshtësuara të rekrutimit. Auditori ka shfaqur rrezikun se mbulimi i pozitave të rëndësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rrit pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat dhe se ka mungesë e konkurrencës së mirë- filltë, cilësia e shërbimeve të ofruara mund të jetë e nivelit të dobët dhe objektivat e organizatës të mos arrihen. Auditori i ka rekomanduar kryetari të Komunës se duhet t'i rishikojë nevojat reale për angazhim të punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta. 

Realizim i dobët i buxhetit

Raporti i ZAP-it tregon se auditimit për PFV-të e vitit 2015 të komunës ka rezultuar në 36 rekomandime. Komuna kishte përgatitur një plan veprimi, ku paraqitet mënyra se si të zbatohen rekomandimet. Deri në fund të auditimit për vitin 2016 kanë qenë 11 rekomandime që janë zbatuar, 13 ishin në proces si dhe 12 nuk janë zbatuar ende. Por, krahasuar me vitin e kaluar, vërehet një qasje shumë më serioze dhe angazhim më i lartë në adresimin e çështjeve dhe rekomandimeve të dala në raportin e kaluar të auditimit, ku rreth 70 për qind prej tyre janë zbatuar apo janë në proces e sipër. Ndër këto rekomandime është edhe ai se shkalla aktuale e ekzekutimit të buxhetit është e ndikuar nga realizimi jo i kënaqshëm i investimeve kapitale, ku vetëm 58 për qind është shpenzuar këtë vit. Njëra nga arsyet është se i tërë fondi i investimeve kapitale është i planifikuar të mbulohet nga të hyrat vetjake. Sido që të jetë, me një angazhim shtesë kjo shkallë do të përmirësohej dukshëm për rreth 20 për qind apo 6.5 milionë, meqë në fund të vitit nga i tërë potenciali shpenzues i të hyrave vetjake (të barturat dhe alokimi i inkasimeve të vitit aktual) rreth 78 për qind është shpenzuar. Jo të gjitha drejtoritë që inkasojnë të hyra bëjnë barazimet me zyrtarin e të hyrave për të konfirmuar gjendjen e tyre. 

Shkelje në kontrata, abuzime me subvencione

ZAP-i ka konstatuar se shumë dobësi janë vërejtur edhe në zhvillimin e procedurave të prokurimit. Në raport thuhej se në dy raste të testuara, "Furnizimi me dezinfektues medicinal për duar për nevoja të QKMF-së" (2.190 euro) si dhe "Manifestimi i ditës së QKMF-s 21 Qershori" (7.260 euro), procedurat e prokurimit janë zhvilluar pa aprovim nga zyrtari kryesor administrativ. Deklarata e disponueshmërisë së mjeteve nuk është nënshkruar nga ZKA dhe ZKF, siç parasheh LPP, por nga drejtori i QKMF-së, zyrtari financiar dhe i prokurimit në kuadër të QKMFsë.Gjithashtu kontratat nuk nënshkruhen nga menaxheri i prokurimit të komunës, por nga zyrtari i prokurimit të QKMF-së", thuhet në raport. Ndërsa tek kontrata "Furnizim me artikuj ushqimorë për Kuzhinën qendrore të institucioneve parashkollore", në vlerë 40,373 eurove, sipas Auditorit, menaxheri i kontratës ka bërë aprovimin e furnizimeve jashtë kontratës në vlerë prej 1.044 euro, pa një aprovim paraprak nga ana e ZKAsë dhe menaxherit të prokurimit. Veç saj, ZAP-i ka gjetur se Komuna ka subvencionuar projektin për festën e muzikës "21 Qershori" me 10,000 euro. "Edhe pse ishte përcaktuar në kontratën përcjellëse mes Komunës dhe përfituesit, nuk janë ofruar raporte kthyese narrative apo financiare/dëshmitë përcjellëse, të cilat do të vërtetonin nëse subvencioni është shpenzuar për qëllimin e caktuar. Rast i ngjashëm ishte edhe me subvencionin në vlerë 1.710 euro në llogarinë e drejtorit artistik të teatrit mimik, ku Komuna nuk kishte siguruar dëshmi mbështetëse për të vërtetuar se fondet janë shpenzuar sipas qëllimit të dhënë", bën të ditur Auditori.

Fondet e kolektorit shkojnë tjetërkund

Raporti ZAP-it tregon se kontrata për projektin "Ndërtimi i kolektorit të lumit Prishtina dhe rruga mbi kolektor" u nënshkrua më 09.08.2016, në vlerë 2.192.855 euro. Për vitin 2016 ishte buxhetuar në kodin e PIP13 43193, në vlerë 950.000 euro. Mjete të shpenzuara janë gjithsej 949.600 euro, megjithatë vetëm 100.000 prej tyre janë destinuar për këtë projekt, ndërsa pjesa tjetër, prej 849.600 euro, është shpenzuar për projekte tjera pa aprovimin e lëvizjeve të mjeteve dhe atë si: sanimi i gropave, ndërtime të rrugëve të ndryshme dhe "ndërtimi i bulevardit mbi Kurriz".Ndërsa, ekzekutimi i pagesave në vlerë 8.514 euro dhe 7.029 euro për trajtimin e qenve endacakë ishte bërë sipas çmimit prej 33 euro për një qen të trajtuar. Sipas Auditorit, përkundër faktit që shuma 33 euro përbëhet prej 13 specifikave për trajtime të ndryshme14, në raport pranimi nuk janë paraqitur cilat pozicione për shërbime janë realizuar për një qen, por vetëm sa njësi/qen janë trajtuar. Andaj, sipas të gjeturës, operatorit i është paguar çmimi total i të gjitha shërbimeve, pavarësisht nëse janë kryer të gjitha shërbimet e kontraktuara. 

Nuk respektohet

Ligji për menaxhimin e financave publike Në raportin e ZAP-it tutje thuhej se një shkelje tjetër është theksuar që Biblioteka e qytetit "Hivzi Sylejmani" dhe Teatri i Qytetit "Dodona" menaxhojnë financat e tyre në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike, rregulloren e shpenzimeve, si dhe në kundërshtim me rregulloren për të hyrat. "Këto dy institucione vartëse komunale mbledhin dhe shpenzojnë të hyrat përmes llogarive të tyre bankare, si dhe në disa raste edhe me para në dorë. Biblioteka gjatë vitit 2016 të hyra nga anëtarësimet kishte 30.253 euro, ndërsa shpenzimet ishin 11.542 euro. Po ashtu, Teatri "Dodona" gjatë vitit 2016 kishte të hyra prej 8.832 euro (përfshirë edhe të bartura nga viti kaluar) dhe shpenzime 6.851 euro. Të dy rastet ishin shpalosur në pasqyra", theksohet në raport. Për këtë rast, Auditori ka shfaqur rrezikun që kryerja e transaksioneve përmes bankave komerciale dhe jo përmes LlVTh, shpie në keqdeklarim të të hyrave (edhe pse ishin shpalosur në pasqyra), financimi i aktiviteteve të mësipërme është jashtë Kornizës ligjore mbi shpenzimin e parasë publike dhe nuk ka siguri të mjaftueshme nëse mjetet vërtetë kanë përfunduar sipas qëllimit, si dhe nuk mundëson kontroll adekuat ndaj këtyre burimeve. 

Dallavere me legalizimin e objekteve pa leje

Nga të gjeturat e ZAP-it, mësohet se në dosjet e pranuara për trajtimin e objekteve pa leje Komuna nuk kërkon nga aplikuesit të dorëzojnë dëshminë se të njëjtit kanë paguar të gjitha taksat që lidhen me atë pronë."Në dy raste kemi vërejtur që për të njëjtat prona për të cilat është dhënë leje legalizimi, sipërfaqet e ndërtesave nuk janë të njëjta me ato që janë evidentuar në sistemin e tatimit në pronë. Njëri objekt është i legalizuar për 371m2 derisa për tatimin në pronë paguan për 190m2 dhe rasti tjetër ku objekti është legalizuar për 396 m2 dhe tatim në pronë paguan për 250 m2. Kjo ka ardhur si mungesë e mosverifikimit të mjaftueshëm të pronave në terren për regjistrim të tatimit në pronë. Në një rast tjetër të legalizimit, aplikuesi nuk e kishte fare të regjistruar objektin për pagesë të tatimit në pronë, ndërsa objekti i është legalizuar", thuhet në raport.

Qiraxhinj komunalë të parregullt

Raporti tregon se Komuna ka të lëshuara me qira 43 banesa për delegatë dhe nëpunës komunalë. Përcjellja dhe menaxhimi i tyre bëhet pjesërisht nga Drejtoria e Financave, si dhe nga Drejtoria e Pronës. Përkundër tarifave ekonomike në këto qira, jo të gjithë shfrytëzuesit kryejnë me rregull obligimet e tyre. Njëkohësisht, Komuna nuk e administron mirë këtë çështje, duke mos i faturuar rregullisht si dhe duke mos marrë veprime në rast mospagese. Disa iniciativa për kompletim lëndësh ishin marrë nga Drejtoria e Pronës, në tetor 2016. Dhënia e pëlqimit të shfrytëzimit të hapësirave publike për biznese dhe individë bëhet në baza sezonale (verore dhe dimërore), nga një komision i formuar nga kryetari. Faturimi për sezonin veror bëhet kryesisht në qershor, edhe pse shfrytëzimi i hapësirave publike nga bizneset dhe individët bëhet gjatë periudhës prill-shtator. Pra, inkasimi i mjeteve bëhet pas një kohe të shfrytëzimit të këtyre hapësirave nga bizneset ose individët, si pasojë e caktimit me vonesë (në fund të prillit) të komisionit për evidentim të shfrytëzuesve potencial të hapësirave publike nga Komuna. Mos-efikasiteti në marrjen e veprimeve me kohë për të faturuar dhe për të caktuar komisionet për evidentim të hapësirave publike në posedim të shfrytëzuesve ka efekte të drejtpërdrejta në shumat e mbledhura të tarifave të qirasë. 

(Kosova Sot)